Home / Editorial / DËMET MBI DEMOKRACINË AMERIKANE NGA ZHVILLIMET E 6 JANARIT

DËMET MBI DEMOKRACINË AMERIKANE NGA ZHVILLIMET E 6 JANARIT

Nga Aleksandër ÇIPA-

Këtë javë, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan votoi për të konfirmuar akuzat e ngritura për shkarkimin e presidentit Trump. Kur kishte mbetur vetëm një javë nga përfundimi i mandatit të presidentit Trump dhe inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, vendimi drastik i Dhomës së Përfaqësuesve erdhi pas nevojës për të dhënë një përgjigje të fuqishme pas ngjarjeve të 6 janarit. Por si erdhën zhvillimet e asaj dite dhe cilat ishin disa nga shkaqet e drejtpërdrejta dhe indirekte që ndikuan në atë ngjarje të jashtëzakonshme? Si do rezonojë ky event në të ardhmen e afërt të Amerikës? Çfarë pasojash dhe çfarë leksionesh do të lërë pas?

Protestat e dhunshme në kryeqytetin amerikan dhe mësymja e protestuesve mbështetës së presidentit Trump ishte, në fakt, një ngjarje e paprecedentë për demokracinë amerikane. Mjafton të kujtojmë se bastisja e fundit e Kongresit amerikan kishte ndodhur në vitin 1814 nga britanikët. Kërkesa për shkarkimin e presidentit Trump erdhi si pasojë e asaj që u konsiderua si “nxitje për kryengritje” në përpjekjen për të ndaluar çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që kurorëzuan ish-zëvëndës presidentin Joe Biden si fitues.

Por protestat dhe sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit janë vetëm kulmi i një polarizimi të skajshëm politik dhe mosbesimi të përgjithshëm të votuesve amerikanë. Fitorja e Donald Trump në vitin 2016 habiti shumicën e vëzhguesve, anketuesve dhe analistëve politikë në SHBA. Ajo çfarë ishte në fillim të saj një fitore habitëse, rezultoi të ishte dhe një manifestim i zhgënjimit të shumicës së votuesve amerikanë me kastën dhe elitën politike. Zoti Trump u pa si një lojtar i jashtëm që sillte një ndryshim limfatik në Uashington. Retorika e tij e ashpër dhe tendencat populiste mundësuan evidentimin e ndjenjave anti-sistem dhe një lloj refuzimi të politikave që dominuan tre dekadat e fundit në Amerikë dhe në botë.

Premtimet e fushatës së vitit 2016 rezultuan të ishin iluzore në një pjesë të madhe të tyre. Për më tepër, në vend që të qeveriste nëpërmjet kompromiseve dhe bashkëpunimit me palën tjetër, administrata Trump preferoi të ndiqte një politikë agresive dhe partizane. Në një pjesë të madhe të saj, kjo rezultoi në një paralizë legjislative, veçanërisht pas vitit 2018 në të cilin demokratët fituan dhe morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përtej këtij polarizimi politik që u theksua në mënyrën e qeverisjes dhe, në shumë raste, u përdor nga liderët politikë për të forcuar pozitat kundrejt mbështetësve të tyre, probleme të tjera të mbartura ndikuan te rezultati i 6 janarit.

Diferencat sociale, problematikat e thella në marrëdhëniet raciale, pabarazia ekonomike në rritje dhe, padyshim, pandemia shkatërruese COVID-19 dhe impakti i saj ndërtuan dhe thelluan diferencat politike. Nga ana tjetër, fenomene të tilla si lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit, të cilat, përforcuar nga zhvillimet e epokës dixhitale dhe të rrjeteve sociale, morën një vrull të ri në periudhën e pandemisë.

Në këto kushte, vendimi i presidentit Trump për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit të shkuar ndikoi në ushqimin e një paranoje në një pjesë të mbështetësve të tij më të flaktë. Një pjesë e madhe e republikanëve në Kongres, kryesisht në Dhomën e Përfaqësuesve, paralajmëruan se do të kontestonin çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Teoritë e konspiracionit në lidhje me mundësitë e krimit elektoral në zgjedhjet presidenciale shërbyen për delegjitimimin e presidentit të zgjedhur Biden.

Në një sens më të gjerë, në perceptimin e këtij grupi besnikësh të presidentit Trump, të gjitha këto elemente shërbyen si delegjitimim i vetë demokracisë dhe proceseve jetësore të saj. Pikërisht në ditën e çertifikimit të rezultatit, pamjet shokuese të mësymjes në Kapitol të një fraksioni të pjesëmarrësve në mitingun, ku nuk mungoi dhe vetë presidenti Trump, ishin kulmi i këtyre zhvillimeve.

Aprovimi i akuzave për shkarkimin e presidentit Trump, vetëm pak ditë përpara largimit të tij të pritshëm nga Shtëpia e Bardhë, do të shenjojë pashmangshmërisht perceptimin e presidencës së tij dhe do të hedhë dritë negative edhe mbi pjesën e suksesshme të disa prej politikave të tij (kryesisht ato ekonomike). Megjithatë, më shumë se sa shikimi pas, rëndësi ka se çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Në datën 20 janar, Joe Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Për fat të keq, gjasat janë që polarizimi politik të vazhdojë të dominojnë politikëbërjen amerikane dhe tejkalimi i fenomeneve negative do të kërkojë shumë përgjegjshmëri dhe lidership nga klasa politike amerikane e të dyja kaheve.

Zhvillimet e javës së shkuar, pavarësisht të gjithave, lanë pas dhe disa tregues shumë të rëndësishëm pozitivë. Pavarësisht presioneve të shumta dhe ngjarjeve anormale në Uashington, institucionet amerikane, mbi të gjitha gjyqësori dhe agjensitë e sigurisë kombëtare, shpërfaqën qëndrueshmëri dhe integritet të jashtëzakonshëm. Pavarësisht ndasive, ngjarjet e dhunshme u dënuan gati unanimisht në Kongres.

Pikëpyetje të mëdha peshuan mbi Shtetet e Bashkuara, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga vëzhguesit e jashtëm. Gjasat janë që një skepticizëm i madh të vazhdojë të karakterizojë një pjesë të tyre edhe në muajt në vazhdim. Demokracia amerikane do të duhet t’i provojë, si fillim vetvetes, aftësinë ripërtërise të saj dhe njëkohësisht i duhet të shembë perceptimin negativ ndërkombëtar që imponuan ngjarjet që pasojnë rotacionin presidencial.

 

Check Also

NUK MERITOHET MANDATI I TRETË VETËM ME “QINDARK-VAKSINAT”

Nga Xhovan SHYTI – Një tjetër shfaqje demagogjike na ka dhuruar Kryeministri ynë, që prej …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen + 3 =