Home / Aktualitet / Deti, një “detaj” tronditës: Një takim i papublikuar i një zyrtari të MPJ shqiptare në Athinë. Çfarë depozitoi qeveria greke në OKB pak pas këtij takimi

Deti, një “detaj” tronditës: Një takim i papublikuar i një zyrtari të MPJ shqiptare në Athinë. Çfarë depozitoi qeveria greke në OKB pak pas këtij takimi

Nga Shaban Murati

Ekskluzive DITA

 

Mund të barazohet me kufijtë e skandalit fakti tronditës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendosi ta dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të ashtuquajturën “çeshtje të detit” me Greqinë, në një kohë që Greqia zyrtarisht nuk e njeh juridiksionin e kësaj Gjykate Ndërkombëtare.

Në fund të vitit 2014 gjatë vizitës së papublikuar të një zyrtari të lartë tëMPJ të Shqipërisë në Athinë në bisedimet me ministrinë e jashtme greke pala greke i sugjeroi që Shqipëria ta dërgonte “çeshtjen e detit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Greqia luante bllofin me Shqipërinë, duke qenë e bindur që diplomacia shqiptare do ta hante karremin.

Shumë shpejt pas këtij sugjerimi, në 14 janar të vitit 2015 qeveria greke depozitoi në OKB një deklaratë zyrtare me firmën e zëvëndëskryeministrit dhe ministër i jashtëm i Greqisë, Evangellos Venizellos, në të cilën njoftohej se Greqia në parim e njihte juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me përjashtim të disa çeshtjeve të rëndësishme të interesit të saj kombëtar.

Në deklaratën zyrtare greke thuhet tekstualisht:

“Qeveria e Republikës së Greqisë njeh si të detyrueshëm ipso fakto dhe pa marrëveshje të veçantë, në lidhje me çdo shtet tjetër që pranon të njejtin detyrim, në kushtet e reciprocitetit, juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me të gjitha mosmarrëveshjet juridike të referuara në nenin 36, paragrafi 2, i Statutit të Gjykatës, me përjashtim të:

– çdo mosmarrëveshje, që lidhet me aktivitetet dhe masat ushtarake të marra nga Republika Greke për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, për qëllimet e mbrojtjes kombëtare, si dhe për mbrojtjene sigurisë së saj kombëtare.

– çdo mosmarrëveshje në lidhje me kufijtë shtetërorë apo sovranitetin mbi territorin e Republikës Greke, përfshirë çdo mosmarrëveshje mbi gjërësinë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij”.

Nga një anë Greqia i sugjeronte Shqipërisë t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe nga ana tjetër bllokonte çdo kompetencë dhe juridiksion të Gjykatës Ndërkombëtare mbi çeshtjet e gjërësisë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij. Kështu Greqia apriori refuzon të njohë çdo vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që mund të favorizojë apo mundt’i japë të drejtë Shqipërisë në rastin e shqyrtimit të çeshtjeve të delimitimit të “kufijve detarë, të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive”, tema të cilat qeveria aktuale e Shqipërisë i ka paraqitur si objekt bisedimesh me Greqinë në letrën zyrtare që ministri i jashtëm socialist i ka drejtuar Presidentit të Republikës, në 12 shkurt 2018, ku i kërkon autorizimin për zhvillimin e bisedimeve me Greqinë për detin.

Përjashtimi grek i juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare don të thotë që Greqia do të pranojë vetëm atë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare që plotëson ambicjet detare të Greqisë ndaj Shqipërisë dhe që i jepë asaj pjesë të ujrave territoriale shqiptare, pjesë të shelfit kontinental shqiptar dhe pjesë të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare.

Në këtë mënyrë Greqia e ka bllokuar paraprakisht nga pikëpamja juridike çdo vendim të papëlqyeshëm për të nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe mund të pranojë vetëm atë vendim, që i zgjeron asaj hapësirat detare në dëm të Shqipërisë. Deklarata zyrtare e qeverisë së Greqisë e depozituar në OKB në 14 janar 2015 nuk njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çeshtjet detare.

Në këtë situatë juridike adresimi nga Shqipëria në këtë Gjykatë i “çeshtjes së detit” është paraprakisht i paragjykuar dhe i përcaktuar për dështim.

Nisur nga ky realitet i gjërave nuk mund të mos e quash skandal faktin që kryeministri i Shqipërisë ndërmerr një akt voluntarist dhe vendos pa lexuar dhe gjykuar dosjen “detare” që ta çojë detin shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare në një kohë që Greqia nuk njeh juridiksionin e Gjykatës dhe as vendimet e saj mbi çeshtje të gjërësisë dhe të kufijve të ujrave territoriale greke.

