Home / Opinion / BOTA SOT / Nga Ditari i një ish diplomati

BOTA SOT / Nga Ditari i një ish diplomati

Nga Ditari i një ish diplomati

NGA: ALFRED PAPUÇIU MË: 19 JANAR 2020 NË ORA: 09:55

Qershor 1994. Rëndësi ka sipas edhe bisedave me analistë dhe që merren me problemet e vendeve në tranzicion, që të zhvillohen edhe shërbimet në Shqipëri. Profesor Orio Giarini, profesori im i nderuar i ekonomisë së shërbimit, thotë në studimin e tij me titull: “Shoqëria e konsumit përballë ekonomisë së shërbimit”: “Në rast se ne shohim sot çdo sektor të veprimtarisë ekonomike, do të rezultojë se pjesa kryesore e sistemit të prodhimit dhe të shpërndarjes të të mirave materiale dhe të shërbimeve përbëhet nga shërbimet e çdo lloji. Për çdo prodhim që blejmë, qoftë kjo veturë apo qilim, kostoja e prodhimit apo e fabrikimit rrallë mund të kalojë 20-30 për qind të çmimit përfundimtar. Kostoja e funksionimit të sistemit kompleks të shërbimit dhe të shpërndarjes përfaqëson gjerësisht 70-80 për qind të çmimit përfundimtar. Kjo tregon se funksionet e shërbimit janë sot në zemër të shqetësimeve dhe të investimeve edhe tek ndërmarrjet industriale më tradicionale”.

  1. Gjatë këtyre viteve si funksionar ndërkombëtar kam mësuar shumë lidhur me funksionimin e tyre, por edhe mbi mundësinë e bashkëpunimit të vendeve të vogla me to por edhe të tërheqjes së fondeve. Vetëm se në këto raste duhet vepruar shpejt, pasi koha nuk pret.
  2. Qershor 1995. Sot u shkrova një letër dy të afërmve të mijë. Ndër të tjera u thashë: “Të dashurit e mij! Pas kaq vitesh, vendosa t’u shkruaj. Im atë ka 20 vjet që është larguar nga kjo tokë, atë ditë të fillimit të qershorit, vetëm 53 vjeç, atje në Shkodër ku e donin dhe ai i donte dhe i respektonte shkodranët. E ndjente veten të çliruar dhe i harronte brengat dhe hallet. Kishte miq e shokë si Lajde Stakun, Skënder Drinin e shumë shkrimtarë, letrarë e piktorë që i kishin faqet e “Fatosit” gjithmonë të hapura për shkrimet apo skicat e tyre. Pas vdekjes së babait, të them të drejtën kam shkruar, por jo aq, pasi nuk kisha besim në vetvete. Ai m’i shihte të gjitha shkrimet e mija, m’i redaktonte dhe kur nuk i pëlqente diçka m’a thoshte haptaz. E kisha baba por edhe shok që asnjeri nuk m’a ka zëvendësuar në jetë. Edhe sot e kësaj dite e ndjej sikur e kam pranë e sikur më këshillon.. E shoh shpesh në ëndërr. Do të kisha dashur të kishte jetuar më shumë edhe për veten, por edhe për mua, pasi do ta kisha udhërrëfyes të çmuar për hallet që kam kaluar. Nejse, jeta kështu është. Mjekësia nuk bëri dot gjë atëhere, para dëshirës së njerëzve për të jetuar edhe Tuni pranë të afërmve të dashur. Iku shumë shpejt. Dy pengje më kanë mbetur: që nuk e gjeta gjallë kur shkova në Shkodër dhe i thashë mjekut të bënin diçka për të, pasi m’u duk se hapi sytë kur hyra unë. E dyta: nuk e kam zërin e tij. Kaseta e vetme, me sa kujtoj u marr atëherë nga Ed. M. që nuk e ktheu më. Sigurisht që ai nuk e ka ruajtur. Do të kisha dëshirë, dhe të drejtohem ty B., si njeri i afërt, nëse ke ndonjë kujtim të babait, nga zyra e tij tek “Fatosi”, të lutem m’a jep dhe ta kthej përsëri. Dua të shkruaj prapë për të, pasi ndjehem borxhli ndaj atij njeriu shumë të mirë e të pastër, që bëri tepër jo vetëm për të afërmit e tij. Pra m’i dërgo dhe t’i kthej përsëri. Unë jam shumë i kujdesëshëm në këto gjëra. Më kujtohet kur isha i vogël, në bodrumin e shtëpisë së Kristaq Shtëmbarit kam gjetur libra të shumtë me autografin e babait, por asgjë nuk mora nga to, jo vetëm se isha në moshë të vogël, por edhe pse më dukej sikur nuk më përkisnin mua, megjithëse kishin firmën e tim eti dhe do të ishin kujtim i bukur për mua…” Im atë lexonte shumë edhe më vonë, kishte një korrespondencë të pasur me të afërm dhe dashamirës të letërsisë, edhe me dajën e tij, Vangjel Lulen, por shumë prej tyre tashmë nuk i kam“.

“Pa e zgjatur, po ju dërgoj një pjesë të shkrimeve që u thashë, që do të mbeten vetëm midis nesh, derisa, nëse mund të piqet mendimi, të shohin dritën e botimit…”

5 qershor 1995. Shpesh bie në pesimizëm, kam një karakter të vështirë, por të pastër si babai: nuk i duroj meskinitetet, flas hapur për diçka që nuk shkon, megjithëse koha sot është ndryshe. Nuk duhet të flasësh, sidomos me disa, pasi të nxjerrin sytë. Kombi ynë do të ecte më përpara po ta donim njeri tjetrin si çifutët, italianët, spanjollët, britanikët, amerikanët. Unë pata fatin të kaloj një pjesë të jetës sime me njerëz të kombeve të ndryshëm në Kombet e Bashkuara, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në UNCTAD dhe të them të drejtën shqiptarët nuk mbeten pas, si nga formimi, si nga sjellja, por kanë fatin e keq se vijnë nga një vend i varfër, që nuk ka këllqe të japë të holla për organizatat ndërkombëtare, pra edhe vendet për të në këto organizata janë me pikatore. Edhe ai që ka mundur të gjejë një vend në to, herë pas here ha shkelma nga meskinët, burracakët që hedhin gurin e fshehin dorën, sa që ai është i detyruar të gjejë ndonjë qoshe diku, që të mos duket, e jashtë dëshirës së tij, të mos bëjë më tepër për të ofruar bursa apo pjesëmarrje në seminare, pasi mund të marrë “damkën” e ndërhyrjes nga ndonjë “qoftëlarg” që nuk sheh më tepër se rrezja e ngushtë e tij.

