Home / Kryesore / “ÇIPIZIMI” I HAPËSIRËS PUBLIKE

“ÇIPIZIMI” I HAPËSIRËS PUBLIKE

Dekonstruktimi i këtyre teorive të komplotit, i “çipizimit” në hapësirën publike nëpërmjet mendimit shkencor mbetet imperativi më i madh në këtë kohë kur virusi është i pranishëm dhe kur përhapja e tij gjithnjë e më tepër po rrezikon njerëzit. Krijimi i një perceptimi real mbi praninë dhe rrezikun nga virusi mundëson që të ketë një respektim shumë më të madh të masave, që realisht edhe pamundëson infektime të njerëzve. 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Kërcënimi që vjen nga Covid 19 jo gjithmonë është kuptuar me seriozitet të plotë. Gjatë kohës sa zgjatë pandemia duket se janë krijuar dy taborë njerëzish, njëri tabor që beson në virusin dhe një tabor tjetër që për shumë arsye e ka neglizhuar ekzistencën e tij, duke e ndërlidhur atë me lloj-lloj teorish konspirative. Nëse gjatë fillimit të pandemisë kujdesi ishte shumë më i madh dhe respektimi i masave ishte në nivele shumë më të larta, me kalimin e kohës virusi filloi të neglizhohet, ndërkohë që po rritej numri it ë infektuarve.

Në hapësirën publike me kalimin e kohës filloi të injektohet një lloj dyshimi i pabazuar që ndërlidhej me teorinë e konspiracionit se virusi ka të bëjë me marrjen e vaksinës nga njerëzit dhe bashkë me këtë edhe futjen në trupin e njeriut të një “çipi” që do t’i kontrollonte në forma të pashpjegueshme. Realisht çipizimi i hapësirës publike po bëhej nga media të papërgjegjshme, që në masë të madhe po shpërndanin lajme të rrejshme pikërisht për këtë teori konspiracioni që tashmë po ndikonte edhe në sjelljen e njerëzve, gjegjësisht në refuzimin e tyre për të respektuar masat dhe për ta perceptuar virusin si një “pakt” të fuqive misterioze që kërkonin kontroll.

Në një situatë të këtillë të injektimit të skajshëm me këtë teori konspiracioni dhe teori tjera në hapësirën publike te një numër i madh njerëzish filloi të formësohet një perceptim krejtësisht i gabuar mbi mospraninë e virusit. Në mungesë të një edukimi mediatik, shumë njerëz brenda kohës kishin rënë pre e lajmeve të rreme, e teorive të komplotit dhe e gjithë asaj që nënkupton perceptim joreal i një situate. Dukej se informacioni i drejtë dhe shkencor po e humbte betejën me teoritë e komplotit, ndërkohë që në rrafshin shoqëror dhe institucional, në rrafshin e jetës së përditshme, njerëzit po e humbnin betejën me virusin korona.

Por, me kalimin e kohës dukej se prania gjithnjë e më e madhe e infektimeve, rritja e rasteve të të infektuarve me virusin, tashmë po krijonte një perceptim krejtësisht tjetër mbi natyrën e komplikuar të virusit, por edhe mbi rrezikun që ky virus kishte mbi jetën njerëzore. Megjithatë, idetë e teorive të ndryshme të komplotit, sidomos ideja e “çipeve” të famshme të kontrollit nuk janë davaritur deri në fund. Pikërisht, ky çipizim i hapësirës publike që pop o shfaqej si një lloj perceptimi anti shkencë po krijonte një situatë të komplikuar për menaxhimin me pandeminë, një hapësirë të kontaminuar papërgjegjësie që lejonte përhapjen e lehtë të virusit ndër njerëzit.

Ky çipizim i hapësirës publike akoma nuk ka marrë fund, ndërkohë që kërkohet një vetëdije shumë më e madhe për ta perceptuar realisht praninë e virusit dhe për ta parandaluar kështu përhapjen e mëtutjeshme të tij. Pikërisht, ky mosbesim, kjo neglizhencë ndaj ekzistencës së virusit, krijon “tokën e pëlleshme” për infektime të vazhdueshme.

Mbetet shumë e nevojshme që në hapësirën publike të zë vendin e merituar mendimi shkencor, ndërkohë që në të gjitha format do të duhet të punohet për ngritjen e vetëdijes së njerëzve mbi rrezikun real që vjen si kanosje vdekjeprurëse nga virusi korona. Edhe pse tashmë ka një perceptim më real mbi virusin, në hapësirën publike akoma qarkullon ideja e “çipizimit”, që e bënë të vështirë betejën kundër Covid 19. Dekonstruktimi i këtyre teorive të komplotit, i “çipizimit” në hapësirën publike nëpërmjet mendimit shkencor mbetet imperativi më i madh në këtë kohë kur virusi është i pranishëm dhe kur përhapja e tij gjithnjë e më tepër po rrezikon njerëzit. Krijimi i një perceptimi real mbi praninë dhe rrezikun nga virusi mundëson që të ketë një respektim shumë më të madh të masave, që realisht edhe pamundëson infektime të njerëzve.

Në këtë drejtim tashmë kërkohet një sensibilizim shumë më i madh nga të gjithë aktorët institucional dhe shoqëror, nga gjithë ajo që nënkupton botë shkencore e që ndërlidhet me ngritje e vetëdijes në radhë të parë mbi rrezikun fatal të virusit dhe respektimit të masave për të parandaluar infektimet. Hapësira publike kërkon mendim të verifikuar shkencor dhe jo teori që stimulojnë papërgjegjësi. Vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohen rastet dhe bashkë me këtë edhe të menaxhoehet pandemia.

Check Also

Dalin shifrat e fundit/ Ja sa viktima dhe raste të reja me COVID-19 u shënuan në vend gjatë 24 orëve

Tre persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit në vend, duke …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 2 =