Home / Aktualitet / Dialogu Kosovë-Serbi, flet zëdhënësi i KE: “BE s’ka interes për zvarritje, interesi është që …”

Dialogu Kosovë-Serbi, flet zëdhënësi i KE: “BE s’ka interes për zvarritje, interesi është që …”

Komisioni Evropian nuk ka pranuar të komentojë mbi deklaratat e palëve të bëra në lidhje me temat e preferuara të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

E as mbi kërcënimet e kryenegociatorit serb Marko Gjuriç se e ardhmja e afërt e këtij dialogu është në rrezik, madje edhe takimi i parashikuar i fund-muajit në nivelin e lartë politik, nëse pala kosovare nuk pranon të bisedohet për Marrëveshjen mbi Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovës, siç ndodhi gjatë dialogut të djeshëm.

Peter Stano, zëdhënës për çështjet e jashtme dhe ato të sigurisë në BE, vetëm përsëriti se Brukseli mban rolin e ndërmjetësuesit që prej rinisjes së këtij dialogu në muajin korrik, dhe se planifikon vijimin e bisedimeve në nivel ekspertësh dhe në nivelin e lartë, pa dashur të komentojë se çfarë thonë palët kur dalin nga këto takime.

Ne jemi të angazhuar të vijojmë, si me takimet në nivel ekspertësh dhe krye-negociatorësh siç ndodhi dje, njësoj dhe me ato të nivelit të lartë siç ndodhi të hënën e kaluar dhe siç e kemi lajmëruar që po punojmë ta kemi edhe një në fund të këtij muaji me presidentin dhe kryeministrin.

Roli ynë nuk është të komentojmë komentet, por të ofrojmë shërbimet tona më të mira për të kryer rolin tonë si ndërmjetësues të këtij dialogu, me më të mirën që mundemi, dhe në përfitim të të dyja palëve, pasi në fund iu takon atyre të bien dakord për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre”, u shpreh zëdhënësi i KE-së.

I pyetur nëse ka ndonjë afat të para-caktuar për përfundimin e këtij dialogu, siç përflitet në Kosovë se Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emanuel Macron kanë thënë se do duhej të përmbyllej brenda këtij viti, Stano përsëriti se BE nuk komenton mbi komentet e të tjerëve që i referohen bisedave me të tjerë njerëz apo përfaqësues, dhe se për BE-në nuk ka as caktim të afateve kohore për këtë dialog dhe as interes për t’i zvarritur gjërat, dhe se koha që do të marrë ky proces është në dorën e palëve dhe vullnetit të tyre për t’u marrë vesh.

Unë nuk do të komentoja mbi të thënat e atij përfaqësuesi nga Kosova që riformulon apo interpreton se çfarë mund të kenë thënë apo jo Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron. Për ne e rëndësishme është të mos caktojmë afate kohore artificiale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ne nuk jemi të interesuar ta zvarrisim këtë proces, dhe aq më pak sigurisht.

Interesi është që t’i ndihmojë dy palët të gjejnë një marrëveshje me zgjidhje të pranuara nga të dy, dhe eventualisht të kemi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Koha që do të marrë është në dorën e tyre pasi në fund do të kërkohet vullneti i tyre për të bërë kompromise dhe për t’u marrë vesh. Ne nuk po imponojmë asgjë në lidhje me këtë por vetëm po ndërmjetësojmë”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së nuk pranoi të përgjigjej nëse gjatë dialogut palët janë të shtrënguara të zbatojnë marrëveshjet e arritura apo nëse zbatimi pritet pas përfundimit të githë procesit, por shtoi vetëm se me rëndësi është që të vijojë ky dialog, dhe hap pas hapi, të arrihet në synimin përfundimtar për një marrëveshje mes dy palëve.

Ndërkohë nuk dihet ende kur do të mbahet takimi i radhës në nivel ekspertësh, siç u njoftua një ditë më parë, për temën e zgjidhjeve për komunitetet jo-shumicë, apo për vijimin e temës tjetër të nxehtë të pretendimeve financiare dhe pronësore mes vendeve, të cilat bënë që palët të mbanin deklarata krejt të kundërta pas përfundimit të bisedimeve të një dite më parë.

Ndërsa takimi i nivelit të lartë mes Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Hoti, siç është njoftuar, pritet të mbahet me 28 Shtator në Bruksel.

Check Also

Rama publikon videon e mjekut dhe ironizon Bashën: Ka mbaruar shkollën me pesa. Zgjohu Luli, zgjohu dreqin

Kryeministi Rama publikon një video dhe thotë se personi që kreu i PD Lulzim Basha …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 8 =