Home / Kulture / Bujar Xhaferri: Ekspozitë e piktorit Edi Rama me titullin “Ambalazhe”

Bujar Xhaferri: Ekspozitë e piktorit Edi Rama me titullin “Ambalazhe”

Nga Thoma JANCE-

U ndesha sot me një artikull të Bujar Xhaferi t të vitit të largët 1994, risjellë nga “Koha Jonë”. Më bëri mjaft përshtypje tematika, kryeministri ynë para 26 vjetësh, një artist, piktor i përvuajtur, që ëndërron gati të pamundurën: të riciklojë “ambalazhet”, hedhurina, që në një jetë të mëparshme kishin vlerë, apo ishin mbështjellëse e reklamuese të vlerave dhe t’i rijapë atyre vlerën e humbur përmes një shkëlqimi artistik.
Kush e di çfarë aspironte Edi Rama atëhere me artin e tij, sa i sinqertë ishte me veten dhe me botën?!
Duke e lexuar sot, të vijnë ndërmend prapë ambalazhet e dikurshme, por jo më si objekte në duart e frymëzimin e një artisti, por tashmë në duart e politikanit të plotfuqishëm të vendit. Kemi një metamorfozë që mund ta bëjë vetëm alkimia e pushtetit: frymëzimi piktorian i ka lënë vendin frymëzimit politik, dhe piktori që rijetëzonte dikur edhe ambalazhet e hedhura rrugëve, sot është shndërruar në pushtetarin që braktis edhe miqtë e vjetër, shkrimtarë e artistë për “të flirtuar” me gangsterë të ashtuquajtur “oligarkë”, me grabitës parash shtetërore, pronash, tenderash, pushtetesh.

Vijon artikulli i 1994-rës.

Bujar Xhaferri: Ekspozitë e piktorit Edi Rama me titullin “Ambalazhe” (botuar me 29 janar 1994 ne Koha jone)

