Home / Kulture / “Dita e parë e xhirimit ka qenë më e frikshmja në jetë”, Yllka Mujo rrëfen “sekretet” e filmave

“Dita e parë e xhirimit ka qenë më e frikshmja në jetë”, Yllka Mujo rrëfen “sekretet” e filmave

Edhe pse Yllka Mujo e “pagëzoi” rolin e saj të parë me lot, aktrimi do të bëhej një nga gëzimet më të mëdha në jetën e saj.

Në një intervistë dhënë për emisionin “Përballë” të autores Ornela Islami, i transmetuar në “Dixhitalb”, Yllka Mujo rrëfen momentet më të rëndësishme që kanë shënjuar rrugëtimin artistik.

Kontakti i parë me skenën për Yllka Mujon ka nisur që në moshën 8-vjeçare, moment kur ajo thotë se u pranua nga Tonin Harapi si soliste dhe këngëtare në Pallatin e Pionierëve.

Ëndrra e saj për t’u bërë aktore u nxit dhe nga babai saj, i cili në rininë e hershme kishte dashur edhe vetë që të bëhej aktor, por që nuk mundi.

Ëndrrën personale të parealizuar, babai i Yllka Mujos e nxiti tek e bija, e cila e realizoi duke u bërë jo vetëm një aktore, por një nga më të suksesshmet në Shqipëri.
Në rrëfimin e saj, Yllka Mujo tregon lidhjen me skenën, kontaktin e parë me një sheshxhirim, daljen e parë përpara kamerës, peripecitë për të arritur suksesin, luajtjen përkrahë vëllait të saj në filmin “Malet me blerim mbuluar”, si dhe lidhjen personale me Donaldin, aktorin që luan rolin e Taulantit te filmi “Taulanti kërkon një motër”.

FAMILJA DHE KONTAKTI I PARË ME SKENËN

Unë vij nga dy prindër nga krahinat e Veriut, babai im ka lindur në Tuz të Malit të Zi, ndërsa nëna ka lindur në Shkodër. Babai im në rininë e tij të hershme është marrë me trupat amatore të teatrove dhe ka qenë aktor në rininë e tij. Kjo ka qenë edhe ëndrra e tij, por që nuk u kurorëzua.

Kështu që kënaqësia e prindërve të mi ishte ajo që ata nuk arritën dot në jetë ta realizonte fëmija e tyre. Babai im ishte një person me një temperament të jashtëzakonshëm dhe kur ne ishim të vegjël na ushqente me përralla. Mirëpo nuk ishte vetëm efekti i përrallës, por ishte dhe efekti i fantazisë, kështu që unë jam rritur në këtë ambient përralle. Nëna ime kishte një zë të mrekullueshëm dhe herë pas here e dëgjoja që këndonte, ishte në ëndrrat e saj kjo gjë, nuk ishte profesioni i saj. Ajo ishte rrobaqepëse shumë e talentuar. Unë aktivitetin tim e kam filluar në moshën 8 vjeçe, por deri në atë moshë më pëlqente shumë kënga. Kënga ishte motivi i jetës sime. Një mësuese muzike në shkollën “Petro Nini”, kur unë isha në 8 vjeçare, më rekomandoi të shkoja në Pallatin e Pionierëve dhe të takoja profesor Tonin Harapin.

Mua nuk m’u desh më shumë se kaq dhe një mbasdreke nisem për në Pallatin e Pionierëve. Hyra në një botë të re që nuk e kisha njohur më parë, por që menjëherë e kuptova se ajo ishte bota ime. Kështu takova profesor Toninin, i cili më mori dhe më tha: “Çfarë di të këndosh?”.

Unë i thashë: “Santa Luçian”, një këngë të cilën e këndoja nga filmat kryesisht. Filloi t’i binte pianos dhe unë fillova të këndoja, pashë një entuziazëm shumë të madh në sytë e tij, po shumë të madh dhe më tha: “Paske një zë të mrekullueshëm e këtej e tutje do të jesh një nga këngëtaret soliste të Pallatit të Pionierëve”. Kështu filloi rrugëtimi im dhe në njëfarë mënyre, kjo vendosi vulën për të ardhmen time. Unë e ndjeva që në moshën 8 vjeç se jeta ime do të ishte kënga dhe do të ishte skena.

Në atë kohë u zhvillua dhe festivali i parë për fëmijë dhe pionierë dhe unë mora çmimin e parë. Më pas në të gjitha festivalet që u zhvilluan në Tiranë mora çmimin e parë. Por problemi im nuk ishte te çmimet, por te ëndrra ime.

