Home / Investigim / Damian Gjiknuri i “krimbur” në pasuri, por me burime të dyshimta

Damian Gjiknuri i “krimbur” në pasuri, por me burime të dyshimta

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri deklaron pasuri familjare me vlerë 93.8 milionë lekë, por rezulton me burime të pamjaftueshme të deklaruara përgjatë dy viteve të karrierës.

Damian Gjiknuri u bë pjesë e kabinetit të kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 si ministër i Energjetikës dhe Industrisë dhe mori portofolin e ministrisë së Infrastrukturës në vitin 2017. Gjiknuri u largua nga qeveria në dhjetor 2018, si pjesë e riformatimit të qeverisë pas protestave studentore…

Përpara zgjedhjes si deputet në vitin 2009, Gjiknuri ka punuar si drejtues i një zyre ligjore dhe këshilltar ligjor për reformat rregullatore ekonomike në vend dhe rajon, financuar nga BE, USAID, GTZ, etj.

Ky raport u prodhua nga rrjeti investigativ ballkanik “BIRN” pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës për anëtarët e Këshillit të Ministrave për vitet 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministri Damian Gjiknuri nga viti 2005 deri në fund të vitit 2018.

Skeda e pasurisë së deklaruar nga ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri për vitet 2005-2018.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2005, Damian Gjiknuri deklaronte pasuri me vlerë 16.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është rritur mbi 5 herë, duke kapur vlerën e 93.8 milionë lekëve.

Z.Gjiknuri zotëron familjaisht pasuri të patundshme me vlerë 55.3 milionë lekë, likujditete bankare prej 28.1 milionë lekësh, automjete me vlerë 7 milionë lekë si dhe kursime cash prej 1 milion lekësh. Bashkëshortja e z.Gjiknuri zotëron gjithashtu pjesë në kapital prej 133 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 56.8 milionë lekë, ku zërin kryesor e zë aktiviteti privat i bashkëshortes me gati 43%. Paga nga funksionet e z.Gjiknuri zë 30%, pagat e familjarëve 23% dhe të ardhurat nga interesat bankare rreth 3%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.

Damian Gjiknuri ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2005 dhe pas një shkëputjeje disa-vjeçare, është rikthyer në deklarim në vitin 2010 si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vitin 2010, ai deklaron pasuri të shtuar prej 40.9 milionë lekësh, por për shkak të të ardhurave të pjesshme të deklaruara për periudhën, rezulton me mangësi burimesh në vlerën e 35 milionë lekëve.

Gjithashtu në vitin 2018, subjekti rezulton me mungesë burimesh të deklaruara për shtesën e pasurisë në vlerën e 1.1 milionë lekëve. Në të dyja rastet nuk janë përfshirë në analizë shpenzimet vjetore për konsum jetik.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” mospërputhjet për vlerën e një apartamenti dhe një hua të dhënë si dhe detyrimet ndaj një kompanie ndërtimi.

Në vitin 2005, Z.Gjiknuri deklaron një apartament banimi me sipërfaqe 151 m2 dhe me vlerë prej 5 milionë lekësh, ndërsa në vitin 2010, i njëjti apartament deklarohet në vlerën e 7 milionë lekëve.

Në vitin 2010, Z.Gjiknuri deklaron huadhënie nga ana e bashkëshortes me vlerë 24 mijë euro, të cilat i kthehen në vitet në vazhdim në një vlerë totale prej 27.500 eurosh, ndaj nuk është e qartë nëse bëhet fjalë vetëm për huanë e vitit 2010 apo edhe shuma të tjera.

Në vitin 2016, Z.Gjiknuri deklaron lidhjen e një kontrate porosie për një apartament me sipërfaqe 199,5 m2 me çmim 271,450 euro, nga i cili paguan një këst prej 100 mijë eurosh me burim kredinë bankare. Në vitin 2018, ai deklaron se ka shlyer edhe 35 mijë euro ndaj kompanisë së ndërtimit dhe mbetet ende si detyrim vlera prej 136,450 eurosh./ Reporter.al/

Check Also

Moti, 26 shkurt 2021

Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira mesatare dhe të dendura. Parashikohen reshje shiu në veri …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × one =