Kryeministri nuk ka kohë të lexojë dosjen e bisedimeve diplomatike të MPJ të Shqipërisë me MPJ të Greqisë për detin në periudhën 2008-2018, por atij nuk ia tingëlluan alarmin juridik dhe diplomatik as MPJ dhe as suvarijtë partiakë me tituj apo patituj, që rrotullon rreth vetes, dhe nuk e paralajmëruan se po ndërmerr një hap të gabuar, sepse Greqia nuk njeh autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare.

Jam i sigurt se nuk e dinin aktin zyrtar të qeverisë greke të 14 janarit 2015 gjithologët e të dy partive kryesore, që nxinë ekranet televizive duke duartrokitur vendimin e kryeministrit për ta dërguar detin e Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare. Nuk morën mundimin as të lundrojnë në vebsajtin e OKB dhe në vebsajtin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku është e publikuar letra zytare e qeverisë greke e 14 janarit 2015, që nuk njeh juridiksionin e Gjykatës për çeshtjet detare.

Në librin “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, ku analizohet për herë të parë deklarata zyrtare e qeverisë greke e 14 janarit 2015 depozituar ne OKB, kam theksuar se “Kjo do të thotë se, edhe në qoftë se Shqipëria do të ndërmarrë hapin e gabuar të shkojë individualisht në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, hapi i saj nuk do të ketë asnjë efekt juridik, sepse Greqia në mënyrë paraprake ka depozituar në OKB distancimin e shtetit grek nga kompetenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjykimin e mosmarrëveshjeve kufitare. Greqisë i duhet efekti diplomatik dhe politik i vajtjes së Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse duke vajtur atje Shqipëria do të pranonte se ekziston çeshtja e kufijve detarë të papërcaktuar me Greqinë.” (Fq.186-187)

Për të ndihmuar qeverinë dhe diplomacinë shqiptare po sjell çfarë shkruan profesori grek Efthimios Papastavridis, lektor në Universitetin e Oksfordit, në studimin e tij për Institutin e mirënjohur grek të politikës së jashtme, “Eliamep”, në 9 qershor të vitit 2020:“Greqia ka pranuar juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por përjashton mosmarrëveshjet lidhur me kufijtë shtetërorë ose sovranitetin mbi territorin e Republikës Helenike, përfshirë çdo mosmarrëveshje mbi gjërësinë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën e tij ajrore.

Përfundimisht Gjykatës Ndërkombëtare i mungon juridiksioni të adresojë çeshtjet lidhur me delimitimin e detit territorial dhe gjërësinë e tij”. Profesori grek e analizon qartë këtë mungesë juridiksioni të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shqyrtimin e mosmarrëveshjeve detare të Greqisë me shtetet fqinjë. Për pengesën e madhe të mungesës së juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Greqinë, kemi edhe analizën e “Qendrës së Studimeve Euroaziatike”, e cila në 31 gusht 2020 në portalin “avim.org” shkruan:

”Greqia ka pranuar juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por me një listë të gjatë përjashtimesh, të cilat përbëjnë thelbin. Nëpërmjet kësaj deklarate Greqia përjashton mosmarrëveshjet lidhur me gjërësinë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën e tij ajrore. Qendrimi i Greqisë e bën pothuaj tëpamundur zgjidhjene problemeve detare përmes mjeteve juridike”.

Pozicioni juridik zyrtar i Greqisë lidhur me mungesën e juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare tëDrejtësisë nëçeshtjet e delimitimi të zonave detare është një realitet juridik dhe diplomatik flagrant, që duhet ta kishte ndaluar kryeministrine Shqipërisë të vendoste për dërgimin e “çeshtjes së detit” në Gjykatën e Hagës.

Jo vetëm që çeshtja e detit është e paqenë midis dy vendeve, jo vetëm qënuk janë zhvilluar bisedime të veçanta dypalëshe për secilin zë të zonave detare, por Greqia i ka bllokuar rrugëne vendimit apo zgjidhjes në një Gjykatë Ndërkombëtare, sepse nuk njeh juridiksionin dhe autoritetin e saj.
Bllokada juridike greke me deklaratën zyrtare të 14 janarit 2015 depozituar në OKB është pengesë serioze për çdo hap, nismë apo ide të dërgimit të mosmarrëveshjeve detare me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kaq e vërtetë është kjo, sa që mungesa e juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare mbi Greqinë ka penguar dërgimin në atë Gjykatë të çeshtjes së mosmarrëveshjeve detare midis Turqisë dhe Greqisë. Në 29 dhjetor të vitit 2019 kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotaqis deklaroi se “në qoftë se Athina dhe Ankaraja nuk i zgjidhin dot mosmarrëveshjet për zonat detare, duhet t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të zgjidhur këto mosmarrëveshje”.