Korrik 1995. Muzikologu me fame botërore, Marcel Cellier na ka ftuar tek shtëpia e tij në Shebrë. Aty është edhe e shoqja, Aleksandri, i biri, si dhe nusja e djalit. Ai më dhuron diskun e ri që ka realizuar me muzikë shqiptare, me një shoqëri franceze. Përsëri shpreh dëshirën të realizojë nga ato këngë që ka grumbulluar me “nagrën” e tij, një disk me muzikë popullore shqiptare, duke patur mbështetjen e autoriteteve të kulturës në Shqipëri. Nuk di si të veproj, pasi në fakt nuk më takon mua të merrem me realizimin e dëshirës së mikut tim, sidoqoftë e transmetova kërkesën e Marcelit. Ky njeri është pritur me respekt të veçantë në disa vende të Ballkanit, ka realizuar me kompetencë disa emisione të bukura për muzikën popullore shqiptare në Radio Suisse Romandë, por nuk e kuptoj se ku duhet të konsistojë angazhimi i tij për realizimin e një disku, kur ne si shqiptarë kemi interes ta tërheqim një figurë të tillë të njohur botërisht në fushën e muzikës “arkaike”, popullore. Ai ka fiituar një “Oskar” për muzikën popullore të Ballkanit.

dhjetor 1996. Kam filluar punën në një shoqëri multinacionale. Kam një kontratë të rregullt, me afat të pacaktuar. Puna me organizatat ndërkombëtare ishte gjithashtu dobiprurëse për mua. Atje mësova shumë. Me punën time arrita edhe postin e profesionistit P-4. Por nuk kisha ndonjë mbështetje të veçantë nga vendi im. Megjithëse këshilltari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ish drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, francezi, Francis Blanshard, më thoshte gjithmonë: “Alfred, duhen vetëm dy gisht letër nga autoritetet shqiptare dhe unë do të bisedoj për një post që ti e meriton”. Nuk e di por e kisha bezdi t’i lutesha dikujt atje në Tiranë dhe mbi të gjitha kisha patur një përvojë të hidhur me një “qoftëlarg” që në vend të vinte vetullat nxorri sytë. Tregoi veten, por edhe mua më dëmtoi. Më kujtohet se një funksionar i lartë amerikan në UNCTAD që e kisha koleg dhe mik, më kishte thënë një ditë: “Dikush nga shqiptarët që punon në një organizëm ndërkombëtar në Tiranë i ka thënë drejtorit të këtij organizmi se ne të dy s’kemi pse merremi me projektet që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Kjo është e pabesueshme. Të vësh duart në kokë. Ti dhe unë po ndihmojmë në mënyrë modeste për projekte me vlerë dhe këtë mund ta bënim edhe për një vend tjetër kudo, në Ballkan apo Europë. Çfarë emri mund t’i vihet një logjikë të tillë që dëmton ecurinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. Unë vete ndoshta do të tërhiqem pak, pasi mund të ndihmoj një vend tjetër ballkanik me përvojën time, por ti në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqesh…”

Mora vesh se ambasadori shqiptar, miku im Ksenofon Krisafi, para se të largohet nga detyra ka bërë një kërkesë në OIT dhe organizma të tjera ndërkombëtare që unë të mund të vazhdoj punën atje si funksionar ndërkombëtar. Siç duket dikush atje në Tiranë ka menduar se unë jam i vlefshëm edhe duke qënë funksionar i pavarur, për vendin tim. E vlerësoj një përçapje të tillë nga ana e ambasadorit, për të cilin kam respekt të veçantë, por tani është tepër vonë. Unë kam filluar punën tek shoqëria multinacionale, në sajë të këmbënguljes edhe të mikut tim italian Roberto Cerboni, i cili ruan si kujtim të mirë që unë e kam ndihmuar dikur për të përfunduar një biznes për grurin me Shqipërinë. Më mungojnë kolegët e mij të punës tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave të Byrosë Ndërkombëtare të Punës, ku kalova disa vite gëzimesh, përpjekjesh dhe kënaqësish të përbashkëta. Më mungon Denisi, Fabio, Ivani, Shërlei, Zhan-Mari, Irma, Beatris e shumë të tjerë. Shoh shënimin e drejtorit tim danezit Elsmark, i cili përveç karakteristikës shumë të mirë për mua, në një kartëpostale më shkruan ndër të tjera: “We have very much appreciated to have you as a collegue in PUBL. We wish you and your family all the best in 1996. Ivan Elsmark”. (Ne kemi vlerësuar shumë që ju kemi patur si koleg në PUBL. Urojmë për ju dhe familjen tuaj çdo gjë të mirë në 1996. Ivan Elsmark). Ndërsa Beatris më shkruan: “Kurajo Alfred. Kujtoju se gjithmonë diku ndodhet edhe një qoshe qielli ku jemi edhe ne. Të dërgoj miqësisht këtë mesazh”. “ Gjithmonë është një rreze drite që ndriçon edhe për ne. Fat të mbarë dhe mos na harro. Zhan-Mari”. Ndërsa Denisi, informaticien i zoti që shpesh më nxirrte nga situata kur nuk “punonte” mirë ordinatori më shkruan: “I dashur Alfred! Faleminderit shumë për punën tënde të çmuar dhe sjelljen tënde shëmbullore. Mirupafshim së shpejti. Sinqerisht. Denisi”.

Këta miq më kujtojnë gjithmonë thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës sonë, pas çdo zënke me një mik”.

Dhjetor 1996. Beni Nati vjen nganjëherë në Gjenevë. Është i muhabetit dhe ka shumë shaka. Më tregon historinë e atij Sokolit që i hypi aeroplanit për në Gjenevë dhe nuk e dinte fare frëngjishten. Kur e pyetën si ja bëre me gjuhën. Ai ishte përgjigjur: Ke parë ti, sa hyra në Zvicër m’u zgjidh gjuha. Më erdhi një frëngjishte e bukur. Vajta dhe në restauronte dhe kamerieri më tregoi disa djathëra, duke më treguar me gisht, një lloj djathi që nuk ja mbaj mend emrin: “A e njeh këtë djathë?”. “Unë i thashë, përgjigjet Sokoli, vij nga vendi i djathit, Gjirokastra”…Beni na tregon dhe një histori tjetër. Vite më parë, ministrja e arsimit shqiptar, do të priste një delegacion nga Zvicra. E shqetësuar merr në telefon dikë dhe i thotë: “Lutemi, na gjeni një përkthyes për zvicerançen, se presim një delegacion të rëndësishëm!!!”

