Home / Analize / Çfarë kemi mësuar nga një vit pandemi

Çfarë kemi mësuar nga një vit pandemi

Nga Jim O’NEILL-

Është ndoshta e parakohshme që të jepet një vlerësim shterues i pasojave të mundshme nga pandemia e Covid-19, pasi mund të ketë shumë më shumë kthesa dhe të papritura që mund të na presin.

Dhe sapo ta mposhtim koronavirusin, disa nga ndryshimet e shkaktuara nga pandemia në jetën tonë, mund të rezultojnë të përkohshme. Por, duke pasur parasysh këto paralajmërime, është e mundur që të fillojmë të nxjerrim që tani disa përfundime.

Së pari, është më se e qartë se sapo të shfaqet një virus i ri shumë më infektues dhe i rrezikshëm së të tjerët, ia vlen që të veprohet në mënyrë agresive për ta zhdukur atë sa më shpejt të jetë e mundur, në vend se të presësh dhe të shpresosh që të mësosh më shumë mbi të.

Më shumë se një vit pas shpërthimit fillestar të Covid-19 në Kinë, shumë nga vendet (kryesisht në rajonin e Azi-Paqësorit) që ndërmorën hapat më agresivë për ta luftuar koronavirusin, duket se janë në një pozicion shumë më të fortë se Perëndimi.

Së dyti, disa vende po i vaksinojnë popullatat e tyre më shpejt se të tjerët. Në krye janë aktualisht vende si Mbretëria e Bashkuar, gjë që shpjegon pjesërisht thirrjet me zë të lartë për të lehtësuar masat e bllokimit. Të dhënat fillestare, sugjerojnë se vaksinat kundër Covid-19, ndihmojnë jo vetëm në uljen e shkallës së sëmundjes në një formë të rëndë, por zvogëlojnë gjithashtu edhe transmetimin.

Dhe ky mund të rezultojë një lajm spektakolar nëse shfaqen shenja më të forta të efikasitetit të vaksinave, që të shënojnë fillimin e fundit të pandemisë. Por nëse qeveritë heqin bllokimet shumë më shpejt nga sa duhet, rreziku i mutacioneve të reja të koronavirusit rezistent ndaj vaksinave aktuale, do të rritet ndjeshëm.

Së treti, edhe pse vaksinat e para të aprovuara kundër Covid-19 u adaptuan nga kërkimet tashmë të zhvilluara për qëllime të tjera, pandemia mund të përmirësojë përgjithmonë të gjithë procesin e zhvillimit të vaksinave, nga kërkimi tek provat klinike dhe procedurat e miratimit nga entet rregullatore.

Nëse do të ndodhë kjo, do të na ndihmojë që të luftojmë edhe variantet e ardhshme të Covid-19, por edhe pandemitë e reja. Ndërkohë, pandemia mund të rrisë gjithashtu efikasitetin dhe produktivitetin e përgjithshëm të sektorit farmaceutik (në krahasim me përfitimet e tij komerciale). Pra, kompanitë e ilaçeve do të jenë ndoshta në gjendje që të zhvillojnë antibiotikë të rinj shumë më shpejt sesa aktualisht.

Së katërti, kriza e Covid-19 ka treguar se qeveritë mund të shpenzojnë shumë më shumë para, pa prishur tregjet sikurse mendonin deri tani shumica e njerëzve. Edhe pse nivelet e larta dhe në rritje të borxheve të qeverive kanë ngritur pikëpyetje të mëdha, fakti që kushtet financiare kanë mbetur po kaq të mira – me tregjet e bonove, në veçanti, që janë në dukje të patrazuara – ngre mundësinë që qeveritë të jenë më ambicioze në aspektin e politikave fiskale.

Ç’është më e rëndësishmja, qeveritë duhet të luajnë gjithashtu një rol më të madh në sigurimin që të gjithë qytetarët të kenë qasje në teknologjitë dixhitale (në të njëjtën mënyrë, ata duhet të sigurojnë qasje universale në arsim dhe kujdes shëndetësor). Në rast se të gjithë nuk kanë qasje në teknologji, nismat kryesore kombëtare, si skemat e testimit dhe gjurmimit të Covid-19, nuk ka të ngjarë që të kenë sukses.

Së pesti, cilado qoftë norma post- pandemike e punës nga distanca, zakonet e punës janë të përcaktuara tashmë që të bëhen më fleksibël. Dhe kjo mendoj se do të ketë një mori pasojash pozitive, përfshirë shumë më pak kohë të humbur gjatë udhëtimit, më pak presion mbi përmirësimet konvencionale të infrastrukturës së transportit, tregje më të mëdha dhe më “fluide” të punës, dhe ndoshta edhe një rritje të produktivitetit.

Së gjashti, kriza e ka përshpejtuar zhvendosjen drejt mjeteve të përmirësuara në aspektin teknologjik, sidomos për konsumatorët, duke hedhur kësisoj dyshime mbi të ardhmen e shumë shitësve me pakicë. Prandaj, politikë-bërësit do të duhet të ri-mendojnë disa aspekte të taksimit, përfshirë gjetjen e burimeve të reja të të ardhurave nga bizneset në internet. Kjo mund të lejojë që shumë shitës me pakicë, të kenë të paktën një shans më të drejtë për të luajtur një rol të vazhdueshëm në zakonet tona të blerjes.

Së shtati, do të duhet të përshtatet funksioni i pasurive të patundshme urbane, sidomos në komunitetet e mëdha. Kjo do të kërkojë ide të reja në lidhje me marrëdhëniet hapësinore midis zyrave, dyqaneve dhe shtëpive, si dhe në lidhje me transportin. Ideja e hapësirave fleksibile dhe të përbashkëta të zyrave mund të ngulitet në brezin e ardhshëm të punëtorëve.

Së fundmi, kriza e Covid-19 e ka përshpejtuar rritjen globale të Azisë sa i përket rritjes ekonomike relative, me Kinën që është motori kryesor i rritjes së rajonit. Kontrasti midis strukturës së qeverisjes së Kinës, dhe asaj të demokracive perëndimore – si në kuptimin e rregullimeve të qeverisjes globale, ashtu edhe në menaxhimin e marrëdhënieve dypalëshe – do të shndërrohej kësisoj në një çështje edhe më të madhe për shumë udhëheqës sesa është aktualisht.

Shënim: Jim O’Neill, ish-drejtues i Goldman Sachs Asset Management, dhe ish-Ministër i Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht është drejtori i think-tankut “Chatham House”. / “Project Syndicate” – Bota.al

Check Also

Çfarë kërkon Rusia në Ballkan?

Nga Zlatko HAZDIDEDIC- Modern Diplomacy Narrativat popullore mbi interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan, kanalizohen …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × five =