Home / Analize / Çfarë është përkthimi i poezisë?

Çfarë është përkthimi i poezisë?

Rudolf Marku/

Si vazhdim i reagimit ndja postimit te djeshem mbi perkthimin, me lejoni te ndaj me ju, ne dy postime ne vazhdim, pergjigjet e dy pyetjeve të bëra nga ALTA- American Literary Translators Association (Lidhja e Përkthyesve letrarë të Amerikës) ne Tetorin e vitit 2008, dhe botuar ne revisten e tyre prestigjioze , kur qesh ftuar nga Universiteti i Dallasit mbi kete teme..

Postimi sot : Çfarë është perkthimi i Poezisë?
Neser : A duhet veç poetët ta perkthejnë poezinë?

Perkufizmin ma te mire se çfarë është perkthimi i Poezisë me duket se e ka dhënë poeti amerikan Robert Frost, i cili me thenien e vet të jep pershtypjen se po i pergjigjej një pyetjeje tjeter: Çfarë është poezia? Ai thote: Poezia asht ajo çka humb në përkthim. Pra, diferenca mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer asht Poezia. Sipas Robert Frost, idealja asht që Poezia të mos përkthehet, sepse përkthimi i Poezisë asht një nderrmarrje e kotë. Nderkohë, Kulla e Babilonit asht ndertuar të pakten nja 10.000 vjet ma parë se të lindte Robert Frost. Njerëzit kanë patur nevojë dhe kanë nevojë që të lexojnë poezitë në gjuhët që nuk i njohin, dhe gjuhet e panjohura janë ku e ku më shumë se gjuhet që dijnë dhe poliglotët më të thekur. Por tek pranojmë si një të keqe te pashmangshme Perkthimin e tekstit letrar-dhe bashkë me të dhe përkthimin e Poezisë, që asht dhe akti më i komplikuar dhe më i elaboruar linguistik,- del e udhes që të jemi të vetëdijshem se çfarë asht përkthimi…
Te Grekët e lashtë Perendia e përkthyesve asht Hermes,i cili shfaqet me detyren që të çojë mesazhet e Zotave te njerëzit vdektarë…Hermes asht në të njejten kohë shkeles kufinjsh, detyra e tij asht që të shkapercejë matanë caqeve, pertej kufinjëve, mbas vijave, me qëllim që të arrijë që të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë ndodhen pertej cakut… Sipas Platonit (Cratylus), Sokrati jep këtë perkufizim aspak simpatik per Hermesin:

Sokrati- … Hermes duket se ka të bëj disi me Gjuhen. Hermesi asht një kasnec, një hajn, dhe një mashtrues, një 99-sh- dhe të gjitha këto përfshihen në forcen që ka gjuha!

Vetë Platoni u jep përparësi perkthyesve në raport me gjuhëtarët, ngase, sipas tij, ndersa gramatikanët mund të jenë të dobishëm ngase janë në gjendje të na përshkruajnë germat dhe format e shkruara të gjuhes, përkthyesit janë në gjendje që të na tregojnë kuptimin e vertetë të asaj se çfarë asht thane.

Mithet e një kulture kanë të rregjistruara dhe të inkoduara dijen e vertetë historike apo dhe dijen para-historike të njerëzimit, dhe Mithi i Zotit Hermes si Zoti i përkthyesve mund të jetë ilustrimi më i qartë i kësaj.Sipas Mithit grek, perkthyesi asht ai qe çon mesazhet e Zotit (Krijuesit) te vdektaret (lexuesit). Asht shkelës kufinjsh, në kuptimin e vertetë të fjales, sepse na bjen autorët e vendeve të tjera dhe te kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi tjeter dhe i një kohe tjeter..Asht hajn, sepse dhe përkthyesi ma i ndershëm nuk e bjen kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Asht 99-sh,sepse i dredh dhe i sperdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.

Përkthyesit ma të mirë janë ata të cilët e njohin shumë mirë gjuhen në të cilen përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila përkthejnë. Po keshtu, ata duhet të jenë të mirëinformuar rreth kultures së gjuhes burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letersia ekziston jo vetëm brenda një gjuhe, por gjithashtu edhe brenda një kulture. Del kesisoj se të përkthesh letersi shpesh do të thotë të përkthesh Kulturë. Gabimet ma serioze në perkthim nuk krijohen nga keqkuptimi i gjuhës së tekstit, se sa prej njohjes së pamjaftueshme të diferencave në kulturen e dy gjuhëve –nga ku perkthen dhe në të cilen përkthen…Një përkthyes i Fishtes ne anglisht, vargun Zog i Shkines, e përkthen: Ky bastardh Sllav…Fjalen Zog – ai e afron me togflashin Zog kurve, kopil,bastardh, pa i shkue ndermend se shqipja thotë dhe- Zog nane… Në kontekstin e Fishtes, Zog shkine ka kuptim asnjanjës, Djali i shkines. Por gabimi këtu nuk asht aq linguistik, se sa një perceptim i gabuar kulturor. Perkthyesi –ma shqiptar patriot se vetë shqiptarët- ka mendue se shqiptarët dhe malazezët vetëm shahen mes tyre dhe nuk ka se si të ketë dhe dialog me kuptime asnjanëse mes tyre.

Përkthimi i Poezisë asht akti ma i veshtirë i përkthimit. Njëra nga veçoritë e përkthimit të poezisë asht Interpretimi i tekstit që përkthehet. Eshtë ajo që mund ta shtyjë përkthyesin që të shkojë përtej kuptimit real të tekstit, tek ndryshimet e koncepteve të origjinalit. Në këtë rast, poezinë e përkthyer nuk ke se si e boton njat tekstit original, si botim bi-lingual.Megjithatë ka plot që besojnë se përkthimi i poezisë mund të bahet edhe atheherë kur përkthyesi nuk e ka rrokë kuptimin e qellimit të autorit.Përkthimi i Rubaive te Fitzexharlidit asht krejt i pasaktë dhe asht shumë larg nga teksti original. Po të bisedosh me një njohës të mirë të Persishtes klasike, ai ka për të sqaruar se shumica e strofave te Fitzgeraldit (dhe te Nolit në shqip) nuk korrespondojnë me asnjeren nga rubai-t e Khajamit.Fitzgeraldi ka bërë më shumë një krijim të veten,dhe Noli ka përkthyer më shumë Fitzgeraldin se sa Khajamin. Por po qe se Noli do të kishte përkthyer besnikërisht Khajamin, përkthimi i tij nuk do të kishte qenë kaq popullor dhe kaq i pelqyeshem nga lexuesit sa ky që njohim sot si Rubairat në shqip.Përkthimet e Fitzgeraldit dhe të Nolit nuk janë përkthime Ad Verbum. Por duke mos qene të tillë, ato mbesin një shembulli i përkthimit Ad sensum.
Shpesh here degjojme qe aksh perkthim eshte aq i bukur, sa ia kalon origjinalit. Perkthimi nuk ka nevoje te jete as me i keq nga origjinali, por dhe as me i bukur. Po qe se nje perkthim e kalon origjinalin, athere nuk kemi te bejme me nje perkthim. Ajo qe eshte me e bukur se origjinali eshte krijim i perkthyesit-autor, eshte nje krijim original, dhe nuk ka te bej më me perkthimin e synuar.

Check Also

Sektori i shërbimeve – roli dhe impakti i tyre në ekonominë e Republikës Popullore të Kinës

Ekonomia e Republikes Popullore të Kinës (RPK) ka parë një tranzicion dhe rritje të jashtëzakonshme …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − 14 =