Home / Kryesore / DIELLI I NGROH TË GJITHË, ÇDO DRITARE SHEH DETIN

DIELLI I NGROH TË GJITHË, ÇDO DRITARE SHEH DETIN

Nga THOMA NIKA

Qeparo, 5 shtator 2020.
Po e quaj se isha në Sarandën e deri para 30 viteve.
Vini re: Relievi-i përngjashëm me Sarandën që kishim. Ndërtimet- të ngritura sipas parimit që të gjitha t’i shikojë dielli dhe të gjitha të shikojnë detin.
Thënë ndryshe: parimi i vendosjes së spektatorëve në një sallë teatri a kinemaje, ku secili, pavarësisht nga numri i radhës apo i karriges ku gjendet ulur, të gjithë shohin skenën apo ekranin.
E skena natyrale për Sarandën, ashtu si edhe për Qeparoin, është DETI.
30 vitet e fundit na japin dy modele kontraverse. Për të njëjtën arësye, një qytet humb bukurinë e ardhmërinë, ndërkohë që një fshat buzë detit, nga çdo dritare i thotë detit “mirëmëngjes”. Mjaftuan 30 vite pas ‘90-ës, për ta humbur atë Sarandë. Në të njëjtat vite, një fshat si Qeparoi u ngrit i ri, i tëri “me pamje nga deti”.
Pamja e tij është si një dritare që sheh nga jeta cilësore dhe nga zhvillimi që i përgatit vetes. Është po aq edhe një kartolinë turpëruese e madje akuzuese, për tërë ata që e zhbënë Sarandën e për të tërë ata që i lanë ta zhbëjnë.
Qeparoi i ri (pa folur për “të vjetrin” lart në mal), është edhe si një ftesë për të pushuar e relaksuar, së cilës nuk i thua dot “jo”.
Të gjithëve u sheh syri “pamje deti”. Banorë e pushues ndjehen dhe janë përfitues nga “rregulli i kinemasë”, pikërisht ai kriter urbanizues e rregull, që Saranda e kishte dhe e shkallmoi, i vuri kazmën. E shohim se si: me “grataçielat”, që nisin nga buza e ujit dhe u mohojnë det e diell, atyre që vijnë pas. Këtu e 10 vite më parë, një shtatas danez u bë rezident në Sarandë, duke u bërë pronar i një apartamenti në pallatin që gati sa nuk e prekte valën e ujit të detit. I gëzohej apartamentit të vet, sidomos në muajt më të bukur të vitit, që ka Saranda. Pranverën e dytë, jp vetëm apartamentin e tij, por tërë pallatin ku banonte, e gjeti që ia kishin rrëmbyer “pamjen nga deti”. Një shumëkatësh ishte ngulur përpara. Sigurisht, duke “prodhuar” tokë, duke mbushur detin.
Danezi rezident i Sarandës, nuk mund ta perceptonte dot atë kishte ndodhur. Ambasadori i shtetit të vet do të vinte enkas për gëzimin e ngrirë të danezit të ngulur buzë detit pa det, në Sarandë. Në takimin me kryebashkiakun e kohës, ambasadori tha: “mbushjen e detit dhe vjedhjen e pamjes së detit, duhet ta klasifikoni të barazvlefshëm me krime kundër njerëzimit”.
Kjo nuk ndodhi e nuk mund të ndodhte. E kundërta ndodhi: u rregjistruan 52 mijë m2 mbushje deti. Shkurt: ky lloj krimi u hap si vaji në lakra. Dhe Sarsnda u bë lakra…
Ndërkaq, Qeparoi çel si lule!

Check Also

Ministri i Brendshëm Lleshaj urdhër SHÇB-së për goditje krerësh të papreferuar

Arbër DALMATI- Në Policinë e Shtetit ka nisur një “gjueti shtrigash” me urdhër të brendshëm …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen − 1 =