Janar 1997. Napolon Roshi nga Ljubljana më dërgon me një dedikim librin e tij “Terminologji, ngjarje, organizata, Personalitete shqiptare dhe botërore”. Në të ndër të tjera ai shkruan” Shokut tim Alfred Papuçiu, me respekt dhe dashuri, Ljubljanë, 21.01.1997”. Më kujtohet se kur u botua libri im, hartuar sëbashku me profesor Omer Hashorvën, vite më parë, për “eurokomunizmin”, ai më përshëndeti përzemërsisht dhe në faqet e gazetës “Bashkimi”, si dhe në “Drita”, ku unë isha bashkëpunëtor i rregullt i faqes së katërt, bashkë me Shaban Muratin dhe Kastriot Gjinin, dilte rregullisht për 3 javë rresht citimi i botimit të librit. Pastaj, papritur një heshtje. Më thanë se libri ishte hequr nga qarkullimi (ndërkohë ishte shpërndarë një pjesë e mirë e tij), pasi E.Hoxha nuk e kishte përdorur deri atëhere akoma termin “eurokomunizëm”, në fjalimet e tij. Megjithatë, libri u pëlqye dhe ishte një punë e gjatë e skedimeve dhe analizave të mija, lidhur me “eurokomunizmin”, figurat e tij kreysore, Marshenë në Francë, Kariljon në Spanjë dhe Berlinguerin në Itali. Libri përmbante sidomos fakte nga jeta e këtyre “eurokomunistëve” apo manjatëve të tjerë “eurokomunistë” që shpesh mendonin për interesat e tyre vetjakë dhe aspak për popujt e tyre.

Dhjetor 1997. Detyrohem të shkoj në Tiranë, lidhur me një biznes që multinacionalja jonë amerikane ka realizuar me disa kompani shqiptare. Njëra nga to që e quan veten si më e forta, ka nxjerrë një problem të kotë dhe pa baza. Kur të tjerët festojnë Krishtlindjet unë shkoj në Durrës tek anija e mbushur me mall, bashkë me kolegun tim francez dhe përfaqësuesin e Shoqërisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë. Atje na presin disa përfaqësues të kompanive, disa “profesorë” (njeri prej tyre kishte qënë student në Zvicër dhe disa herë kishte shërbyer si ciceron, për të fituar ndonjë frangë më tepër, kur vinin ansamble shqiptare për të dhënë shfaqje. Më kujtohet se në një rast kisha shkruar për të në gazetë). Kërkova kapitenin e anijes. I thashë të na përgatitet një drekë me ushqimin që kishte ardhur. Pijet do t’i paguaja unë. Ftova të gjithë të hanim drekë sëbashku. U theksova se unë do ta ha i pari ushqimin e përgatitur me mallin që ka ardhur enkas për juve. Nëse unë pësoj ndonjë gjë, jam i siguruar dhe familja ime do të ketë një rentë. Fillova të ha dhe të tjerët më shihnin. Kolegu im francez buzëqeshte. Më vonë më tha se veprove shumë mirë dhe në kohën e duhur…

Përsëri, për shkak të ngulmimit të atij “profesori”, ekspert i analizave, malli qëndron i bllokuar. Nuk kam asnjë respekt për atë njeri fodull, por kam respekt për ata profesorë të vërtetë shqiptarë që e meritojnë atë titull, pasi dijnë të argumentojnë dhe mbrojnë pikpamjen e tyre. Është e lehtë të jesh snob që i gjen me shumicë edhe në Perëndim që nga lypësat e deri tek milionerët. Atë natë nuk më zinte gjumi. Pastaj kllapita. M’u shfaq para syve ai “profesor” i cili më bënte pyetje nëse me të vërtetë mendoja se kjo tokë ishte krijuar nga snobizmi. Tamam sikur ai njeri e vinte baraz veten me Zotin dhe tekstet e shenjtë. Ose prano, më thoshte ai që unë jam si Zoti, ose Zeusi.

Kur u zgjova isha mbushur me djersë dhe për ta hequr atë mundim bëra një dush të lehtë dhe me ujë të vakët.

Ndërkohë, dy nga kompanitë e kanë shkarkuar pjesën e tyre dhe kanë filluar shitjen. Bile një këshilltari të lartë të presidencës së asaj kohe I kujtova se kompania multinacionale kishte dhënë si dhuratë pajisje me vlerë dhe kishte qënë ajo që furnizonte me korektesë me mallra Shqipërinë. Pak më vonë, anija iku, duke marrë me vete pjesën tjetër të mallit që duhej shkarkuar në një rajon tjetër të Ballkanit.

Mendoja atë ditë të kthimit në Zvicër. Si është e mundur një gjë e tillë? Shoqëria multinacionale kishte humbur shumë të holla nga mbajtja e “anijes peng” në Durrës. Disa muaj më parë drejtori më kishte lavdëruar për punën e mirë me Shqipërinë. Në fakt unë kisha ndërtuar një rrjet miqsh të kompanive private, të cilat ishin të interesuara të merrnin sheqer, grurë, vaj, misër e produkte të tjera të nevojshme për popullsinë. Çmimet ishin tepër të arsyeshme, pasi gjithmonë gjeja mundësinë e transportit nga porte afër me Shqipërinë, si Itali, Kroaci, Bullgari, apo Rumani. Kishte raste që me vende të tjera shoqëria jonë fitonte një tender prej 50.000 tonë grurë, elb, apo misër, si dhe sasira të konsiderueshme vaji apo produkte të tjera që shkonin në tërë anët e botës, që nga Algjeria, Egjipti, Kina, Qipro, Malta, Maqedonia e Veriut, ish-Jugosllavia e kudo në botë. Se shpinim në Shqipëri çdo muaj 5000 ton grurë, apo 2000 ton sheqer, apo 1000 ton vaj,  nuk ishte ndonjë gjë e madhe dhe me vlerë të kosniderueshme për multinancionalen, por unë ndjeja kënaqësi, sepse çoja diçka për bashkëkombasit e mij. Mbi të gjitha kisha edhe mundësi të udhëtoja shpesh në Shqipëri, ku përfitoja vetëm biletën e udhëtimit, pasi për t’u strehuar dhe ngrënë nuk kisha nevojë se kudo isha i mirëpritur unë dhe kolegët e mij të huaj që vinin me mua.

Udhëtimi i dhjetorit më bëri që të jem më i matur me kontaktet me ndonjë kompani shqiptare që nuk tregonte seriozitet. Më vonë doli se ata që vendosnin tek ajo kompani, as nuk mirrnin vesh fare nga biznesi dhe tregtia reciproke, sidomos me shoqëritë multinacionale amerikane.