KONTAKTI I PARË ME SHESHIN E XHIRIMIT

Me filmin kam pasur një takim krejtësisht të rastësishëm kur kam qenë në klasën e tetë. Dëgjova se po xhirohej një film në sheshin “Avni Rustemi”, si fëmijë kurioz që kam qenë, vrapova për te sheshi. Aty shikoj për herë të parë si xhirohej një film. Ishte shumë interesante se ishte bërë një rreth i madh njerëzish dhe në mes tyre ishin kamerat dhe regjisori, që në atë kohë ishte Hysen Hakani, të cilin unë nuk e njihja. Nuk dija asgjë për to.

Në një moment ai thotë më duhen disa figurantë, shikon rreth e qark, ngulet tek unë dhe më thotë: “Do që të jesh figurante?”. “Sigurisht që dua”, i thashë unë. Unë isha me përparëse të zezë shkolle dhe bëra vetëm një zbritje të thjeshtë shkallësh, nga kuestura që ishte brenda fillimit te filmi “Njësiti gueril”. E pata me shumë emocion këtë moment të parë, pasi ishte momenti i parë që më përballi me xhirimin dhe jo me filmin.

Pastaj kur filmi është dhënë në kinema, kam vajtur nja tri herë të shikoja vetëm atë zbritjen, isha kurioze të shikoja se si dukesha. Kjo ishte përballja ime e parë me një sheshxhirim. Ndërsa me kinemanë jam njohur e vogël. Atëherë nuk ekzistonte televizori dhe ne shkonim në kinemanë e qytetit, ditëve të shtuna, kryesisht në mbrëmje, ku unë shkoja me prindërit. Ishte tamam si një festë.

FILMI I PARË: SI U PËRZGJODH NGA VIKTOR GJIKA PËR FILMIN “I TRETI NË BRONZ”

Pasi u shkëputa nga Pallati i Pionierëve, unë konkurrova në Liceun Artistik dhe fitova. Pastaj, në semestrin e dytë të vitit të parë në Liceun Artistik u propozova të luaja një film. Isha në Pallatin e Kulturës dhe shikoja një festival fëmijësh. Aty ishte një operator, i cili kalonte të gjithë fëmijët dhe vetëm mua nuk më filmonte. Mbaroi festivali dhe tamam në dalje të shkallëve të Pallatit të Kulturës, takoj Aurikën, gruan e Ilia Tërpinit, që kishte qenë udhëheqësja ime e pionierit te shkolla “Petro Nini Luarasi”.

Ndërkohë që afrohet Ilia Tërpini, që ishte pikërisht ky kameramani, dhe thotë: “Po kjo qenka shumë interesante si portret dhe si tip”. Më merr më hedh dorën në qafë dhe më thotë: “A do të ishe ti e lumtur që të luaje në një film?”.

Nuk e di, por në atë mbasdite me shi, tamam në atë moment, m’u duk sikur doli dielli. Edhe thashë: “Po, sigurisht që po, dua të luaj film!”. Kjo ishte një ëndërr që shumë ndoshta shumë herë me veten time e kam ëndërruar, kur shikoja këto filmat italofrancezë me këto aktoret e mëdha dhe të bukura. Vjen në shkollë dhe “Ti,- i thotë Zana Shuteriqit,-së bashku me Teuta Matin, hajde dhe ti Yllka”, tha në fund. Shkuam në Kinostudio, vjen regjisori i filmit Viktor Gjika, kryqëzon duart dhe i kthehet Ilia dhe i thotë: “Mirë këto të dyja, po ç’ma ke sjellë këtë picirruken këtu”. Pasi mbarova setin e fotografive, më thotë Viktori se do të më lajmëronin nëse do të fitoja. Kthehesha nga Shkodra, tek ura e vogël e Lanës takoj Lili Teshon, e cila më thotë: “A e di do të të jap një lajm, ke fituar rolin tek ‘I treti në bronz’”. E kapa Lilin hopa dhe e kam rrotulluar aty në rrugë, nuk e di se sa rrathë kam bërë me një “aaaaaaa” të madhe. Ishte në lumturi e jashtëzakonshme.

