Home / Analize / Çfarë roli ka zëvendëspresidenti i Amerikës?

Çfarë roli ka zëvendëspresidenti i Amerikës?

Nga Joshua HOLZER-

Më 20 janar, Kamala Harris u bë zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara – gruaja e parë në këtë post, dhe njeriu i parë me origjinë nga Azia Jugore, dhe e para afro-amerikane. Harris është gjithashtu zëvendësja e parë që ka mbaruar një kolegj apo universitet të frekuentuar historikisht nga zezakët.

Secila prej këtyre arritjeve është më vete domethënëse. Sidoqoftë, vetë posti i zëvendëspresidentit ka qenë tradicionalisht relativisht i parëndësishëm, edhe pse është bërë më me ndikim në vitet e fundit.

Posti “më i parëndësishëm”?

Roli i zëvendëspresidentit përmendet vetëm disa herë në Kushtetutën e SHBA-së. Neni 1, pika 3, thotë se zëvendëspresidenti “do të jetë president i Senatit, por nuk do të ketë asnjë votë ”, përveç rasteve kur votimit ndahet në barazim. Normalisht, barazimet ndodhin rrallë, por fuqia e zëvendëspresidentit ka të ngjarë të bëhet më rëndësishme për Herris si një demokrate, dhe të pavarurit që bëjnë grupin me demokratët, pasi ata pritet të kontrollojnë vetëm 50 nga 100 vendet e Senatit.

Fillimi i Nenit II, Pika Seksioni 1, shpjegon se si zgjidhen zëvendëspresidentët, diçka që më vonë u rishikua nga Amendamenti XII-të. Në fund të këtij seksioni thuhet se pushteti presidencial “do t’i kalojë zëvendëspresidentit” në rastin e“vdekjes, dorëheqjes ose paaftësisë së presidentit për të kryer kompetencat dhe detyrat e postit që mban”. Neni II, pika 4,thekson se zëvendëspresidentët-ashtu si presidentët – mund të “largohen nga detyra për Fajësimin (impeachment) dhe Dënimin për Tradhti, Ryshfet ose Krime të tjera të rënda”.

Xhon Adams, zëvendëspresidenti i parë i SHBA-së, iu ankua në një rast gruas së tij se posti që mbante ishte “më i parëndësishmi që ka shpikur ndonjëherë njeriu”. Por jo të gjithë ishin të mërzitur nga një pasivitet i tillë. Zëvendëspresidenti i Udrou Uillsonit, Tomas Marshall, bëri shaka pasi doli në pension:“Unë nuk dua të punoj… por nuk kam ndërmend të jem sërish zëvendëspresident”.

Evolucioni i postit të zëvendëspresidentit

Pasardhësi i Uillsonit si president, Uorren Harding, kishte pikëpamje jo të zakonshme në lidhje me rëndësinë e rolit të zëvendëspresidentit. Ai mendonte se “zëvendëspresidenti duhet të ishte më shumë se sa një zëvendësues i thjeshtë në pritje. Ndaj,ai donte që zëvendësi i tij në detyrë, Kelvin Kulixh“të ishte një pjesë e dobishme” e administratës së tij.

Më vonë Kulixh u bë zëvendëspresidenti i parë në histori që merrte rregullisht pjesë në mbledhjet e kabinetit qeveritar. Në vitin 1923, Harding vdiq nga një sulm në zemër, dhe Kulixh e pasoi atë si president. “Përvoja ime në kabinet”-do të deklaronte më vonë ai “kishte më shumë vlerë kur u bëra president”.

Pas Harding dhe Kulixh, shumë presidentë të mëvonshëm u kthyen në traditën e mbajtjes larg të zëvendësve të tyre,madje edhe për çështjet kryesore. Për shembull Frenklin Ruzvelt, ia mbajti sekret zëvendësit të tij Herri Truman projektin e ndërtimit të armës bërthamore.

Truman mësoi mbi këtë armë të tmerrshme, vetëm pas vdekjes së Ruzveltit.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 1960, zëvendëspresidenti Nikson në 2 mandatet e Ajzenhauerit u përball me demokratin Xhon Kenedi. Në një moment gjatë fushatës, gazetarët e pyetën presidentin Ajzenhauer:“A mund të na thoni ndonjë kontribut të madh që ka dhënë Nikson në administratën tuaj?”.Ajzenhauer u përgjigj:“Nëse më jepni një javë kohë që të mendohem për këtë”. Nikson ihumbi ato zgjedhje.

Xhimi Karter dhe Uollter Mondale

Në 1976, Xhimi Karter zgjodhi si zëvendesin e tij të ardhshëm Uollter Mondalen. Në një memo dërguar presidenti pas fitimit të zgjedhjeve, Mondale thoshte se “problemi më i madh i administratave tona të fundit, ka qenë dështimi i presidentit për t’u ekspozuar ndaj analizave të pavarura dhe jo të kushtëzuara nga ato që mendohet se ai dëshiron të dëgjojë”.

Vizioni i Mondales për rolin e zëvendëspresidentit ishte “të ofronte këshilla të paanshme”, në mënyrë që Karter të mos “mbrohej nga pikëpamjet që ai duhej të dëgjonte”. Karter ra dakord, dhe më pas e bëri Mondalen pjesë integrale të rrethit të tij të ngushtë.

Shumë zëvendëspresidentë që nga Mondale e tutje, kanë ofruar shpesh pikëpamje që nuk përputheshin me atë të presidentit. Për shembull Bill Klinton dhe Al Gor, nuk ranë dakord mbi sasinë e fuqisë dhe ndikimit që i besuan Zonjës së Parë Hilari Clinton; dhe as rreth trajtimit të skandalit Lewinski.

Xhorxh W.Bush dhe Dik Çeni nuk ishin në disa raste dakord mes tyre mbi Irakun, si dhe për përdorimin apo mospërdorimin e faljeve presidenciale. Në të kundërt, Majk Pens, është sjellë si një aleat besnik i një presidenti që nuk ka qenë ndonjëherë i gatshëm të dëgjojë mendimin e kundërt. Pas rebelimit të 6 janarit, demokratët madje edhe disa republikanë i bënë thirrje Pens të shkarkonte Trumpin nga detyra duke evokuar Amendamentin XXV-të . Por në fund Pens nuk e ndërmori një veprim të tillë.

“Zëri i fundit në dhomë”

Duke ndjekur modelin e Mondales, kur Xho Bajden pranoi të ishte zëvendësi i Barak Obamës, ai tha se donte të ishte “njeriu i fundit në dhomë” sa herë që merreshin vendime të rëndësishme, në mënyrë që ai të kishte mundësi t’i jepte Obamës mendimin e tij vetjak.

Kur Bajden zgjodhi Herris si numrin 2 të presidencës, ai i kërkoi Kamalës të “jetë zëri i fundit në dhomë” për të “sfiduar supozimet e tij nëse ajo nuk pajtohet mbi një çështje të caktuar”, dhe për të ”ngritur pyetjet e vështira”. Kështu Harris ka mundësi të ndjekë traditën e vetë Bajdenit të para 4 viteve ose të Pen si një ushtar besnik i presidentit. / “The Conversation” – Bota.al

Check Also

Peshkaqeni gjigand kapet pas 45 minuta ‘luftë’, peshon 400 kilogramë

Një peshkaqen më shumë se 400 kilogramë është kapur nga disa peshkatarë në brigjet e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 − six =