19 Janar 1998. U mbushën 10 vjet që Todi Kokoneshi u largua nga kjo jetë. Iku edhe ai i ri. Kishte mbushur vetëm 62 vjeç. Më kujtohet se ishte tepër gazmor, por mbi të gjitha me karakter dhe i drejtë. Gjithë jetën u rropat atje fshatrave të Pogradecit. Ndihmoi shumë njerëz jo vetëm të rrethit të tij, por edhe bashkëfshatarë që i kërkonin një ndihmë apo këshillë. Kishte shumë respekt për njerëzit dhe familjen e kishte si diçka të shenjtë. Lexonte shumë dhe dinte të tregonte historira për njerëz e ngjarje, si dhe bënte shaka. Fëmijët i donte shumë. Pak më tepër të bijën e madhe, sepse edhe ajo e donte shumë dhe bëri gjithçka që mundi për t’i lehtësuar dhembjet që i shkaktoi poliartriti rematoid. Edhe fëmijët e donin shumë si Flora, Vaska dhe Piro.

Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, me…

Këto mendime më vinin në mendje këto ditë kur shihja atë kolegen time përkthyese, e cila gjithë jetën e ka shkrirë për të ardhmen e fëmijëve të saj të mirë e të urtë, pa harruar të kujtojë edhe të atin që e solli në jetë, e që nuk jeton më, pa harruar nënën e saj që është atje larg, por që shpesh e fton të qëndrojë pranë saj dhe kujdeset për shëndetin e saj, megjithëse ajo po i afrohet të 75-save…Kam dashur të shkruaj edhe më parë për të, për rrugën e saj të mundimshme në jetë, për hallet dhe gëzimet e saj, për gjithçka që i jep kënaqësi, por ajo nuk më ka lejuar. Jeta e saj, siç shprehet ajo është tepër e zakonshme, dhe nuk ja vlen të shkruhet, ashtu siç nuk ka diçka të veçantë të shkruhet për prindërit tanë…Unë kësaj radhe, nuk po e dëgjoj atë, megjithëse e dij se do të më zëmërohet kur të lexojë këto rradhë, si edhe bashkëkombësit e saj në Zvicër apo gjetiu, ku i kanë çuar rrugët e jetës. E di se ka qenë sypatrembur dhe do të mbetet e tillë. Në këtë drejtim ka marrë diçka nga i jati,  që u largua ashtu papritur nga kjo jetë, 15 vite më parë, atë ditë të 19 janarit 1988. Iku për të mos u kthyer më, por la kujtimin e mirë të babait të urtë, të sjellshëm, që i edukoi fëmijët me frymën e dashurisë për Atdheun, për Llëngën e Pogradecin, me frymën e solidaritetit dhe respektit për njeri tjetrin. Ai ishte një njeri i thjeshtë, për të u shkruajt vetëm disa rreshta kur vdiq, por ai ishte një njeri me zemër të madhe. I donte njerëzit, shokët, të afërmit, i ndihmonte kur mundte, kurrë nuk bërtiste apo të shihte vëngër, por vetëm drejt në sy. Kishte ardhur në Tiranë, pas viteve të shumta të kaluara në qytetin e tij, buzë liqenit të Pogradecit, pas një pune të lodhshme fshatrave, për t’u bashkuar me shokët e tij. Vinte nga një familje me tradita patriotike. I jati, Dhimitër Kokoneshi ishte i njohur, si prifti i Llëngës, i cili kishte arritur të blinte malet rreth Llëngës dhe nuk kishte lejuar për asnjë çast që fshatarët e varfër të paguanin taksa, pasi rropateshin për të fituar bukën e gojës. Ai u bë edhe kryepeshkop i Shqipërisë dhe rrojti shumë, 87 vjet, por i biri iku shumë më shpejt. Siç duket vitet e kaluara, duke ecur në baltë e duke punuar pa parë orarin dhe interesin vetiak, i kushtuan që të ikte shpejt nga kjo jetë. Edhe në fund ishte gazmor dhe nuk i linte shakatë e tij me kripë. Kishte respekt të veçantë për bashkëfshatarët e shumtë që nuk mungonin t’i bënin vizitë në Tiranë. Shpesh shkonte edhe ai tek ata, i takonte dhe shkëmbente me ta mendime, duke u dhënë këshilla dhe duke mësuar prej tyre. Me thjeshtësinë e tij, me maturinë dhe kujdesin që tregonte për ta, si edhe për të afërmit, për t’u siguruar një shkollë në bazë të aftësive të tyre, apo për t’i çuar tek një mjek i mirë, gjithë jetën e tij pati privilegjin të ndante çastet e gëzueshme apo hallet me ta.

Prill 1999. Më tregonte ai miku finlandez për dy bashkatdhetarë të tij që u takuan pas dhjetë vitesh bashkë. Njëri i thotë tjetrit: “Cfarë do marrim për të ngrënë?”. Shoku përgjigjet:”A kemi ardhur për muhabet apo për të ngrënë…” Në Finlandë edhe në krahun e këmishës mbajnë flamurët e ndryshëm për të treguar se çfarë gjuhësh dijnë…Ndërsa, diku në një vend të botës, ndërsa pronari i hotelit kishte vënë në hyrje: “Këtu fliten të gjitha gjuhët”, dikush i bëri një pyetje në arabisht. Pronari i hotelit nuk dinte t’i përgjigjesh. Klienti i tha: “Si është e mundur, pse e vë kot pankartën?”. Hotelxhiu u përgjigj në gjuhën e vet: “vetë turistët që vijnë e dijnë gjuhën e tyre!”

Qershor 1999. Franko më fton me Rozen tek vila e tij në Francë. Ka qënë një fermë e vjetër, të cilën ai e bleu një të shtunë kur kishte dalë për shëtitje me të shoqen. Me duart e tij të arta ja ndroi krejtësisht pamjen. Kati i tretë mund të pranojë deri në 60 vete, në një mjedis të këndshëm, me xhamllëk, pa harruar edhe me ngrohje në dimër. I jati është me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë. Ka edhe shtëpinë atje që e ka trashëguar nga i jati. Është brezi i dhjetë i një familjeje që është larguar nga Puka në vitet 1700 për në brigjet e Dalmacisë, si rezultat i konflikteve me osmanllinjtë. E kanë ruajtur fenë e tyre të krishterë, por edhe ritet dhe gjuhën shqipe që përdoret në lagjen e “Arbanasve”. Franko dhe e shoqja Joël,  janë shumë mikpritës dhe me time shoqe kemi shkuar disa herë. Kishte ftuar edhe një profesor të dëgjuar polak, që kishte ardhur me të shoqen dhe të bijën që do vazhdonte studimet në Francë. Diskutimet u përqëndruan sidomos në problemet e kulturës dhe të gjuhëve tona.

