Home / Analize / “Bota do të ketë disa izolime në të ardhmen”

“Bota do të ketë disa izolime në të ardhmen”

Toka po mbyllet në vetvete. Në përpjekjen për të vënë nën kontroll Covid-19, njëri pas tjetrit vendet po u kërkojnë qytetarëve të shmangin shoqërizimin. Teksa kjo frenon ekonominë, qeveritë dëshpërimisht po tentojnë të ndihmojnë kompanitë dhe konsumatorët me stimuj dhe garanci triliona dollarësh. Asnjë nuk mund të jetë i sigurt se këto ndihma mund të funksionojnë.

Por ka edhe më keq. Gjetjet e reja turbulluese sugjerojnë se ndalimi i pandemisë mund të kërkojë izolime të përsëritura. E megjithatë tashmë është e qartë se një strategji e tillë do ta dënonte ekonominë botërore me dëme serioze, ndoshta të papërballueshme. Disa zgjidhje të vështira duken në horizont.

Afërsisht 12 javë pas publikimit të raporteve të para që tregonin se njerëzit po vdisnin në mënyrë misterioze në Wuhan, në Kinën qendrore, bota ka filluar të kuptojë statistikisht dëmet reale njerëzore dhe ekonomike të pandemisë. Më 18 mars, sars-cov-2, virusi pas Covid-19 ka prekur 134,000 persona jashtë Kinës në 155 vende dhe territore. Në vetëm shtatë ditë ka një rritje me 90,000 raste në 43 shtete dhe territore. Numri real i rasteve mendohet të jetë së paku një shkallë më i lartë.

Të tronditura, qeveritë po nxitojnë të imponojnë kontrolle që do të ishin të paimagjinueshme vetëm disa javë më parë. Shumë vende, përfshirë shumë në Afrikë dhe Amerikën Latine, kanë ndaluar udhëtarët nga vendet që janë prekur më së shumti nga virusi. Times Square është i shkretë, Londra është e errët dhe kafenetë, baret dhe restorantet në Francë, Itali dhe Spanjë kanë mbyllur dyert. Kudo stadiumet e zbrazët u bëjnë jehonë turmave që mungojnë.

Është e qartë se ekonomia po e pëson shumë më keq nga sa e prisnin analistët. Të dhënat për janarin dhe shkurtin tregojnë se prodhimi industrial në Kinë, i cili u parashikua se do të pësonte një rënie prej 3% në krahasim me një vit më parë, ka rënë me 13,5%. Shitjet me pakicë nuk ranë me 4%, por me 20,5%. Investimet në asetet e paluajtshme, të cilat përfshijnë shpenzime në gjëra si makineri dhe infrastrukturë, ranë me 24%, plot gjashtë herë më shumë nga sa u parashikua. Kjo i ka bërë ekspertët e ekonomisë t’i rishohin parashikimet e tyre. Duke u përballur me recensionin më të ashpër të kohës sonë, qeveritë po aplikojnë paketa shpëtimi të cilat tejkalojnë edhe ato që u përdorën për krizën financiare të viteve 2007-2009.

Ky është sfondi për të kuptuar zgjedhjet thelbësore mbi menaxhimin e sëmundjes. Duke përdorur një model epidemiologjik, një grup nga Imperial College në Londër këtë javë përcaktoi një kornizë për të ndihmuar politikëbërësit të mendojnë për atë që qëndron përpara. Ajo është e zymtë.

Një qasje është zbutja “rrafshimi i kurbës” për ta bërë pandeminë më pak intensive, të themi, duke izoluar rastet dhe duke karantinuar familjet e infektuara. Tjetra është ta shtypësh atë me një gamë më të gjerë masash, duke përfshirë mbylljen e të gjitha aktiviteteve, përveç atyre që nuk mund të punojnë nga shtëpia, dhe mbylljen e shkollave dhe universiteteve. Zbutja ngadalëson pandeminë, shtypja synon ta ndalojë atë në gjurmët e saj.

Kërkuesit ndër të tjera arritën në përfundimin se nëse virusi do të lihej të përhapej, do të shkaktonte rreth 2,2 milionë të vdekur ën SHBA dhe 500 mijë në Britani brenda verës së këtij viti. Në ekonomitë e zhvilluara, thuhet në studim, tre muaj rrafshim i kurbës përfshirë karantinat dy javore të familjeve të infektuara, në rastin më të mirë do të parandalonin vetëm gjysmën e këtyre. Për më tepër, kërkesa kulmore për kujdes intensiv mjekësor do të ishte tetëfishi i kapacitetit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Britani, duke çuar në vdekje të tjera që ky model nuk arrin t’i parashikojë.

Nuk është çudi që qeveritë po zgjedhin kontrollet më të rrepta të nevojshme për të shtypur pandeminë. Kjo metodë ka avantazhin që ka funksionuar në Kinë. Më 18 Mars Italia shtoi 4,207 raste të reja ndërsa Wuhan nuk u raportua asnjë rast. Kina ka regjistruar një total prej rreth 80,000 raste në një popullsi prej 1.4 miliardë njerëz. Për krahasim, grupi Imperial vlerësoi se virusi i lënë në përhapje të lirë do të infektonte më shumë se 80% të popullsisë në Britani dhe Amerikë.

