Home / Analize / Çmimi që paguan Kosova

Çmimi që paguan Kosova

Po shihet suksesi i madh i delegacionit kosovar në Washington: pas kthimit në Prishtinë, Kosova e vogël, e varfër dhe e pafuqishme – falë paaftësisë së klasës së korruptuar politike – është bërë “top loje” në fushatën elektorale amerikane.

Ithtarët e Donald Trumpit po përpiqen që “marrëveshjen” e nënshkruar ta komercializojnë për beteja të ndyra elektorale duke brohoritur: Joe Bideni e ka bombarduar Beogradin, ndërsa Trumpi po e sjell normalizimin. Kështu, për herë të parë pas 20 vitesh, qarqe republikane po përpiqen ta delegjitimojnë çlirimin e Kosovës nga Amerika më 1999. Një përshkrim në 10 pika i diplomacisë boshe.

Në aleancë me propagandistët (para)politikë lokalë, Richard Grenelli ndikoi që:

1) të rrëzohet qeveria legjitime në mes të pandemisë më të rrezikshme që është ballafaquar Kosova dhe bota në dekadat e fundit

2) të dëmtohen marrëdhëniet e SHBA-së me Berlinin dhe Parisin, që ishin kundër rrëzimit të qeverisë së Kosovës dhe për këtë iu drejtuan LDK-së, e cila s’deshi të dëgjojë

3) të thellohen keqkuptimet mes europianëve dhe amerikanëve, të cilët në tri dekadat e fundit në Ballkan kanë vepruar bashkë për të stabilizuar rajonin

4) Grenell e shtyri Donald Trump Jr. (të birin e Trumpit) të kërcënohet me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

5) në këtë atmosferë të krijuar nga diplomacia amatoreske e Grenellit edhe republikanë të tjerë kërkuan tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

6) nga procesi i negociatave për të arritur marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë Grenell përjashtoi diplomatët me përvojë në Ballkan, të cilët tani mbajnë pozita të larta në Departamentin e Shtetit. Në ceremoninë e nënshkrimit – për aq sa u pa – nuk ishin: Philip T. Reeker, i cili ka një përvojë të gjatë në Ballkan (mes tjerash ambasador në Shkup); Matthew A. Palmer, i cili ka shërbyer edhe në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd dhe është Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Nuk ishte në ceremoninë e nënshkrimit ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett. Për herë të fundit Kosnett ka postuar në Twitter më 30 gusht (zbulimi i bustit të Bob Dole në Prishtinë). Kosnett, diplomat me përvojë, nuk e ka thënë asnjë fjalë për marrëveshjen e arritur nga Grenell. Dhe kjo heshtje flet shumë

7) ndërsa me dekada republikanët dhe demokratët në SHBA kanë mbajtur qëndrime pothuaj identike pro çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës, tani situata është krejt ndryshe. Ka thirrje për tërheqjen e trupave nga Kosova nga disa republikanë militantë dhe ka përpjekje për të rrotulluar historinë sa i përket intervenimit të NATO-s më 1999. Këto ditë Newt Gingrich, njëri prej republikanëve me ndikim dhe mik i Donald Trumpit (gruan e Gingrich Trump e ka bërë ambasadore në Vatikan), akuzoi Joe Bidenin se ka qenë prijës në bombardimin e Beogradit, përfshirë edhe goditjen e gazetarëve civilë, ndërsa Trump, sipas Gingrich, arriti atë që s’mund të merrej me mend: “normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”.

Natyrisht që kjo nuk është e vërtetë, siç nuk mund të thuhet se bombardimi i televizionit serb RTS nga NATO është goditje gazetarësh civilë, sepse RTS është ende shtab lufte, por Kosova tashmë symbyllur ka hyrë në fushatën elektorale amerikane dhe nuk duhet të çuditet më nga befasi të tilla. Revista konservatore “Washington Examiner”, për shembull, doli me një artikull, ku Biden sulmohet, sepse paskësh bombarduar Beogradin, ndërsa Trump lavdërohet, ngase tash e solli normalizimin mes Kosovës e Serbisë.

Po shihet suksesi i madh i delegacionit kosovar në Washington: pas kthimit në Prishtinë, Kosova e vogël, e varfër dhe e pafuqishme – falë paaftësisë së klasës së korruptuar politike – është bërë “top loje” në fushatën elektorale amerikane. Ithtarët e Donald Trumpit po përpiqen që “marrëveshjen” e nënshkruar ta komercializojnë për beteja të ndyra elektorale. Kështu, për herë të parë pas 20 vitesh, qarqe republikane po përpiqen ta delegjitimojnë çlirimin e Kosovës nga Amerika më 1999.

Me këso rrëfimesh njolloset angazhimi i presidentit George Bush, i cili me “kërcënimin e Krishtlindjeve” të vitit 1992 ia tregoi vijën e kuqe diktatorit serb Sllobodan Millosheviq nëse e sulmon Kosovën. Me këso rrëfimesh njolloset angazhimi shumëvjeçar i ambasadorit John McCain për lirinë e Kosovës. Me këso rrëfimesh njolloset puna e presidentit George W. Bush, i cili më 2007, në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, gjatë vizitës në Shqipëri tha qartë: Kosova do të jetë e pavarur!