Pikërisht në këtë kohë plogështie të madhe intelektuale, kur jo rrallë mendjet dhe shpirti i artistëve shqiptarë vuajnë peshën e rëndë të mungesës së personalitetit dhe të vetvetes së vonuar, makthin e zilive banale dhe të dyshimeve të sforcuara për njëri-tjetrin (ka mjaft të tillë që edhe kur janë të sigurt në njohjen ndaj të tjerëve preferojnë të kenë dyshime fiktive), me të cilat dëmtojnë e sfilitin miqtë më të afërt dhe realizojnë aleancën kapriçoze me fantazmën e Mefistofelit të rizgjuar; pikërisht në këtë kohë, Edi Rama, piktor mjaft tërheqës tashmë, ndër ata të rrallë që e kanë evituar tundimin e asaj aleance që përmenda pak më lart; që preferon t’i dojë të tjerët gjithmonë më parë se sa ta duan ata, pasi është larguar edhe nga hobi i pafrytshëm i diskurseve politike, i paraqet publikut të Tiranës, ekspozitën e tij të re, këtë herë në një natyrë burleske, të titulluar befshëm “Ambalazh”. Tërë ekspozita duket si një fryt i një makthi të gjatë realizuar më parë brenda materies së vetë artistit, për t’u vizatuar e pikturuar më vonë, madje tepër vonë, gati me një lloj ndjese që po guxon ta vizatojë, duket më tej, si një farë konkluzioni për dilemën tronditëse dhe të përditshme: “si mund të jem i dobishëm? Është diçka brenda meje, por çfarë mund të jetë?” (Ka të ngjarë që kjo të jetë dilema e Van Gogut). Kalon nga një figurë te tjetra dhe secila të krijon opinionin se ke të bësh me një variacion klithmash tallëse çuditërisht ndaj njeriut të dobët, ose në mos i tillë, së paku klithma prej jo fitimtari, ose si regëtima prej njeriu të lodhur e së fundmi të pajtuar me zor me humbjen e tij. Gjithsesi, është një pikturë që së paku nuk të kujton për asnjë çast fitoren, ose në mos e përçmon këtë të fundit, nuk e çmon si diçka tepër dinjitoze. Dhjetëra e dhjetëra ambalazhe (tamam ambalazhe!), të hedhura shkujdesshim nëpër rrugë (për të sfiduar të fundit fare pikërisht Partinë Ekologjike), nëpër kthina, pazare, porta dyqanesh, të hedhura kushedi prej rrugaçësh, zotërinjsh, prej liderësh shumë të respektuar partish, janë bërë krejt papritur bartëse të pikturës së autorit. Për një çast të vjen në mend edhe nënteksti se në Shqipëri ka aq e aq njerëz që kanë pasionin e madh për të flakur e hedhur gjëra, por sakaq autori ka shkuar më thellë në idetë dhe imazhet e tij, ndërsa tenton të rehabilitojë e të kthejë në të dobishme, atë çka është flakur gjithandej si e pavlerë. Veç ambalazheve që mbartin, apo më saktë shndërrohen prej penelit të autorit në figura ekspresioniste e kapriçioze, disa shkopinj të hollë, të përcëlluar ndofta në flakën e një furnele vajguri të ngjitur me figurat e pikturuara, disa shkopinj që mua më sollën ndërmend pikërisht ata lloje shkopinjsh të cilët i përdorte Sanço Panço për t’u vetëkastiguar, që pastaj të çmagjepsej, por aspak të ngjashëm me shkopinjtë e policëve modernë, për të treguar se edhe kjo lloj hedhurine mund të rehabilitohej, për të qenë sa më pak e rrezikshme (se për dreq ekziston edhe fraza i vuri shkopinj në rrota), madje për t’u harmonizuar me dritën dhe ngjyrat e artit njerëzor. Autori e ka shmangur figurën njerëzore të praktikës së përditshme, atë figurë të cilën njeriu i përditshëm përpiqet ta ekspozojë në mënyrën sa më diskrete, sa më të shëndetshme, duke e ruajtur nga ëndrrat e lodhshme, nga blanat që lenë brengat, deliret, kllapitë, halucinacionet dhe ka vendosur, përkundrazi, në telajot e tij në (ambalazhet) njeriun ëndërr, duke mos e privuar veten nga e drejta për ta deklaruar këtë, herë si një prangë, herë si një gjallesë puplash, herë si seks, si kanxhë, si insekt kafkian, për të ngulur këmbë se njeriu – ëndërr, sidoqoftë është më i vërtetë nga ai që shprehet prej qenies së tij materiale. Veç kësaj autori, tek përdor ambalazhet, shkopinjtë e përcëlluar, monedhat që ecin, por që janë të pamjaftueshme për të blerë qoftë edhe një cigare të vetme, apo një karamele, ndjen nevojën të hakmerret, të hakmerret me atë çka mund të quhej hierarki e vlerës, në të cilën ndodh shpesh të flaket thelbi i gjërave dhe veshja e tyre ose ambalazhi, dhe ndodh të shpërfillet ajo çka edhe mund të rikuperohet.
Ekspozita e re “Ambalazhe”e piktorit Edi Rama, u hap në Galerinë “TE&GE”në datën 21 për të funksionuar deri më datën 28. Në këtë panair “rikuperimi”nëse do ta quanim kështu, për shkak të përdorimit të kartonëve të ambalazhit në vend të kanavacat, erdhi kushdo dhe mungoi kushdo, pa rënë në sy për mungesën apo prezencën e tij, mund të themi se u ndje paksa mungesa e informatorëve të Televizionit, (ata rrallë mungojnë në kësi rastesh) si për të lënë të nënkuptohet se kjo atelie “rikuperimi”nuk mund të rehabilitonte në të gjitha llojet e ambalazheve të hedhur aty këtu.

/Bujar Xhaferri/

Check Also

“Lule Borë”, me një tur koncertor në Pogradec, Dibër e Madhe, Strugë, Korçë

Kuinteti  “Albanian Excellence”, pjesë e orkestrës “Albanian Excellence” nga viti 2018, është krijuar në vijim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × five =