Por ministri i jashtëm i Turqisë Mevlut Çavushoglu, në 22 dhjetor 2019 theksoi se opsioni për ta dërguar çeshtjen e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një çeshtje për një fazë të mëvonshme, sepse “Greqia ka rezerva për juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi delimitimin e kufijve detarë”.

Pra një qeveri serioze dhe me ekspertë seriozë diplomatikë dhe juridikë, duhet të mendohet thellë dhe të tërhiqet nga dërgimi i “çeshtjes së detit” në Gjykatën Ndërkombëtar të Drejtësisë, pikërisht për shkakun madhor të mosnjohjes nga Greqia të juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare.

Ahere lind pyetja ekzistenciale se për çfarë dhe si shkon Shqipëria në Gjykatën e Hagës? Greqia e përçmoi kryeministrin shqiptar me aktin e saj të ri të zgjerimit në 12 milje të ujrave territoriale greke në detin Jon në drejtim të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama në 20 shtator 2020 deklaroi solemnisht se për zgjerimine ujrave territoriale greke në detin Jon “të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanëshme, pa marrëveshje midis tyre”. Por Athina, megjithë “marrëdhëniet e shkëlqyera”, nuk denjoi as ta pyeste e jo më të bënte marrëveshje për ekspansionin detar në detin Jon dhe në datën 3 nëntor 2020 presidentja e Greqisë nënshkroi dekretin e zgjerimit në 12 milje të ujrave territoriale greke në detin Jon, akt që po të pranohet nga qeveria e Shqipërisë do të ketë ndikimin e vet negativ në hapësirat e shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare.

Në vend që të protestonte për këtë sfidë dhe shuplakë të qeverisë greke, që ndërmerr aktine zgjerimit të ujrave territoriale në detin Jon pa marrëveshje me Shqipërinë, kryeministri shqiptar heshti dhe de facto pranoi veprimin ilegjitim të faktit të kryer grek. Heshti edhe ndaj aktit të ri armiqësor të Greqisë që në datën 6 nëntor për herë të parë në histori vendos forca ushtarake në ishullin Otonoi përballë Shqipërisë, një veprim shantazhi e presioni ndaj një shteti aleat të NATO-s dhe fqinj.

Nuk u zgjua qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë as kur departamenti amerikan i shtetit në një raport të dërguar Kongresit Amerikan në datën 11 nëntor 2020 reagoi ndaj vendimit të qeverisëgreke për zgjerimin e detit territorial dhe të hapësirës së tij ajrore. Departamenti amerikan i shtetit thekson në analizëne tij:

”SHBA njohin një hapësirë ajrore prej 6 miljesh detare, që përputhen me detin territorial. SHBA dhe Greqia nuk ndajnë të njejtën pikëpamje për zgjerimin e hapësirës ajrore të Greqisë. Greqia dhe fqinjët e saj nuk kanë rënë dakord për delimitimin e kufijve në zonat detare. Mungesa e një delimitimi don të thotë se nuk ka transparencë mbi zgjerimin e detit territorial të Greqisë dhe hapësirën koresponduese ajrore në këto zona”.

Rijetojmë tragjizmin e fenomenit historik kur integritetin tonë territorial dhe interesat tona jetike na i mbrojnë aleatë historikë si SHBA, kurse qeveritë shqiptare vetëm u nënshtrohen kërkesave dhe ambicjeve ekspansioniste të shteteve fqinjë.
Ahere për çfarëdhe përse do të shkojë Shqipëria në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur pala greke nuk e njeh as juridiksionin dhe as vendimin e asaj gjykate?

Kryeministri vazhdon t’ia fshehë popullit objektin e vajtjes në Gjykatën Ndërkombëtare dhe në mënyrë arbitrare ka vendosur ta çojë detin e Shqipërisë atje, megjithëse Greqia ia ka mbyllur portën drejtësisë së asaj gjykate që në janar të vitit 2015.Si mund të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare me një shtet, i cili nuk e njeh juridiksionin dhe autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Lexuesi duhet të vrasë mendjen se çfarë faktori grek e ka detyruar kryeministrin e Shqipërisë të shkojë në Gjykatën e Hagës si ai në dasëm, pra në humbjen interesave sovrane dhe strategjike të Shqipërisë në detin Jon.

 

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Check Also

SHBA sanksione ndaj kompanive kineze e ruse; kanë bashkëpunuar me Iranin

Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksionet ekonomike të premten ndaj kompanive kineze dhe ruse që Uashingtoni …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − seven =