Home / Aktualitet / COVID dhe mbipesha, ja çfarë duhet të dini përpara se të jetë vonë

COVID dhe mbipesha, ja çfarë duhet të dini përpara se të jetë vonë

Sipas një studimi të ri, shumica e vdekjeve nga COVID-19 kanë qenë në vendet me një përqindje të lartë të obeziteti.

Sipas studimit, vdekshmëria nga koronavirusi ka qenë 10 herë më e lartë në vendet ku të paktën 50% e të rriturve janë mbipeshë.

Raporti, i cili flet për një lidhje “dramatike” midis niveleve të vdekjes nga COVID-19 dhe mbipeshës, zbulon se 90% ose 2.2 milion nga 2.5 milion vdekjeve gjithsej nga pandemia deri më sot kanë qenë në vendet me nivele të larta mbipeshe.

Studimi analizon shifrat e vdekshmërisë të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara dhe të dhënat e Observatorit Global të Shëndetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mbipeshën.

Është e habitshme, thanë autorët, se nuk ekziston asnjë shembull i një vendi me një popullsi përgjithësisht jo mbipeshë, që të ketë nivele të larta vdekjesh nga COVID-19.

“Shihni vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, ku ka nivele shumë të ulëta të vdekjeve nga COVID-19, si dhe nivele shumë të ulëta të mbipeshes tek të rriturit,” tha Tim Lobstein, këshilltar ekspert i Federatës Botërore për Obezitetin dhe profesor në Universitetin e Sidneit në Australi, i cili bashkë-drejtoi studimin.

“Këto vende i kanë dhënë përparësi shëndetit publik me një seri masash, duke përfshirë uljen e peshës tek popullata, dhe kjo ia ka vlejtur në një rast si pandemia,” tha ai.

Në kontrast me këtë, raporti nxjerr se në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, për shembull, që të dy vende me nivele të larta nga COVID-19, janë gjithashtu edhe nivelet ndër më të lartat përsa i përket mbipeshës.

Mbretëria e Bashkuar ka nivelin e tretë më të lartë të vdekjeve në botë nga koronavirusi dhe nivelin e katërt më të lartë të mbipeshës – 184 vdekje nga COVID-19 për 100,000 banorë dhe 63,7% e të rriturve mbipeshë, sipas të dhënave të OBSH.

Ajo ndiqet nga Shtetet e Bashkuara, me 152.49 vdekje për 100,000 banorë dhe 67,9% e të rriturve mbipeshë.

John Wilding, profesor i mjekësisë në Universitetin e Liverpulit dhe president i Federatës Botërore për Obezitetin, tha se mbipesha duhet të njihet si një rrezik kryesor për COVID-19 dhe të merret parasysh në planet e vaksinimit.

“Është me shumë rëndësi që ne të pranojmë se mbipesha … rrit rrezikun,” tha ai në një deklaratë në lidhje me përfundimet e raportit. “Prandaj, ashtu si sëmundjet e tjera si diabeti apo ato kardiovaskulare, njerëzit me mbipeshë duhet të shihen për përparësi në programet e vaksinimit kudo në botë.”/voa

Check Also

Brenda burgut ku po mbahet ish-polici që vrau George Floyd

Ish-polici që vrau George Floyd po mbahet në një burg të sigurisë së lartë, ndërkohë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 3 =