XHIRIMET E PARA, DITA MË E “FRIKSHME” NË JETËN E YLLKA MUJOS

Dita e parë e xhirimit ka qenë dita më e frikshme në jetën time. U përballa me aktorë vërtet të mëdhenj. U futa në një rreth njerëzish që ishin shumë më të rritur se unë. Viktori me duart e lidhura kryq rrinte dhe më shikonte. Sigurisht, isha më e paragjykuara nga të gjithë, pasi nuk dija asgjë nga filmi.

Por nuk ishte dita më e keqe. Ishte një moment kur Sandër Prosi vjen dhe loz me atë zogun te kafazi dhe kemi një skenë ku unë dhe vëllai im duhet të thoshim dy-tri batuta. Nuk po i bëja mirë, Viktori u përpoq një herë, dy herë, tri herë dhe më në fund e ngriti zërin fort. M’u mbushën sytë me lot dhe fillova të më rigonin lotët.

Në atë moment Sandri më shikon, hedh vështrimin nga Viktori dhe më merr mënjanë dhe më thotë: “Çfarë ke?”. Më vjen keq që nuk po arrij atë që duhet të bëj dhe nga ana tjetër jam e mërzitur dhe e tronditur se ai më bërtiti shumë fort”, i thashë unë. Më thotë Sandri: “Je e vogël, është hera e parë, ai e ngre zërin dhe na bërtet edhe neve që jemi aktorë që kemi përvojë.

Mos u mërzit fare! Tani fshiji ato lotët nga syçkat e bukura dhe futu menjëherë në xhirim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet të përballesh me këto gjëra dhe të kuptosh se kjo është jeta e një artisti. Dhe unë ëndërroj që ti të bëhesh një artiste, pasi i ke të gjitha parametrat për t’u bërë një aktore e shkëlqyer nesër”. Më ngrohu kjo gjë dhe pastaj ditët e xhirimit vazhduan.

“MALET ME BLERIM MBULUAR”- LUAJTJA NË KRAH TË VËLLAIT TË SAJ

Xhirimet shkuan jashtëzakonisht mirë. Pastaj, që të them gjënë tjetër, unë debutoja në atë film bashkë me vëllain tim, ai ishte dhe vëllai im në film. Një amalgamë e mrekullueshme dhe e shkëlqyeshme pasi ne nuk kishim nevojë ta kërkonim këtë gjë. Vëllai im e ndërpreu këtë karrierë, mbasi bëri dhe një film tjetër te “Guximtarët”, ku dhe aty ishte shumë i natyrshëm.

Filmi i Dhimitër Anagnostit ishte për mua një eksperiencë tjetër, ku unë shikoja se sa konsekuent ishte ai në punën e ve. Sepse unë kam punuar vetëm në atë film dhe nuk kam punuar në film tjetër me të. Ai film për mua mbetet një ndër filmat më të bukur të kinematografisë shqiptare.

Ai është një film autor që ti me 5 personazhe të krijosh një suspansë të tillë dhe të mbash një publik të mbërthyer gati për dy orë film, është një gjë shumë e rrallë në kinema të realizohet. Unë jam e lumtur që kam bërë pjesë në shumë filma në kinema, por ky film “Malet me blerim mbuluar”, edhe pse roli im ishte një rol i nënshtresave, pasi unë kisha shumë pak fjalë, ku figura ime bazohej kryesisht në portretin tim, më dha një mentalitet për filmin shumë më të fuqishëm se sa filmi i parë. Unë aty fillova të kuptoj se çfarë është kinemaja.

Më bëri të kuptoj që kinemaja kërkonte një intuitë të jashtëzakonshme, një vëzhgim shumë të hollësishëm dhe kryesisht një teknikë pune që truri duhet të funksiononte në mënyrë ekzakte se çfarë duhet të bëhej.

“BENI ECËN VETË”/ PASIGURITË PËR LUAJTJEN E ROLIT TË NËNËS NË MOSHËN 20-VJEÇARE

E takova Xhanfizen në një nga ato ditë. Më thotë: “Yllka do të doja shumë të luaje nënën e Benit”.

– Më fal,- i thashë unë,- po jam vetëm 20 vjeç.

Më tha: “Je shumë e përshtatshme për atë rol. Kështu që këto ditë që je në Korçë, a mund të vish të xhirojmë të paktën skenën e fshatit, se e mbarojmë”.

Shkova një ditë në Dardhë dhe xhirova pjesën kur nëna shkon takon Benin. Gjithmonë kam pikëpyetje për këtë rol, sepse duke qenë në një moshë shumë të njomë, duke pasur një moshë 20 vjeç, duke mos pasur asnjë eksperiencë të këtij karakteri, thosha nëse mund të isha dot një nënë.