8) Grenell flet orë e çast për ekonominë dhe për krijimin e vendeve të punës, por a ka folur ndonjëherë me ton kritik kundër sistemit kleptokratik në Kosovë a Serbi? A ka folur kundër korrupsionit? A ka deklaruar se dëshiron qeverisje të mirë? A ka thënë se kundërshton nepotizmin? Duhet krahasuar deklaratat e ambasadorit Kosnett me ato të Grenellit. Kosnett flet kundër fenomeneve që e mbajnë peng shoqërinë kosovare.

9) ndërsa Grenell me asnjë fjalë nuk e përmend njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Matthew A. Palmer para një muaji tha se në formën e saj ideale marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet të çojë në njohjen e ndërsjellë. A mos është kjo arsyeja që Grenell e përjashtoi Departamentin e Shtetit nga procesi? Dihej se kryetari serb do të kundërshtonte pikën për njohjen e Kosovës dhe për këtë atij duhej bërë presion të madh. Grenell nuk kishte kohë për presion, as interes me gjasë, atij i duhej një marrëveshje sa për sy e faqe, që shefi i tij të ketë diçka për të shkruar në Twitter. (Çka të thuhet për kryeministrin e Kosovës?

Ai është aq i talentuar në negociata, saqë në parlament dhe në studio televizive në Prishtinë përbetohet se në Washington nuk do të flasë për asgjë tjetër përveç se për njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia dhe se asnjëherë nuk do ta pranojë Mini-Schengenin, por nga Washingtoni e sjell pikërisht Mini-Schengenin dhe asnjë shkronjë për njohjen e Kosovës nga Serbia. Shkon në Washington për të mbrojtur kinse resurset e Kosovës dhe kthehet me premtimin se Serbia do të bëhet hisedare në Liqenin e Ujmanit.

Ka qenë e mundur që palës amerikane t’i thuhet së paku kjo: mirë, meqë Ujmani shtrihet në të dy shtetet, jemi për bashkëpunim, por këtë mund ta bëjmë në nivel shtetesh të barabarta, pas njohjes së Kosovës nga Serbia dhe për këtë ekziston modeli: hidrocentrali i Gjerdapit në kufirin serbo-rumun. Por kush ta thotë këtë? Ata që e morën pushtetin me votën e mesnatës?)

10) në vend se me Kosovën të merren diplomatë me përvojë, kamarilla parapolitike e Kosovës e prirë nga Hashim Thaçi iu vardis lobistëve apo amatorëve rreth Trumpit. (Arsyet e vardisjes kishin të bënin kryesisht me hallet personale të Thaçit me Gjykatën Speciale. E rolin e pazarxhiut Thaçit ia ka dhënë LDK. Kjo është merita e saj historike. Meritë e errët). Tash me Kosovën merren Richard Grenelli dhe Avi Berkowitz, i cili u lind më 1988, ndërsa kur intervenoi NATO ishte në shkollë fillore dhe ekziston rreziku ta ngatërrojë Kosovën me ndonjë lagje palestineze që synojnë ta pushtojnë kolonët izraelitë.

Palmer duket si i shmangur nga procesi. Ia vlen të sjellim këtu një pjesë nga fjalimi i Palmerit që më 2019 e mbajti në Prishtinë: “Më vjen mirë që jam sërish në Prishtinë. (…) Si zyrtar më i ri i Shërbimit të Punëve të Jashtme, i caktuar në Beograd para gjysmë shekulli, rregullisht vizitoja Prishtinën ku takohesha me Dr. Rugovën dhe me mendimtarët e tjerë kryesorë – njerëz të guximshëm të komunitetit shqiptar të Kosovës që i bënin ballë ndjekjeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke rrezikuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të veta për të siguruar të ardhme më të mirë”. Jo më larg se vitin e kaluar Palmer ankohej se: “Bisedimet nganjëherë kanë pasur mungesë transparence dhe njerëzit me të drejtë janë të uritur për ndryshime, me të drejtë janë të shqetësuar me çështjet themelore si korrupsioni dhe vendet e punës”.

Palmer shtonte: “Serbia ka qenë agresive në përpjekjet e saj për delegjitimimin e Kosovës. (…) Presidenti Vuçiq dhe pjesa më e madhe e Serbisë e dinë se Serbia kurrë nuk do të hyjë në BE nëse nuk e zgjidh kontestin e kahmotshëm me Kosovën. Përderisa zërat e tjerë prijës në Serbi refuzojnë ta pranojnë Kosovën si fqinje, por e shohin si pronë, atëherë do të ketë ngecje, nga e cila Serbia humbet politikisht edhe ekonomikisht”.

Tash situata është ndryshe, nuk ka kërkesa për njohje të Kosovës nga Shtëpia e Bardhë. Shpresa e vetme është që më 3 nëntor për të mirën e Amerikës dhe botës presidenti erratik të hyjë në histori si aksident i demokracisë amerikane. Në Kosovë, ndërkaq, sa më shpejt duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre. Vullnetin për ndryshim qytetarët e shprehën më 6 tetor 2019, por ndërkohë ky vullnet u deformua egërsisht nga LDK si parti patericë e sistemit korruptiv dhe kriminal, me të cilin nuk dëshiron të ketë punë askush në Europën Perëndimore./Koha.net/

Check Also

PAMJE SHOKUESE PAS CIKLONIT “LANOS” NË GREQI/ Shihni si dhjetëra makina fundosen mes gurëve e baltës (FOTOT)

Imazhet që tregojnë skena gati apokaliptike vijnë nga Assos, në në ishullin Kefalonia të Greqisë. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × four =