Korrik 1999.Shkoj me pushime në Palma de Majorka. Një mrekulli e vërtetë, me ato plazhe fantastike tek “Kala d’Or”, apo në vende të tjera, ndërtuar aq bukur nga dora e njeriut. Plazhet e rregulluara nuk kanë shumë rërë si tek ne, por gjithçka është ndërtuar siç duhet. Më thonë se një pjesë e mirë e hoteleve janë subvencionuar nga emigrantë spanjollë që punojnë në Evropë. Ata kursimet e tyre i kanë derdhur për ndërtimin e këtyre hoteleve luksoze. Kanë të drejtë të shkojnë nga një muaj në vit gratis atje dhe të pushojnë. Në fund të vitit, pasi bëhet llogaria e fitimit, pjesa që i takon çdonjerit derdhet në konton e tij bankare atje ku jeton. A nuk mund të bëhej edhe tek ne në Shqipëri një gjë e tillë? Pse u desh që shumica e shqiptarëve të humbin dhjetra miliona dollarë tek shoqëritë piramidale? Pse duhej të ndodhnin ato drama në familje të shumta shqiptare që humbën shtëpinë e tyre, apo bagëtinë, duke menduar se do të fitonin diçka më mirë? Shqipëria me kanalizimin e atyre të hollave për investime në vend, do të kishte mundur shumë shpejt të kthehej në një vend të begatë me standarte europiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të Europës as nuk do mendonin të shonin atje. Shqipëria ka një bregdet të bukur, tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore, turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë, të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në Universitetet më të mira të botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale, ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit. A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun “Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët europianë, por edhe me vende të tjera të botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, të gjithë janë një. Unë nuk jam dakord me ata nihilistë që thonë se Shqipëria nuk mund të avancojë po nuk u bën ndryshime në mentalitetin e njerëzve.  Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë apo udhëtoj diku, nëpër territorin e saj mrekullohen me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura të kaluara buzë detit Adriatik. Nuk mund të harroj udhëtimet në Rivierën shqiptare, në Valbonë,  në Korçën me ato rrugët karakteristike, apo atje buzë Gjanicës në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe ku stërgjyshi im kishte ndërtuar kishën dhe ish kujdesur vite të tëra për mbarëvajtjen e saj.. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës” ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.

 

Nga ditari i një ish diplomati

Pjesa e IV

Alfred Papuçiu

  1. Liviu Bota, rumun dhe këshilltar i posaçëm i Jan Martensonit, zëvëndëssekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe Drejtor i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, më takon dhe më pret me përzëmërsi në zyrën e tij. Më flet hapur për persekutimet që i ka bërë dikur Çaushesku, për vuajtjet e tij, por që vetëm presioni ndërkombëtar e detyroi të tërhiqej. Në atë kohë, Liviu Bota kishte qënë funksionari më i lartë për atë organizmin e OKB-së, për çarmatimin në Gjenevë. Edhe e shoqja është një grua e urtë dhe e sjellshme. Edhe ajo rumune dhe punon në Bibliotetkën e Kombeve të Bashkuara. Kanë vetëm një vajzë që studjon për mjekësi. Liviu ka ndikuar sëbashku me Jan Martenson për kërkesat e mija për një jurist të ri që të merrte pjesë në një seminar një mujor të OKB-së, si dhe për pjesëmarrjen 6 mujore të një diplomati shqiptar, i cili vazhdoi rrugën e tij si ambasador.
  2. Funksionari bullgar në Departamentin e Energjisë të KEE është shumë i sjellshëm dhe shpesh herë më ve në dijeni për mundësi për bursa dhe specializime për specialistët tanë të energjisë. Ata kanë përfituar disa udhëtime studimore në Gjenevë, apo edhe gjetiu nga projektet e KEE dhe PNUD-it. Edhe funksionarja turke e Departamentit të transportit është shumë dashamirëse.

Shtator 1991. Ftohem të marr pjesë në konferencën dy ditore “Sigurimi europian në vitet 90-të: problemet e Evropës Juglindore”. Konferenca zhvillohet në Rhodes të Greqisë. Ftesa m’u bë nga drejtori i UNIDIR-it, Jayantha Dhanapala. Me mua vjen dhe ambasadori bullgar, Teodor Ditcev që është një mik i imi dhe me tepër përvojë. Tashmë unë jam funksionar ndërkombëtar dhe ai vazhdon të jetë ambasador ku përfaqëson vendin e tij në Kombet e Bashkuara. Bëjmë një ndalesë në Athinë, ku na pret miku im Kastriot Robo, sekretar i parë i ambasadës. Na shëtit nëpër Athinën e bukur dhe pastaj nisemi me aeroplan për në Rhodes.  Sa zbresin më bën përshtypje ai vend i bukur. Vendosemi në hotel. Papritur përpara më del ish-ambasadori ynë në Nju Jork, Abdiu. Bisedojmë miqësisht. Darka kaloi me tingujt e buzuqeve karakteristike greke dhe me mezetë e shumta. Të nesërmen filloi konferenca.

  1. Më së fundi Karta e Helsinkit u firmos edhe nga Shqipëria. Të paktën në analet e historisë të mos mbetet prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i saj që ka aspiruar prej kohësh, që nga Skënderbeu për Evropën, duke qënë gjeografikisht në Evropë, por jo de jure.
  2. Në Pallatin e Kombeve vjen ministri i jashtëm shqiptar, Alfred Serreqi, në një konsultë për Ballkanin. Bashkë me të ishte edhe një i njohuri im, Petrit Bushati, të cilin e kam takuar vite më parë kur ishte në ambasadë në Vjenë. Unë shkoja shpesh në Vjenë, pasi meqënëse nuk kishim akoma ambasadë në Bernë mbuloja edhe marrëdhëniet dypalëshe me Zvicrën. Ambasadori ynë në Vjenë ndërkohë ishte edhe ambasador pranë Bernës. Me të kisha shkuar edhe për paraqitjen e letërkredencialeve Presidentit zviceran. Më parë shkoja shpesh në Bernë dhe kisha marrëdhënie të mira sidomos me një funksionar në Departamentin e jashtëm, Nobs, i cili ishte me kulturë dhe e njihte mirë zonen e Ballkanit.
  3. Shkoj më shpesh tek shitësi ambulant Idriz, i cili më shërben me kulturë fruta dhe zarzavate të stinës. Është një treg i madh në Francë, tek Ville–la Grande dhe të jep kënaqësi sikur edhe të shkosh të kalosh një orë ditën e djelë. Shpesh shkoj edhe tek shitësit e katër stinëve në Gjenevë që sidomos janë turq dhe blej fruta dhe zarzavate të freskëta.
  4. Sot pashë në shtypin shqiptar disa pasazhe të një studimi tim të dikurshëm mbi marrëdhëniet me vendet e Shoqatës Europiane të Shkëmbimit të Lirë (AELE), ku bën pjesë edhe Zvicra. Ato janë rimarrë fjalë për fjalë nga një “kandidat shkencash” në ekonomi që e njoh. U çudita si ai njeri guxon të mos vërë të paktën një burim, se ku e ka marrë atë studim! Vazhdimi i studimeve të Larta Europiane në Universitetin e Gjenevës po më ndihmon për të patur një pamje më të qartë të problemeve europiane, dhe sidomos atyre që lidhen me vendin tonë. Një Universitet i dytë ku merr një formim më të plotë për problemet ekonomike, juridike, sociale, rajonale e politike të Europës. Të kësaj Europe moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike, të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane të shtyn të gërmosh më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Evropën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.