Shumë përgëzime kam marrë, por brenda vetes sime kam thënë gjithmonë që po të isha pak më e pjekur, do të ishte një figurë më e arritur.

“TAULANTI KËRKON NJË MOTËR”/ LIDHJA E FORTË ME AKTORIN: SI SHPËRTHEU NË TË QARA KUR AI E QUAJTI NËNË

Takimi i parë më Donaldin ishte paksa i vështirë. Ditët e para më qëndroi pak larg. Ndoshta është impakti i parë me një aktore që do të jetë nëna jote, por që nuk është nëna jote. Raporti midis meje dhe tij u krijua në mënyrë graduale dhe pastaj nuk shqitej prej meje. I uroj të jetë mirë kudo që të jetë.

Sepse me të vërtetë që ai fëmijë me mua dhe unë me atë kemi pasur një impakt të jashtëzakonshëm. E mbaj mend që kam pasur një skenë ku duhet të qaja dhe i them Xhanfizes:

“Të lutem largohuni të gjithë pesë minuta sepse kam nevojë të përqendrohem”. Shoh Donaldin që vinte herë pas here te dera dhe që fuste kokën dhe më shihte që isha e zhytur në botën time. Erdhi një moment që u mbusha, erdhi dhe ma vendosi dorën te fytyra dhe më tha: “Mami me të vërtetë ti po qan”.

Më tha mami, aty mua më shpërthyen lotët tamam. Donaldi në atë film ka bërë një rol të mrekullueshëm. Dhe sot e kësaj dite them që ai film ka bërë me siguri në mendjen dhe psikologjinë e njerëzve të ndryshëm t’i vënë gishtin kokës se si mund të jetojë një fëmijë i vetmuar. Nëna dhe babai nuk jetojnë përherë, jeta kështu është, njeriu ka gjithmonë nevojë për një mbështetje.

LIDHJA E FORTË ME DY FËMIJËT, AMOS ZAHARIA DHE ELIA ZAHARIA ZOGU

Në jetën time si aktore, kaq shumë e angazhuar në teatër, për rrethana të caktuara, unë kam qenë e detyruar që fëmijët t’i marr me vete. Elia, duke qenë më e rritur, e ka pasur më të madh këtë shans.

Ajo vinte në të gjitha shfaqjet me mua. Ndoshta, ndoshta them se në mënyrë të pavetëdijshme fëmija futet në një botë të magjishme, sepse qoftë jeta e teatrit, qoftë jeta e filmit, kanë një dimension të ndryshëm nga jeta e përditshme.

Edhe Amosi më vonë u bë pjesë e kësaj gjëje. Më kujtohet një mbrëmje, luaja në skenë dhe ndërkohë Amosi ishte mbrapa skene. Kisha një skenë që isha pak e nervozuar, pasi ashtu e kërkonte roli, ky u tremb dhe doli në skenë duke qarë dhe tha: “Mami! Mami! Çfarë ke?”.

Asnjëherë nuk i kam joshur dhe t’u them fëmijëve që ju duhet të bëheni aktorë të dy. Amosi ka studiuar për regji filmi, por me sa duket se ata në mënyrë të pashmangshme fakti që ata kanë jetuar me mua ka ndikuar. Edhe duhet thënë që unë i kam ushqyer me shumë dashuri.

Nëse ka perëndi në tokë që fal dashuri pa kushte është pikërisht nëna. Nëna investon sepse do që fëmija ta kalojë prindin. Dashuria është dimensioni që i shpëton njerëzit nga shumë fatkeqësi, dashuria është Zoti! Unë e mbështes këtë gjë, pasi është një gjë që unë e kam jetuar. Zoti i ruajttë të gjithë fëmijët.

Fëmija është gjëja më e shtrenjtë. Unë shoh dy fëmijë të mirë te fëmijët e mi edhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Dimensioni i parë për mua është ana njerëzore dhe gjërat e tjera vijnë pastaj. Njeriu asnjëherë nuk mund të bëhet dot perfekt, është e pamundur.

Por njeriu duhet të përpiqet që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë duhet ta kërkojë inocencën në koshiencë. Duhet që ti të përpiqesh çdo ditë, çdo çast, të kthehesh në një fëmijë, sa më i lirë.

Check Also

Bota e shkrifët e Boris Vianit

Analizë e romanit “Shkuma e ditëve” Gjysma e parë e shekullit XX, në letërsi, karakterizohet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × 4 =