Home / Histori / Çfarë ndodhi me sozinë e Stalinit?

Çfarë ndodhi me sozinë e Stalinit?

Në kohën kur i riu Feliks Dadaev, që vinte nga një fshat i Dagestanit, u bë zyrtarisht sozia e Josif Stalinit, në shërbim të diktatorit ishin tashmë 3 sozi të tjera. Ideja e sohive u frymëzua për herë të parë nga Nikolaj Vllasik në vitet 1920, kur ai u bë shefi i sigurisë në Kremlin. Stalini kishte shumë armiq politikë, dhe nuk ishte e sigurt të dilte lirshëm para njerëzve në takimet publike. Dhe frika për sigurinë e tij u konfirmua. Personi i parë që u bë sozia e tij, ishte një kaukazian me emrin Rashidov, ai u vra kur një bombë shpërtheu buzë rrugës në momentin kur eskorta po kalonte në Sheshin e Kuq.

Ndërkohë, fati i Dadaev ishte i ndryshëm. Ai e ruajti sekretin për 55 vjet, madje edhe nga familja e tij. Dadaev lindi në vitin 1920 në fshatin malor Kazi-Kumukh. Pasi punoi si bari në fëmijërinë e hershme, më vonë u trajnua për të punuar në një argjendari.

Por pasioni i tij i vërtetë ishte kërcimi. Pasi u zhvendos në kryeqytetin çeçen, Grozni, ai nisi të merrte leksione baleti, dhe kur familja e tij u zhvendos në Ukrainë, ai u ftua të performonte në ansamblin shtetëror. Kur nisi Lufta e Dytë Botërore, i riu u dërgua të jepte shfaqe për trupat sovjetike në vijën e frontit.

Fama e tij u përhap shpejt deri në majën e piramidës drejtuese të Partisë Komuniste. Por vështirë se NKVD do të kishte treguar një interes kaq të madh për Dadaev, nëse ai nuk do të ishte plagosur rëndë gjatë një sulmi gjerman,dhe të shpallej gabimisht i vdekur.

Shërbimi sekret sovjetik e cilësoi këtë akt si një dhuratë. Në vitin 1943, pas një tjetër shfaqje, Dadaev u gostis me një darkë të bollshme dhe iu shpjegua se çfarë duhet të bënte.“Në fakt, unë isha 100 për qind kopje e Stalinit! Ne ishim njësoj në gjatësi, zë dhe hundë.

E vetmja gjë gjë që duhej ndryshuar ishin veshët. Dhe ndryshimi i tyre nuk ishte shumë i vështirë”-kujton Dadaev. Ndërkohë për t’u bërë një kopje vërtet bindëse e Stalinit, Dadaev duhej të shtonte 11 kilogramë në peshë, të zverdhte artificialisht dhëmbët (Stalini ishte një duhanpirës i madh), dhe të kalonte disa muaj nën mbikëqyrjen e NKVD, duke përsosur imitimin, intonacionin dhe lëvizjet e Stalinit.

Për këtë arsye ai pa qindra orë filmime të Stalinit. Ndërkohë ekzistonte një ndryshim serioz: Stalini origjinal dhe sozia e tij kishin gati 40 vjet diferencë në moshë. “Në atë kohë nuk ekzistonin operacionet plastike si sot. Për mua kujdesej një grimier profesionist. Por ai nuk mund të ishte me mua gjatë gjithë kohës.

Kështu që unë duhej të mësoja t`i bëja vetë shenjat e lisë në fytyrë. Për këtë përdorja furçë të thjeshtë me dhëmbë metalikë, të cilën e shtypa me forcë në fytyrën time, dhe kështu krijoja shenjat në fytyrë. Më pas përdorja grimin. Qëndroja gjithë ditën ashtu, ndërsa në mbrëmje pastrohesha”- thekson ai.

Vetëm një rreth i ngushtë njerëzish ishte në dijeni të së vërtetës. Dadaev u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje që e ndalonte atë të komunikonte edhe me familjen e tij. Kur Dadaev kaloi provën e tij të parë, atij iu dha një detyrë e re:u shfaq para një turme, i rrethuar nga anëtarët e tjerë të partisë.

“Objektivi kryesor ishte të merrja pjesë në një aktivitet partie. Sigurisht pa folur fare, me pretekstin se “udhëheqësi nuk është në humor për muhabet”. Por nëse për ndonjë arsye, do të detyrohesha të flisja, do ta bëja këtë në mënyrë lakonike dhe natyrisht, duke përdorur zërin e Stalinit”- kujton më tej Dadaev.

Pas atij momenti atij iu besuan detyra më serioze, si pritja e vizitave shtetërore nga delegacione të huaja, mesazhet filmike për brezat e ardhshëm, leximi i raporteve në radio, shfaqja në paradën e Sheshit të Kuq gjatë festimit të fitores në Luftën e Dytë Botërore etj.

Misioni ndoshta më i rëndësishëm që iu dha ndonjëherë, ishte mbulimi i udhëtimit të kreut sovjetik të shtetit për në Konferencën e Teheranit në vitin 1943. “Shërbimi sekret planifikoi dy fluturime, njërin për të tërhequr vëmendjen. Aty isha unë, i veshur si Stalini, që u paraqita në kohën e caktuar, hipa në makinë dhe u nisa për në aeroport me eskortën nga pas. Kjo për të shmangur vëmendjen nga Stalini i vërtetë nga ana e shërbimeve të huaja”-thotë Dadaev.

Feliks nuk ishte i pranishëm në takimin e udhëheqësve të SHBA-së, Britanisë dhe Bashkimit Sovjetik në Teheran. Por edhe atje ndodhi një tjetër përpjekje për atentat kundër Stalinit. Dadaev u takua vetëm një herë me Stalinin e vërtetë. Takimi zgjati jo më shumë se 5 minuta dhe u zhvillua në zyrën e Stalinit.

Duke qenë në një gjendje shoku dhe tmerri, Dadaev nuk mund të mbante mend shumë detaje. “Përveç buzëqeshjes së Stalinit,si dhe tundjes së kokës, unë nuk mbaj mend asgjë tjetër”- tha ai. Pas vdekjes së diktatorit, nuk kishte më nevojë për një sozi, dhe Dadaev iu rikthye skenës.

Deri në vitin 1996, të gjitha informacionet që kishin të bënin me sozinë e Stalinit, ishin një çështje tepër sekrete. Dosja e tij personale, mbahet diku në arkivat e KGB-së. Kur u hoq ndalimi, gjithçka u bë publike. Por edhe më pas Dadaev thoshte se nuk mund të zbulonte shumë detaje. / rbth.com – bota.al

Check Also

Me 25 shkurt 1991 – u shpërnda Traktati i Varshavës

Nga Sokol NECAJ – Organizata e Traktatit të Varshavës (e njohur edhe si Pakti i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 5 =