Mars 1992. I ndjek me kujdes zhvillimet e bashkëpunimit të Bashkësisë Europiane me Shqipërinë. Në Bibliotekën e Pallatit të Kombeve, e shoqja e një të njohurit tim më jep gjithmonë libra apo shkrime ku flitet për Shqipërinë. Për shembull, marr vesh se më 11 mars 1992, Parlamenti europian vendosi të miratojë bisedimet për një marrëveshje të tregtisë dhe të kooperimit midis Bashkësisë Ekonomike Europiane dhe Republikës së Shqipërisë. Parlamenti theksonte se ndihma e drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë është një domosdoshmëri absolute për t’i garantuar popullsisë një nivel minimal jetese dhe me afat të mesëm, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Bashkësisë dhe Shqipërisë, veçanërisht me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, të cilat përbënin një mjet më të përshtatshëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Demokracia e brishtë në Shqipëri ka nevojë për një ndihmë konkrete për krijimin e institucioneve demokratike, për shkëputjen e tyre nga kthetrat e njerëzve nostalgjikë të diktaturës së E.H. që e mbajtën vendin larg proceseve mirëbërëse europianoperendimore.

Korrik 1992. Me miqtë e mij funksionarë ndërkombëtarë bisedoja mbi mundësitë që mund të krijoheshin, lidhur me ndihmën që i duhej dhënë Shqipërisë në këtë periudhë tranzicioni. Mundësitë ishin të shumta, veçse duhej vepruar shpejt dhe i duhej përgjigjur sa më parë kërkesave për të dhënë njoftime për zhvillimin, si edhe ku duhej përqëndruar ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, në këtë drejtim po bëheshin hapa. Më 22-23 korrik 1992, në Tiranë organizohet mbledhja e Grupit të 24-tërve. Mbledhja u drejtua nga Frans Andriessen, zëvëndëspresident i Komisionit, të cilin e kisha takuar në Bruksel në shtator 1991.. Ajo pati si synim që të hartohej një strategji me afat të mesëm lidhur me masat e ndryshme mbështetëse për procesin e reformave politike dhe ekonomike në Shqipëri. Grupi i të 24-tërve përgëzoi qeverinë shqiptare për përparimet në demokratizimin në Shqipëri dhe ngulmoi mbi domosdoshmërinë për ndjekjen e ndihmës humanitare urgjente dhe veçanërisht që të mbuloheshin nevojat ushqimore deri në korrjet e vitit 1993. Ju dha përparësi sidomos rëndësisë për një mbështetje sektorit bujqësor ku punojnë 65 për qind e fuqisë punëtore në Shqipëri, me qëllim që vendi të ecte në rrugën e plotësimit vetiak për ushqime.

Tetor 1992. Bashkësia Europiane vendos, duke patur parasysh ashpërsimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, ta fusë këtë vend në listën e vendeve përfituese të programit ECIP (European Community Investment Partners), domethënë për të shpejtuar investimet e vendeve të Bashkësië në Shqipëri.

Nëntor 1992. Shumë biznesmenë shqiptarë që banojnë jashtë shtetit ndjekin me vëmendje të veçantë zhvillimet në Shqipëri. Disa prej tyre kanë ndërmarrë studime dhe po bëjnë investime për të krijuar baza të shëndosha sidomos në fushën e tregtisë, e në përgjithësi të ekonomisë, me vendin e tyre të origjinës. Konstatohet një veprimtari në rritje sidomos e shqiptarëve të Kosovës që banojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën e shërbimeve dhe tregtisë me pakicë. Shpesh ata kanë edhe njerëz të familjeve të tyre në Shqipëri, kështu që lidhja është më e lehtë dhe fitiprurëse për të dy palët. Në fushën ndërkombëtare shihet një rritje e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkësinë Ekonomike Europiane/ programi PHARE, me PNUD-in, UNICEF-in, OMS, Komisariatin e Lartë për Refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën etj. Duke parë numrin në rritje të partnerëve të huaj, qeveria shqiptare vendosi të krijojë në gjirin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës, një departament të ngarkuar me koordinimin e ndihmës nga jashtë. Shqipëria do të ishte e udhës që të krijonte sa më parë “zona të lira”, sepse ato do të japin mundësi për tërheqjen e kapitalit të huaj, por akoma këtë nuk e lejon konteksi politik. Megjithatë, programi i tranzicionit drejt ekonomisë së tregut– objektiv drejt të cilit shumica e kandidatëve e kishin afishuar gjatë fushatës elektorale, ishte për një privatizim të kufizuar për sektorët kryesorë të ekonomisë, tregtisë, industrisë së lehtë, asaj minerare, turizmit, transportit. Në fushën e bujqësisë, ju shpërnda toka çdo fshatari, ish anëtar koperative ose banor i fshatit me 0,1 hektarë tokë për çdo fshatar. Por doli problemi se parcelat e tokës së shpërndarë nuk jepnin mundësi për krijimin e një bujqësie të mjaftueshme për të plotësuar nevojat vetiake, si edhe për konsum.

Dhjetor 1992. Jam duke çfletuar librin e ish-profesorit tim të ekonomisë së shërbimit në Institutin Europian të Gjenevës, profesor Orio Giarinit, me titull: “Rreziqet e sigurisë”. Profesori i shquar, që ka mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Austin, jep disa mesazhe të qarta se si duhen përballuar rreziqet në një ekonomi të re shërbimi. Libri do të më vlejë shumë për studimin tim: “Shqipëria dhe Europa: perspektiva të integrimit”. Më pëlqen kur spjegon profesori, pasi i ka frazat shumë të qarta dhe jep shembuj konkretë e domethënës. Është ndër të tjera Sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes federaliste udhe anëtar i Klubit të Romës.

