Home / Opinion / Çfarë kanë për të na thënë viktimat?

Çfarë kanë për të na thënë viktimat?

 Nga Enver ROBELLI-

Më 10 qershor 2021 bëhen 22 vjet nga çlirimi i Kosovës. 22 vjet! Ata që u lindën në vitet e para të pasluftës, tashmë janë shtetas të Republikës, qytetarë me të drejtë vote. Ata dhe të gjithë të tjerët gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë dëshmitarë se si kujtimi për vuajtjet në luftë është ritualizuar. Po aq sa është ritualizuar edhe lartësimi i atyre që patën më shumë guxim se të gjithë të tjerët dhe luftuan për çlirimin e vendit. Një përmendore këtu, një atje, kryesisht pa asnjë kriter estetik dhe urban. Vizita te varret e viktimave dhe kryengritësve, fjalime stereotipe, formulime patetike, përvjetorë betejash që më shumë ngjajnë në tubime elektorale. Me kaq mbaron kultura kosovare e kujtimit. Kështu gërryhet dhe dëmtohet kultura e kujtimit. Kosovës i duhet një ditë për kujtimin e viktimave. Le të hiqet njëra nga ato ditët e tepërta që e ngarkon «kalendarin festiv» gjatë vitit. Në atë ditë duhet të flasin viktimat. Jo politikanët. Jo cinikët e çarshisë. Jo yjet e rrejshëm publikë. Zhurma e tyre e mbyt zërin e viktimave gjatë gjithë vitit. Në një mbledhje solemne të parlamentit çdo vit mund të ftohej një figurë që ndan me opinionin përvojat e së kaluarës së hidhur. Folësi mund të jetë viktimë, mund të jetë edhe dikush që u ka ndihmuar viktimave. Për shembull një shqiptar nga Kukësi, Kërçova apo Korça që u ka ndihmuar refugjatëve të Kosovës më 1999. Mund të ftohet Natasha Kandiqi. Ose Mirosllav Filipoviqi, një gazetar i guximshëm serb që pati shkruar për kamionët me kufoma të shqiptarëve në Serbi. Mund të ftohet një mjek që u ka ndihmuar të plagosurve në luftë. Ndonjë punëtor i Shoqatës «Nënë Tereza». Një dinjitar fetar që u ka qëndruar afër viktimave. Një arsimtar që ka mbajtur mësim edhe në kushte lufte në zonat e luftës. Shoqërisë kosovare i duhet kjo perspektivë e rrëfimit, jo fjalimet boshe të politikanëve që bëhen patriotë para zgjedhjeve me shpresën se pas zgjedhjeve do të kthehen në pushtet dhe vazhdojnë vjedhjen aty ku e lanë. Boshllëku i fjalimeve të politikanëve duhet të ndalet me fjalime personale dhe emocionale të viktimave, sepse kësisoj e përjetuara bëhet e prekshme dhe e imagjinueshme për gjeneratat e sotme.

Check Also

Arsyet komplekse pse disa njerëz refuzojnë të mbajnë maska

Nga Alexandra BREWIS  &Amber WUTICH – Mbajtja e një maske në fytyrë është një nga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − 12 =