Home / Aktualitet / “DITURIA” sjell në shqip “Katitzi” dhe “Katitzi dhe qeni Suing”, dy libra klasikë për fëmijë nga shkrimtarja suedeze Katarina Taikon

“DITURIA” sjell në shqip “Katitzi” dhe “Katitzi dhe qeni Suing”, dy libra klasikë për fëmijë nga shkrimtarja suedeze Katarina Taikon

Katarina Taikon (1932-1995), e quajtur shpesh Katitzi, është një nga gratë më të rëndësishme në historinë moderne suedeze. Lindi në një familje rome, që jetoi dhe u end nëpër Suedi në kohën kur qeveria zyrtare suedeze i trajtonte keq “ciganët”, me qëllim që këta ta braktisnin vullnetarisht vendin. Asnjëherë nuk u lejohej të qëndronin në një vend më gjatë se tri javë, edhe nëse ishte dimër, e megjithëse babai Taikon u përpoq disa herë t’i regjistronte të bijat në shkollë, Katarina mundi të ulej në bankë vetëm kur ishte 13 vjeçe. Fëmijëria e Katarinës kaloi kështu jo me pak vështirësi, të detyruar të punonin të gjithë për të siguruar jetesën dhe duke vuajtur çdo ditë e më shumë diskriminimin dhe përjashtimin. Në vitin 1963, Katarina shkroi librin e parë, “Gruaja cigane”, i cili shpejt u pasua edhe nga të tjerë, përfshirë këtu serinë autobiografike për fëmijë e të rinj me titull Katitzi (me 13 libra, shkruar në periudhën 1969-1980), që e bëri të famshme dhe të dashur për lexuesin në të gjithë Europën. Vetë seria, forma e historive personale, stili dhe humori i librave të kujtojnë traditën e librave suedezë për fëmijë. Por temat që ata trajtojnë shkojnë përtej kufijve të botës së fëmijëve.

Rrëfimet e përvojave të përditshme të personazhit kryesor, Katitzit, ngrenë shumë çështje serioze me të cilat romëve u është dashur të përballen në shtetin suedez të mirëqenies, duke përfshirë pamundësinë për arsimim dhe strehim, si dhe pabarazinë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e veprave letrare të shkrimtarëve romë, seria Katitzi e Katarina Taikon është bërë pjesë e letërsisë së traditës dhe renditet mes klasikëve për fëmijë në Suedi. Katitzi është një nga personazhet më të rëndësishme në letërsinë suedeze për fëmijë – si Pipi Çorapegjata e Astrid Lindgrenit apo Nils Holgersoni i Selma Lagerlöfit, dhe tani konsiderohet si një libër që duhet lexuari nga çdo fëmijë.

“DITURIA” sjell në shqip “Katitzi” dhe

Dy vëllimet

Nga kjo seri, “DITURIA” ka botuar deri tani dy vëllime: “Katitzi”, pjesë e projektit “Udhëtim në kohë dhe vende të ndryshme me mjeshtër të letërsisë europiane”, me mbështetjen e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian, dhe “Katitzi dhe qeni Suing”, të përkthyer me mjeshtëri nga Sokol Demaku. Gazmore dhe plot kureshtje për botën, Katitzi është një vajzë rome tetëvjeçare. Ajo është heroina e shtëpisë së fëmijës ku jeton, e gatshme të sfidojë kujdestaren e rreptë. Gjithçka ndryshon ditën kur, papritur, babai vjen për ta marrë. Katitzi zbulon se ka një familje të madhe, që jeton në një rimorkio, vesh rroba si në përralla, luan në violinë e u bie tambureve dhe drejton një park të vërtetë argëtimi! Fillon kështu jeta e saj e re, plot të papritura të mrekullueshme, por edhe me shumë mundime e peripeci, që ajo e ka të vështirë t’i kuptojë.

Së bashku me motrat, Rozën dhe Lenën, Katitzi duhet të punojë çdo ditë dhe të kujdeset për motrat e vëllezërit më të vegjël, të lindur nga martesa e dytë e babait me një suedeze, që di vetëm të ankohet dhe të japë urdhra. Po pse nuk mund të jetojnë në një shtëpi të vërtetë? Të ndalen në një vend pa i dëbuar? Pse të mos shkojnë në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë? Pas suksesit në vitet 1970, seria ka fituar sërish zemrat e lexuesve falë aftësisë për të rrëfyer për paragjykimet dhe përjashtimet, në këndvështrimin e pafajshëm e të gjallë të një fëmije. Dy libra tërheqës dhe emocionues, që të bëjnë të qash e të qeshësh, që falin kënaqësi dhe që u përshtaten moshës, ëndrrave dhe shpirtit aventuresk të fëmijëve. Sepse veç peripecive dhe vështirësive, ka edhe shumë gëzim e dashuri në jetën e përditshme të Katitzit.

 

 

Check Also

Plagosje me armë zjarri në Lezhë, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Një i plagosur me armë zjarri ka mbetur në Lezhë. Autori i dyshuar Xhulio Vokrri, ka plagosur 25-vjeçarin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 6 =