Dhjetor 1992. Në kohën kur shoqëria dhe morali shqiptar kalonin një periudhë tranzicioni drejt ekonomisë së tregut, në kryeqytetin Tiranë, por edhe në qytete të tjerë, dyqanet e artikujve të luksit, të importuar, afishonin me gërma të mëdha reklamat për “Koka-Kolën”, “Marlboron”, si dhe reklama për ndërmarrjet që prodhonin kostume popullore. Në gazeta shihet të flitet për linjën ajrore private “ADA AIR” të Julien Roch, me bashkëpronar Marcel Skëndon, që mbulon Tiranën – Bari – Tiranë; “Nderalb” ndërmarrje private e ndërtimit që ndërton hotele, objekte tregtare etj. Mentaliteti ka evoluar në Shqipëri. Vete shqiptarët e kanë parë nevojën e “informacionit publiçitar”. Lindi dhe një treg publiçitar që as ekzistonte më parë. Çdo ekonomi tregu ka një industri të rëndësishme reklamash. Një bashkëpunim mbi baza të shëndosha me agjencitë perendimore të reklamës do të jepte mundësi të gjenden dhe rrugë të tjera të mundëshme për të tërhequr klientelën.

Shkurt 1993. Sipas një sondazhi të EUROBAROMETRIT, afro një banor në dy (45 për qind) “mendon se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore të vendeve të tyre përparon shumë ngadalë;  një banor në tetë (12 për qind) “mendon se ky proces po bëhet siç duhet” dhe një në pesë (15 për qind) “shumë shpejt”. Në Shqipëri, sipas një sondazhi të sipërpërmendur, 56 për qind e personave mendojne se procesi i privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore përparon shumë ngadalë, 21 për qind mendojnë se ai përparon siç duhet dhe vetëm 13 për qind mendojnë se ai përparon “shumë shpejt”. Sipas dokumentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD) “Strategy for Albania”, BERD po kryen tani veprimtari konkrete të privatizimit dhe të ristrukturimit në dy sektorë kyçe: kromin dhe turizmin që me sa duket do të luajnë një rol model për transakcionet e ardhshme në industritë kryesore. Janë vënë re disa përparime të rëndësishme në vendosjen e një kuadri ligjor për zhvillimin e sektorit privat. Janë miratuar një numër ligjesh nga ana e Parlamentit shqiptar. Fushat që mbluon legjislacioni janë: ndërmarrjet shtetërore, falimentimet, përparësia e zhvillimit ¨të zonave turistike, liberalizimi i çmimeve dhe i tarifave, investimet e huaja, ndërmarrjet private.

Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm, por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mugesa e legjislacionit përkatës, për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike. Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale të dukshme, por pranë kufinjve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në ish-Jugosllavi, gjendja është e acaruar. Topat dhe lufta në Bosnjë –Herzegovinë nuk shkatërojnë vetëm Sarajevën, por ushëtima e tyre godet edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Maj 1993. Zvicra është anëtare e Shoqatës Europiane për Shkëmbimin e Lirë (AELE). Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të përfitojë nga përvoja e këtij vendi të vogel, por me një potencial të pamasë. Krijimi i një zone të shkëmbimit të lire ka qënë dhe mbetet qëllimi i bisedimeve midis vendeve të AELE dhe Europës Lindore. Këto marrëveshje parashikojnë një liberalizim të shpejtë të shkëmbimeve. Shqipëria ka si synim të diskutojë problemin e një ndihme teknike dhe financiare të AELE, duke realizuar një program për zhvillimin e tregtisë dhe inkurajimin e eksporteve shqiptare. Duke ju përgjigjur kësaj kërkese AELE organizoi dy kurse intensive mbi ekonominë e tregut, më 19 prill 1993 dhe 17 maj 1993. Programi i edukimit të AELE përfshin edhe Shqipërinë dhe dhjetë studentë shqiptarë do të pranohen në vitin akademik 1993/94.

Qershor 1993. Rangu i partnerëve ekonomikë të Shqipërisë në 1992 ka ndryshuar në 1993. Natyrisht, Italia është furnizuesi i parë dhe klienti i parë i Shqipërisë. Si përsa i përket ndihmës humanitare, ashtu edhe në fushën dypalëshe, Italia është në krye të partnerëve perendimorë. Jo vetëm lidhjet midis dy vendeve janë të shumta dhe të vjetra, por nga ana tjetër Roma përpiqet të krijojë kushtet që të mos jetë përballë një fluksi masiv të mijra shqiptarëve. Kështu që ajo po përpiqet të bëjë një punë parandaluese, duke kontribuar sa të jetë e mundur në ngritjen e ekonomisë shqiptare. Tabela e investimeve është domethënëse: nëse investimet në projekte me afat të shkurtër dhe të mesëm në 1992 ishin 27 milion dollarë, në 1993 ato arritën në 37 milonë dollarë, sidomos në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, telekomunikacioneve, turizmit dhe sektorit energjetik.

Qershor 1993. Gazetari i TV Suis Romandë, Pjer Bardë na fton bashkë me Rozën në shtëpinë e tij në Zhento. Është një shtëpi e ndërtuar bukur, me stil të vjetër, në pronën e trashëguar nga të parët e tij. Aty pranë ka edhe vreshtat prej nga merr çdo vit prodhimin e një vere të mirë. Ai është i pasionuar pas letërsisë dhe sidomos pas Ismail Kadaresë, veprat e të cilit në frëngjisht zënë vendin kryesor në Bibliotekën e tij të pasur. Më flet me simpati për vizitën e tij të dikurshme në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. E shoqja, Liza, arkitekte na tregon për restaurimet e fundit të bëra në një kishë të vjetër të Gjenevës. Një nga vajzat e tij vazhdon zhirimin e filmave në Belgjikë dhe është bërë një kineaste me emër. Ndërsa tjetra është e pasionuar pas ecjes me kuaj.