Por kjo është arsyeja pse teknika e represionit ka një të metë. Duke mbajtur normat e infektimit relativisht të ulëta, shumë njerëz do të mbeten ende vurnerabël ndaj virusit. Dhe duke qenë se Covid-19 tani është kaq i përhapur, si brenda shteteve ashtu dhe në mbarë botën, modeli Imperial sugjeron që epidemia do të rikthehej brenda disa javësh nga heqja e kufizimeve. Për të shmangur këtë, vendet duhet të shtypin sëmundjen çdo herë që rishfaqet, duke kaluar të paktën gjysmën e kohës së tyre në mbyllje. Ky cikël i ndërprerjes duhet të përsëritet derisa sëmundja të ketë ndaluar përmes popullatës ose të ketë një vaksinë e cila aktualisht duket me muaj larg, nëse dikush beson vërtetë se mund të funksionojë.

Ky është thjesht një model dhe modelet janë thjesht supozime që orientohen duke u bazuar në përvojat më të mira. Prandaj ka shumë rëndësi ndjekja e situatës në Kinë për të parë nëse do t’i rikthehet vërtetë normalitetit pa u prekur sërish nga sëmundja. Shpresa është se ekipe të epidemiologëve mund të testojnë në një shkallë masive në mënyrë që të kapin raste të reja herët, të gjurmojnë kontaktet e tyre dhe t’i karantinojnë ato pa e kthyer shoqërinë kokëposhtë. Ndoshta ata do të ndihmohen nga barna të reja, siç është një përbërës antiviral japonez për të cilin Kina këtë javë tha se ishte premtues.

Por kjo është vetëm një shpresë dhe shpresa nuk mund të jetë politikë vendimmarrëse. E vërteta e hidhur është se zbutja graduale kushton shumë jetë dhe shtypja mund të jetë ekonomikisht e paqëndrueshme. Pas disa përsëritjeve, qeveritë mund të mos kenë më aftësinë për t’u kujdesur për bizneset dhe konsumatorët. Njerëzit e zakonshëm mund të mos e tolerojnë trazirën. Kostoja e izolimit të përsëritur, e matur nga mirëqenia mendore dhe shëndeti afatgjatë i pjesës tjetër të popullatës, mund të mos e justifikojë atë.

Në botën reale ka mbivendosje midis dy strategjive, megjithëse qeveritë mund t’i bëjnë të dy më efektive. Koreja e Jugut, Kina dhe Italia kanë treguar se kjo fillon me testimin në masë. Sa më qartë të identifikohet se kush ka sëmundjen, aq më pak varësi krijohen nga kufizimet. Testet për antitrupa ndaj virusit, bilanci se kush është infektuar dhe shëruar, janë të nevojshme për të plotësuar ato që sot janë të vlefshme vetëm para dhe gjatë sëmundjes. Kjo do t’i lejojë njerëzit imunë të vazhdojnë jetën e tyre duke ditur se nuk mund të jenë burim i infeksioneve të mëtejshme.

Një linjë e dytë e sulmit është përdorimi i teknologjisë për të administruar karantinën dhe distancën sociale. Kina po përdor aplikacione për të vërtetuar se kush është i pastër nga sëmundja dhe kush jo. Si ajo dhe Korea e Jugut janë duke përdorur të dhëna të mëdha dhe mediat sociale për të gjurmuar infeksionet, paralajmëruar njerëzit për pikat e nxehta dhe identifikimin e kontakteve. Koreja e Jugut ndryshoi ligjin për të lejuar që shteti të fitonte qasje në të dhënat mjekësore dhe t’i ndante ato pa asnjë urdhër. Në periudha normale, shumë demokraci mund ta shohin si një veprim ndërhyrës. Por kohët nuk janë normale.

Së fundmi, qeveritë duhet të investojnë në kujdesin shëndetësor, edhe nëse përpjekjet e tyre do të japin fryte pas disa muajsh dhe ndoshta nuk do të hyjnë në punë për këtë situatë. Vende si Britania dhe Amerika po përballen në mënyrë të dëshpëruar me mungesën e shtretërve, të specialistëve dhe ventilatorëve. Atyre u duhet të përcaktojnë protokollet më të mira të trajtimit, të zhvillojnë vaksina dhe të testojnë barna të reja terapeutike.

Hiqni dorë nga iluzionet. Masat e tilla ende nuk mund të parandalojnë pandeminë. Sot qeveritë duket se janë të angazhuara për shtypjen e saj, pavarësisht nga kostoja. Por nëse sëmundja nuk luftohet shpejt, ato do të shkojnë drejt taktikës së zbutjes, edhe nëse kjo do të rezultojë në shumë më shumë të vdekur. Kuptohet tani çdo qeveri është e gatshme të mendojë. Ata së shpejti mund të mos kenë zgjidhje tjetër.

Përshtatur në shqip nga Erjon Uka

Check Also

A po e thellon më teper krizën pandemike, fshehja e fakteve rreth Covid 19?

Një organizatë e pavarur për mbrojtjen e demokracisë po paralajmëron që regjimet autoritare po përdorin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × one =