Home / Opinion / Dashuria “hyjnore” e shqiptarëve për njerëzit me lekë!

Dashuria “hyjnore” e shqiptarëve për njerëzit me lekë!

Nga Besi BEKTESHI-

Ku kishte emision më të “bukur” se sa ai i Fevziut me arabin multimiliarder, i cili do të ndërtojë “Marinën e Durrësit” dhe gazetari po shkonte t’i bënte një intervistë që nuk “kuptohej fare” se i shërbente qëllimit në fjalë. Po, po i bënte mirë zhvillimit kapitalist në Shqipëri dhe përfitimit dy palësh si të miliarderit dhe sikundër doli në emision – shqiptarëve. Por mua më tërhoqën shumë gjestet e gazetarit përpara “thjeshtësisë” së një miliarderi që kishte nënën e pashkolluar, por që një herë të vetme kishte bërë gabim, që nuk e kishte dëgjuar kur i kishte thënë: bir mos shko shumë larg dhe e kishte pasur fjalën për Amerikën. Ose habinë e shfaqur me “respekt dhembshurie” kur miliarderi i thoshte ishim 14 fëmijë. Por akoma më shumë dhe tani po hyj në temë – pasionin e gazetarit, kur pyeste “sa miliardë, sa ka kushtuar” kjo, apo ajo. E pastaj përgjigjet me një thjeshtësi miliarderësh “kjo 15 miliardë, kjo tjetra 14 miliardë, ajo 10 miliardë”. E gazetari që ngazëllehej nga shifrat (i pasur dhe vetë) e pyeste, po në Serbi, po në Shqipëri dhe “kush ka për të qënë projekti më i shtrenjtë në Ballkan”? Po shikoja një pasion dashurie për njeriun e pasur dhe nuk kishte një dalje gazetareske për bamirësinë, për shpikje apo për punësim dhe raport të parave mbi këto gjëra. Jo thjesht luks, pasuri dhe biles – nuk ishin bërë as nga nafta e atij vendi. Një dashuri për njerëzit që kishte shumë pak kohë që kishin punuar për t’u pasuruar dhe kishin bërë qytet ëndrrash dhe qejfi me paratë e tyre. Nuk kisha përpara një të pasur që kishte dhënë punë të përhershme mijëra e mijëra njerëzve në linja prodhimi dhe nuk kisha përballë një të pasur që kishte pasuri për t’u dhënë për bamirësi apo dhe fondacione, por një të pasur me para plot që ndërtonte e ndërtonte për turizëm dhe pushime ku derdhet paraja lumë. Gjithsesi dhe kjo punë e sukses është, por qartësisht ky ishte njeriu i madh dhe i suksesshëm që gazetarin po shikonte me shumë pasion. Ishte një reklamë te populli shqiptar, me anën e një emisioni të ndjekur për një njeri, që qeveria e ka përzgjedhur (gjetur) të ndërtojë “Marinën e Durrësit”. Por unë e kam fjalën për “cilësinë” e shqiptarëve të dashurohen dhe këtë dashuri ta kenë “hyjnore” për njerëzit që kanë lekë. Jo jo nuk ka rëndësi që të jenë industrialistë që t’i punësojnë dhe japin pagën (ndoshta këto i kanë inat), e kam fjalën për njerëz që kanë lek të shumtë dhe mburren me to. E kam fjalën se një pjesë e mirë e kësaj shoqërie parapëlqejnë t’i shkojnë në varrim me shumicë një gangsteri që vdes nga plumbat e konkurrentëve, por që kishte para cash dhe i demonstronte me arrogancë se sa një profesori që iu ka mësuar fëmijët në shkollë. Njerëzit e cash-it në Shqipëri kanë pasur gjithmonë respektin e saj (shumicës së shoqërisë) që nga koha e pushtimit turk dhe u forcuar akoma më shumë mbas viteve 1990-të. Dashuria hyjnore e shqiptarit, besimi i tij për Rrapush Xhaferin, shefin e Vefa-s, Suden dhe të tjerët me radhë, i bëri të humbin 1. 