Home / Kryesore / Cigaret elektronike rrisin rrezikun nga COVID-19

Cigaret elektronike rrisin rrezikun nga COVID-19

Adoleshentët dhe të rinjtë që konsumojnë rregullisht cigare elektronike kanë predispozita shumë më të mëdha për t’u sëmurë më rëndë nga COVID-19 sesa joduhanxhinjtë të së njëjtës moshë.

Për herë të parë një ekip mjekësh të udhëhequr nga profesoresha e pediatrisë, Bonnie Halpern-Felsher, nga Shkolla e Mjekësisë në Standford, ka arritur në këtë përfundim, pas krahasimit të të dhënave të 4.351 pjesëmarrësve të moshave 13 deri 24-vjeçare prej të gjitha rajoneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studimi u botua së fundi në revistën “Journal of Adolescent Health”.

Sipas studimit, përdoruesit e cigareve elektronike janë pesëfish më të prirë sesa mesatarja e popullsisë që kur të infektohen me virusin SARS-CoV-2 të kenë kollë, temperaturë, të jenë të lodhur dhe të kenë probleme me frymëmarrjen. Kurse tek ata që 30 ditë para testit për COVID-19 kanë konsumuar si cigare të rëndomta, ashtu edhe ato cigare elektronike, rreziku për t’u sëmurë është 6.8 për qind më i lartë.

Autorja kryesore e studimit, Shivani Mathur Gaiha, i paralajmëron të rinjtë ndaj sigurisë mashtruese se moshat e reja nuk preken nga COVID-19.

“Shumica besojnë se mosha i mbron ata nga simptomat e COVID-19. Por të dhënat tregojnë se kjo nuk vlen për ata që konsumojnë duhan. Dhe rreziku i sëmundjes rritet jo vetëm pak, por konsiderueshëm”, ka thënë ajo.

Me ekzaminimin e saj, pediatrja Halpern-Felsher nuk dëshiron vetëm të paralajmërojë adoleshentët dhe të rriturit që të ruhen, por u bën po ashtu thirrje autoriteteve shëndetësore që të veprojnë.

“Tani ka ardhur momenti”, ka thënë ajo. “FDA-ja duhet të nxitojë dhe t’i rregullojë këto produkte”. \ DW

Check Also

Vlora sërish në “lupën” e kontrolleve, FSHN dhe Policia zbarkojnë në qytetin bregdetar

Prej disa ditësh në qytetin e Vlorës, vijojnë kontrolle në rrugët kryesore. Policia e Vlorës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 5 =