Tetor 1993. E ndjek me vëmendje ecurinë e marrëdhënieve të vendit tim me organizmat ndërkombëtare. Personalisht nuk mund të ndikoj në mënyrë të veçantë, pasi nuk dua që dikush të thotë “po ndërhyn në punët tona”. Por si shqiptar e ndjej për detyrë që të jap një ndihmesë modeste. Në Organizatën Ndërkombëtare të Punës ku kam filluar të punoj, si funksionar P-4, në Drejtorinë e Edukimit Punëtor, gjej mundësi sidomos në Departamentin e Ndihmës Ekonomike dhe në atë të Europës, me Di Bernardon, italian që të stimulohet organizimi i seminareve edhe në Shqipëri, me fondet e Organizatës, apo dhe fonde të tjera të mundshme. Kam përgatitur disa materiale interesante për këto seminare, me ndihmesën e kolegëve të mij, të cilët pastaj u përmblodhën në një libër të veçantë. Gjithashtu kam përshtatur botimet bazë të OIT në shqip, të cilat dërgohen pastaj në Shqipëri për sindikatat apo punëdhënësit, lidhur me kontratat kolektive, si duhen duhen zhvilluar bisedimet e përbashkëta midis pronarëve dhe punonjësve. Tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave gjej një përkrahje të plotë nga drejtori i këtij departamenti, danezi Ivan Elsmark. Ai është një njeri me tepër horizont dhe shpesh flas me të për probleme që lidhen me botimet. Kam si udhërrëfyes në OIT dhe zotin Mishel Servé, belg, që ka një përvojë të pasur. Ka qënë këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, e tani është drejtor Departamenti dhe nxjerr revistën prestigjioze të OIT. Formimin e ka si jurist. Disa herë më ka ftuar me time shoqe në shtëpinë e tij, ku fton edhe kolegë të tjerë. Shpesh bisedojnë për udhëtimet e shumta që bëjnë jashtë. Unë dhe Roza përpiqemi të shprehim diçka me modesti, megjithëse s’para se kemi dalë shumë jashtë Zvicre, për shkak të preokupacioneve familjare. Maja e shoqja e Mishelit është profesoreshë e frëngjishtes në Kombet e Bashkuara, tepër e sjellshme dhe e thjeshtë. Në OIT kam shoqëri të mirë dhe e respektojmë njeri tjetrin. Sidomos flas edhe me çekun Zdenek Gregor, jurist i dëgjuar, i cili e njeh mirë temperamentin tonë. Atij i drejtohem kur kam ndonjë material juridik dhe që duhet dhënë në gjuhën shqipe, me terma sa më të sakta. Di Bernardo, i Departamentit të Europës është tepër serioz por dashamirës dhe shpesh më flet për ecurinë e marrëdhënieve të OIT me institucionet përkatëse në Shqipëri. Ai kërkon edhe mendimin tim personal për disa çështje që lidhen me marrëdhëniet me shqiptarët. Marrëdhënie të mira kam edhe me departamentin e meanaxhimit, ku herë pas here jap ndihmesën për hartimin e materialeve për Shqipërinë.

Nëntor 1993. Ekonomia e tregut krijon kushte të favorshme për veprimtarinë private dhe perspektivat janë të favorshme me afat të mesëm për Shqipërinë. Edhe nëse monopoli shtetëror vazhdon akoma në fushën e turizmit, janë bërë disa rregullime që nga 1991, duke përfshirë edhe format e reja të pronësisë dhe infrasktrukturës turistike, si edhe rajonet e hapura për turizmin ndërkombëtar.. Duhet thënë se deri së fundi, përveç “Albturistit”, nuk u krijua ministri turizmi, as agjenci paralele që duhej të nxisnin turizmin në Shqipëri. Përveç kësaj, për shkak të kufizimeve burokratike, si disa  “zona ushtarake” dhe kushtet e vjetruara, kanë sjellë si rezultat që shumë rajone turistike janë lënë mënjanë dhe përveç shqiptarëve dhe “marksistë-leninistëve”, aty nuk mund të afrohej njeri deri vonë. Duhet zhvilluar patjetër turizmi, si në të gjitha shoqëritë moderne europiane. E ardhura për çdo frymë nga turizmi në Shqipëri është akoma 1-3 dollarë, e krahasuar me 230 dollarë në Greqi. Greqia siguron sipas Biznes Njuz-it çdo vit një përfitim neto prej 2,5 bilion dollarë, Turqia afro 2,5 bilion dollarë dhe ish-Jugosllavia siguronte në një vit 2,1 bilion dollarë. Shqipëria ka një potencial tërheqje për turistët të konsiderueshëm. Karakteri i saj me male, 472 km e bregdetit të saj, Riviera shqiptare, liqenjtë, parqet, pyjet, gërmimet arkeologjike, kultura, muzetë, mikpritja e shqiptarëve janë një shans i virgjër që duhet të tërheqë kuriozitetin e turistëve.Gjithashtu mundësitë janë të shumta me krijimin e lehtësive portuale, apo me tërheqjen e mallrave të huaja që mund të kalojnë tranzit nga porti i Durrësit, për në Maqedoni apo gjetiu. Porti i Selanikut thith pjesën më të madhe të mallrave që shkojnë në këto rajone. Mijra tonelata mall, grurë, misër, vaj, sheqer etj., mund të stokohen në Shqipëri dhe pastaj të kalojnë në destinacionet përkatëse. Ky është një problem që është ngritur por nuk mund të gjejë zgjidhje nëse ekziston skeptiçizmi apo neglizhenca.

Maj 1994. Mora vesh se paska ndruar jetë drejtori i muzeut të aparateve fotografikë në Vevei. Nuk ishte shumë i moshuar. Më kujtohet kur hapëm ekspozitën me pamje fotografike nga Shqipëria dhe erdhën shumë miq e dashamirës për ta vizituar. Ishte njeri shumë i mirë, i sjellshëm, me tepër kulturë. Kishte një « kavë » të shkëlqyer me verërat më të mira. Priste me padurim festën e bukur të vreshtarëve që organizohet zakonisht çdo 25 vjet por që nuk arriti ta shohë. Kujtonte edhe nga tregimet e paraardhësve dhe ato që kishte pare vetë “Festën e Vreshtarëve” të vitit 1889, 1905, 1927, atë të verës 1955, 1970, të cilat kishin marrë një famë botërore. Shumë spektatorë kishin ardhur nga larg për të mbushur vendet ku jepeshin shfaqjet dhe për të duartrokitur muzikantët e dëgjuar Hugo de Senger dhe Gustave Doret, poetin René Morax, piktorë si Jean Morax dhe Ernest Biéler. Të rralla janë familjet në Vevei që nuk kanë vreshtarë si anëtarë të familjes së tyre. “Shtëpia e bukur” e krijuar në shekullin e 15-të dhe e restauruar në 1733, si kala, është selia e “Vëllezërve vreshtarë”. I çoja herë pas here nga një shishe konjak « Skënderbeu » dhe kur e takoja gjithmonë më servirte nga një gotë nga vera e mirë e vreshtarëve të Veveit.

 

Check Also

Pas Brexit shenjat në Europë janë për stuhi, 27 shtetet anëtare të BE në unitet kundër Britanisë së Madhe

Grindjet kryesore të Bashkimit Europian për momentin shtrihen në aksin lindje-perëndim. Për t’u habitur që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 2 =