Home / Kryesore / Çfarë lexonte Hitleri?

Çfarë lexonte Hitleri?

Nga Dashnor KOKONOZI –
Ai, emri i të cilit do të kujtohet edhe si biblioklast me autodafen e Berlinit më 1933 e më pas në Dresden, Hanovër, Nuremberg etj., ai pra, A. Hitleri, kishte një nga bibliotekat më të pasura të Evropës. Flitet se ishte vegjetarian, nuk i pëlqente alkooli, pinte me qejf çajra të ndryshëm dhe, të paktën në prani të tij, askush nuk guxonte të tymoste, por nuk thuhet shpesh se lexonte një libër në natë, se qe i etur të lexonte gjithçka.
Por a ka vlerë shprehja: më thuaj ç’libra lexon të të them cili je?
Biblioteka e tij do të ketë gëzuar emër edhe përtej Gjermanisë,ndryshe nuk ka si shpjegohet që më 1935 ajo u bë subjekt i një reportazhi të gazetës «The New Yorker».
Por këto shënime janë mbështettur te një libër që T. Ryback, i ka kushtuar asaj kohët e fundit. Natyrisht, flet për atë pjesë të bibliotekës që ka mbetur, se nga 16 mijë titujt e saj, sot gjenden jo më shumë se 1200. Kryesisht të shpërndarë në bibliotekat e universiteteve.
Aty del se A. Hitleri lexonte me laps në dorë. Në zyrat e tij do të kishte gjithmonë një bust të Schopenhauer-it. Ai përpin librat e Clausewitz-it, biografitë e Jules César-it, të Aleksandrit të Madh. E. Kanti bashkë me Makiavelin do të gjenden në bunkerin e tij, pas vetëvrasjes.
Rendi i bibliotekës së tij është klasik, sa më nuk bëhet. Fillimisht ajo pjesë që simbolikisht quhet “fondi i noterit”, fondi i trashëgueshëm. Eshtë fjala për libra që nuk i prek më kush. Aty, edhe në bibliotekën e tij gjendet Don Kishoti, Udhëtimet e Guliverit, Robinson Kruzoe, Kasollja e xha Tomit, Hamleti, romanet me aventura të Karl May etj..
Pastaj fondi aktiv, koleksioni që ushqen trurin, siç thuhet. Janë tekstet te të cilat kthehemi herë pas here, që i mbushim me shënime. Ka edhe një pjesë të tretë, pastaj, librat që i janë dhuruar.
Vëmendja e studiuesve është drejtuar gjithnjë te fondi i dytë. Pikërisht këtij fondi edhe T. Ryback i ka kushtuar analizën më të madhe.
Dhe këtu ai, sikundër Walter Benjamin-i, niset nga ideja se një koleksionues konservohet brenda koleksionit të tij. Natyrisht, nuk mungojnë edhe manualet e ndryshëm (tankesh, p.sh.), por bie në sy shumë vepra kanë subjekt spiritualitetin, okultizmin, ezoterizmin, shpesh herë të shkruara nga autorë hebrenj.
Dëshmia që flet më shumë për preokupimet e thella të zotit të tyre, thotë autori i librit.
Më tej përmenden edhe libra mbi telepatinë, Hebreu ndërkombëtar (i Henry Fordit, ky), libra mbi astrologjinë dhe shkenca të tilla: aq paralele sa ato nuk takohen kurrë me inteligjencën, thotë ai. Ndërkohë mbetet pa përgjigje pyetja përse studiuesit nxitojnë të nxjerrin përfundime për të zotin e koleksionit nisur nga librat ezoterikë dhe jo nga ata filozofikë, që gjenden po aty?
Se, veprave të Schopenhauer-it, E. Kantit etj., që janë në bibliotekën e tij, do t’u shtoja edhe të tjerë emra të mëdhenj, por po ndalem vetëm te J. G. Fichte) Në mendjen e A. Hitlerit ai ishte filozofi më pranë lëvizjes së tij nacional-socialiste. Fichte njihet si themelues i lëvizjes filozofike të njohur si idealizmi gjerman. Edhe pse në thelb mendoj se duhet punë e madhe për të ushqyer me të teoritë e Hitlerit, gjithsesi më lë përshtypje të veçantë tërheqja e madhe e diktatorit nazist ndaj tij.
Marrëdhënia e diktatorëve me librat është shumë më e ndërlikuar. Por si përfundim, nuk është se kisha pritur të mësoj nga ky libër i T. Ryback se kultura, arti, poezia, muzika etj., nuk kanë materie konsistente që mund të shërbejnë si barrierë kundër barbarisë. Një ide më të strukturuar për këtë çështje kaq të rëndësishme, e kisha formuar kur lexova Kujtimet e një evropiani, të S. Cvajgut.
Para se të ikë përgjithnjë nga Vjena, ai riprodhon diku aty, një bisedë me mikun e tij, tashmë të plakur e të lodhur, S.Freud, pikërisht për këtë temë; për tmerret hitleriane që nuk po kryheshin nga njerëz të dalë nga pylli.
Cvajgu, përshkruan dëshpërimin e atit të psikanalizës tek i pranon se vërtet, librat, artet, kultura nuk mund të frenojnë shtazërinë. Ato nuk mund ta mbrojnë njeriun nga gjithë lemeria që qëndron fshehur në trurin e tij reptil…
Duke iu kthyer edhe një herë pyetjes në krye të këtyre shënimeve, them se ne fort mirë mund t’i tregojmë njëri tjetrit librat e mençur dhe elegantë që lexojmë, mund edhe t’i citojmë herë pas here pasazhet e tyre, por kjo nuk do të thotë se dimë shumë për njëri-tjetrin….
(Një version më i shtjelluar i kësaj teme gjendet te Peizazhe të fjalës)

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 3 =