Home / Aktualitet / Borxhet e bashkive arrijnë në 70 milionë euro, kryeson Tirana

Borxhet e bashkive arrijnë në 70 milionë euro, kryeson Tirana

Bashkitë në vend po krijojnë detyrime të shumta, duke mos kryer pagesat për investimet, mallrat dhe shërbimet, apo për vendime të ndryshme gjyqësore.

Sipas raportit të 6 mujorit të parë të financave vendore, publikuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit (financatvendore.al) në fund të gjysmës së parë të vitit 2020, stoku i detyrimeve të prapambetura shënoi një nivel prej rreth 8.7 miliardë lekë (rreth 70 mln euro), në rritje me rreth 7% krahasuar me stokun në fund të vitit 2019 (rreth 570 milionë lekë më shumë krahasuar me nivelin e tyre në fund të vitit 2020).

Krahasuar me stokun e detyrimeve në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, stoku i detyrimeve është rritur me 629 milionë lekë apo 7.8% në terma vjetorë. Bazuar në informacionin e publikuar nga MFE, rreth 52% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 22% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 14% nga vendime gjyqësore dhe 12% nga detyrime të tjera.

Në ndarjen sipas bashkive, 5 bashkitë me detyrimet e prapambetura më të larta mbajnë rreth 50% të stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020. Niveli më i lartë i detyrimeve të prapambetura vijon të shënohet në bashkinë Tiranë me rreth 1.9 miliard lekë apo 22.2% e stokut total ndjekur nga bashkia Vorë me rreth 711.7 milionë lekë apo 8.4% e stokut total; bashkia Kavajë me rreth 846.5 milionë lekë apo rreth 9.7% e stokut total; bashkia Pogradec me rreth 404.5 milionë lekë apo rreth 4.6% e stokut total; dhe bashkia Kamëz me rreth 379.2 milionë lekë apo rreth 4.3% të stokut total të detyrimeve të prapambetura në fund të muajit qershor 2020.

Krahasuar me stokun e detyrimeve të regjistruar në fund të vitit 2019, stoku i detyrimeve të prapambetura rezulton të jetë rritur veçanërisht në bashkitë Vorë (+697.1 milionë lekë), Tiranë (+179 milionë lekë), Kuçovë (+110.6 milionë lekë), Kavajë (+80.2 milionë lekë) dhe Belsh (+78.9 milionë lekë). Në të kundërt, disa bashki kanë shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, ndër të cilat bashkitë: Vlorë (-158.4 milionë lekë), Durrës (-81 milionë lekë), Lezhë (-91 milionë lekë), Finiq (-65 milionë lekë), Kukës (-55 milionë lekë), Maliq (-46 milionë lekë), Ura Vajgurore (-30 milionë lekë) etj.

Nisur nga raportimi i detyrimeve të prapambetura deri në fund të muajit mars 2020, rezulton se në periudhën prill – qershor 2020, detyrimet e prapambetura të jenë shtuar me rreth 629 milionë lekë. Kjo rritje është përcaktuar gjerësisht prej zgjerimit të detyrimeve në bashkitë Vorë, Kuçovë dhe Bulqizë etj.

Zhvillimet në stokun e detyrimeve të prapambetura mund të përdoren si një sinjalizues i tërthortë i gjendjes financiare të bashkive, e cila aktualisht vlerësohet të jetë në kahun përkeqësues, thekson raporti.

Në kushtet kur burimet financiare në dispozicion përballen me një rënie të qenësishme vjetore dhe nevojat për shërbime janë intensifikuar nën presionin e pandemisë së COVID-19, bashkitë përballen me një efekt të tipit “gërshërë” – zgjerim të hendekut negativ mes të ardhurave dhe shpenzimeve, i cili për reflektohet në zgjerim të detyrimeve të prapambetura.

Në terma të menaxhimit financiar, situata paraqitet e vështirë dhe e brishtë njëkohësisht, element ky që kërkon vëmendje të shtuar nga qeveritë vendore për të evituar fundosjen e mëtejshme të bashkive në detyrime të prapambetura, paralajmëron raporti.

Check Also

Aksident në dalje të Fushë Krujës, Lajmi i fundit

Një aksident automobilistik ka ndodhur pak minuta më parë në dalje të Fushë Krujës. Një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

10 − 9 =