4 miliardë dollarë dhe dogjën pastaj Shqipërinë. I adhuronin si të ishin perëndi. Iu besonin si të ishin perëndi. Shitën shtëpi dhe katandi se deshën të bëheshin njerëz me lek, si Rrapush Xhaferri. Nuk kishin respekt dhe dashuri se po punësonin, se po prodhonin, se po shpiknin apo se po ndihmonin. Jo kishin adhurim se ishin “njerëz me lekë”. I demonstronin paratë me një arrogancë që shqiptarin (një pjesë të mirë të shoqërisë) e bënë servil dhe të përkulur deri ku nuk mban më. Pastaj adhuruan politikanët e pasur dhe njerëzit e biznesit të futur në politikë, por që ishin të pasur. Nuk ka rëndësi për shumicën e shqiptarëve se si është bërë i pasur një gangster pastaj dhe politikan, mjafton që ai tregon se ka para dhe këtu merr fund dhe dyshimi i shqiptarit. Po, për shumicën e një shoqërie para urbane “njeriu me lekë” është dhe i bukur dhe i drejtë dhe me një negativitet të jashtëzakonshëm ideor – i ndershëm. Kjo shoqëri në shumicë justifikon te njerëzit me lekë dhe vrasjen dhe kontrabandën dhe arrogancën në grabitje dhe sidomos injorancën e qartë të tyre. Një shumicë e madhe e tyre e përfunduar dhe afër politikës ose brenda saj, janë injorantë të plotë dhe paranë e kanë bërë me krim dhe kjo shoqëri iu thotë “bravo” sepse ata janë njerëz me lekë. Prandaj ky moment i bën të respektueshëm. Kjo dashuri hyjnore, ky mentalitet që çon njeriun me lekë, afër “Zotit” dhe e bën një “bamirës” kur ai ka plaçkitur, ka bërë krime dhe ka shfrytëzuar evazionin apo dhe korrupsionin, ka sjellë dhe arrogancën e tyre pa krahasim me vendet fqinje. Kaq shumë ka të tillë që pjesa më e madhe e shoqërisë i pëlqen sa që shoqëritë e veprimtarisë së mafieve në Itali në zonat e jugut – duhet ta kenë zili dhe për vitet 60-të në tokat e tyre. Po janë më shumë dhe veprojnë akoma më shumë. Mirëpo pikërisht këtë zakon të kësaj shoqërie e cila është adhuruese dhe e pasionuar për njerëzit me lekë, e kanë pothuaj të gjithë kryeministrat dhe klasa politike në Shqipëri. Sidomos ky i fundit. E kanë kuptuar se me çfarë shoqërie kanë të bëjnë poshtë dhe kjo i ka bërë të jenë arrogantë në veprimin e tyre bashkëpunues me të tillë rrondokopë të pasur deri në lartësi të mëdha politike. Urrejnë njerëz dhe bashkime njerëzish me parime dhe adhurojnë të pasur plot me lek, “burra me lek shumë” të cilët nuk dinë se kush është morali, kush janë parimet dhe kush është shteti dhe kombi. Që janë realisht vetëm për vete dhe për të dashurat e tyre. Po dinë vetëm paratë e tyre. Po që nuk ndalen përpara asnjë lloj krimi dhe faji, mjafton të fitojnë. Të tillë njerëz të pasur me lekë, “burra që kanë lekë” janë dhe dashuria e Ramës. Ai i adhuron dhe i ka adhuruar dhe dikur. Biles nja dy i ka larguar nga partia kur më përpara ishte i lumtur t’i dëgjonte. Por sot ka plot dhe të rinj njerëz me lek dhe iu jep dhe tendera. Por nuk është faji i tij. Jo ai ka vetëm pjesën e vet. Kurse kjo shoqëri ka pjesën e luanit në faj. Kjo shoqëri dashuron njerëzit me lek dhe pastaj bën kompromise krimi me to. Po dhe i voton me shumicë. Po pra në dëm të saj dhe fitore të korrupsionit dhe shtetit të degraduar ligjor dhe ekonomik. Absolutisht me ndihmën e politikës. E kjo është një fatkeqësi.

Check Also

Barazia sociale e Jonës dhe privilegji i Shkodrës me Ramën!

Nga Besi BEKTESHI – Te deputeti që duam i PS-së, apo më mirë të them …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen + six =