Home / Aktualitet / Bluzat e bardha dhe faqja e zezë

Bluzat e bardha dhe faqja e zezë

Nga Fatbardh RUSTEMI-

Beteja me Covidin-19 u perceptua, si një përballje me “armikun e padukshëm” dhe, si e tillë, ka nxjerrë në pah: protagonizmin e heronjëve në vijën e parë të frontit dhe frymën e deheroizmit të kasnecëve të prapavijës, ku në njërën anë kemi “bluzat e bardha” dhe në anën tjetër “faqezinjtë” e kronikave të zeza, ku së fundi edhe morgun e kthyen në një shesh beteje të politikës së ditës, sikur me qenë arena e ndeshjes me demat. Nuk ka ligësi më të madhe se sa në luftën për jetë a vdekja me pandeminë, t`i identifikosh “bluzat e bardha” me “faqen e zezë”. Me bojën e zezë, që Paloka ia hodhi Ramës në parlament, ua hedh dhe “bluzave të bardha”. Aty ku është drita, mund të shfaqen hijet, por jo errësira. Ka “qeveri në hije”, por ajo e botës së nëndheshme vjen prej hadit. Deri më tani është folur për polarizimin e shoqërisë: në të pasur dhe në të varfër, por asesi për polarizimin e vlerave morale, ku pakica e vesveselinjëve të kamur, po sundon mbi shumicën e hallexhinjëve. Duhet me doemos asfiksuar morali, dhe shoqëria të kalojë në gjendje intubimi: s`ka mjekë, s`ka shërim, por kemi vetëm të sëmur?! Realisht është kjo pakicë, pavarësisht ngjyrave, që ka pushtetin real. Të strehuar në “parajsat fiskale” ata na afrojnë ferrin.
Për banorët e Pallatit të Drejtësisë u tha me të drejtë se gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë të gjithë të korruptuar, se ka në mesin e tyre edhe të ndershëm, por që ta besonim këtë, u desh Vettingu, i cili ndau shapin nga sheqeri, atë për karierë dhe atë për në esfel. Shoqëria shqiptare ka një nevojë uluritëse për pika reference mbështetur në kriteret e meritokracisë, ku haka të shkojë tek i zoti. Shihni partitë tani në prag zgjedhjesh, po kërkojnë njerëz me integritet, të ndershëm, të ditur, sa të kalojnë lumin dhe, lamtumirë armë?! Nuk e kuptova, pse u shqetësuan disa syresh nga bluzat me okelion: “Liria ka emër”?! Gjithçka duhet thirrur me emrin që ka, qoftë ky ideator, shpikës, kontributor, bamirës, kriminel, abuzues, i paaftë, intrigant, pervers, spiun. Nuk ka tallje më të madhe për një popull, kur prangat shkojnë në duart e viktimës dhe persekutorët livadhisin. Në këtë betejë verbale dallohen etiketuesit, paragjykuesit, agresorët e fjalës së lirë, akuzatorët, që me petkun e partiakut apo opinionistit, sikurse shoku Enver në vaktit: tregojnë me gisht tradhëtarin, heroin, sëmundjen, përmirësimin racor, njeriun e jetës që duhej të zgjidhje. Këta njohin vetëm një pasqyrë, veten dhe nëse t`i nuk i përngjan, shpallesh armik. Të tillëve u duhet besuar aq sa dhe epitafeve të varrezave. Mopasani ka një tregim, ku të vdekurit ngrihen natën, si Kostandini i legjendës dhe shkruajnë jetën e tyre të vërtetë, e cila nuk korrespondonte me atë që shkruhej në pllakën përkujtimore.
Familjarisht i mbetemi mirënjohës Halim Kosovës, kur të trishtuar prisnim thikën e kirurgut: të sugjeruar nga një kolegë i tij, fati na çoi tek njeriu i duhur, i cili parandaloi një therje për interes të xhepit: “Kush ishte ai zhuls, që ju ka thënë për thikë? Gjendja e zonjës është normale dhe kalon me moshën.” Dhe, ashtu ndodhi. Deri më tani “thika” e ka fituar betejën me “çekiçin” e gjyqtarit. Ti nisësh për në spitalin shtetëror dhe përfundon në klinikat private, se shefi apo shefja një këmbë e ka në shtet dhe tjetrën në privat. Ti shkon tek Chek-up-i dhe të xhiron matrapazi. Në këto krahasime mu kujtua filmi sovjetik “Kur shtegtojnë krillat”, ku njëri vëlla shkonte në frontin e luftës, ndërsa tjetri në prapavijë bënte dashuri me të dashurën e heroit të rënë në luftë. A s`ishin kapterët në diktaturë, që hanin gjeneralët? “Bluzat e bardha” në kohën e punëve të zeza është kontrasti më i qartë i diferencimit moral të shoqërisë sonë, ku: ai që shpëton jetë akuzohet për fshehje të fataliteteve, ndërsa ata që po na e nxijnë jetën, duan ndere dhe pushtet. (Stalini me komplotin e famshëm të “Bluzave të bardha”, eliminoi mjekët e shquar, duke lënë dhe fatin e tij në duart e mediokërrve. Nëse do ishin mjekët e zotë, do i shpëtonte damllasë që i ra.) Është koha të ndajmë “bluzat e bardha” me “faqet e zeza” dhe për këtë po na ndihmon pandemia, ku në një anë kemi heronjtë dhe në anën tjetër kasnecët.
Bllokmenët i ndjek një histori makabre me të vdekurit. Ishin ata që i shkrumbuan me flakëhedhëse, ua dogjën eshtrat me acid, sikurse ua fshehën varret “shokëve të idealit”. Sa e sa të zhdukur pa nam e nishan. Është pikërisht ky soji, që flet për fshehje të vdekurish. Sikurse habitesh me çiftin presidencial, gardian të Kushtetutës, të cilët japin shembullin më të keq në shkeljen e rregullave anti-Covid, për më tepër që, Ilir Meta, mburret që në kohën e Vojo Kushit shtëpia e tij ka qenë spital partizan?! Ja që një “shtëpi e verdhë”, me gjasa spital për transplant organesh, tenton të vërë në pikëpyetje moralin e një lufte të drejtë. A nuk i ushqen dyshimet e Karla Del Pontes fakti, që qeveria shqiptare po fsheh të vdekurit? Basha sapo i bëri thirrje prokurorisë të hetonte, paralajmëroi: ikni se po fshehin provat?! Dhe kush ishte prova në këtë rast? I vdekuri.)
Lexova një shkrim të Rudina Xhungës, e cila flet me mirënjohje të lartë për mjekët heronjë, sikurse dhe një shkrim të Andi Bushatit me frymë deheroizmi, sikur po luante kukamçefti. Ky kontrast gazetarësh shfaqet gjithandej, si dukuri e diferencimit moral të shoqërisë sonë. Heronjtë e bluzave të bardha nuk mund të jenë kriteri i së vërtetës, shkruan Andi Bushati dhe nuk ngurron t`i krahasojë ata me kolaboracionistë të qeverisë. Shihni se ç`fjalë përbuzëse që përdor, të cilat i kursehen dhe Ernest Koliqit, që qe me tamam i tillë?! Nën shembullin e hetuesëve të kasetave të përgjimit, që nxorrën në pazar sekretet e shtetit, sipas Andit, edhe punonjësit e shtetit duhet ta telendisin shtetin?! Logjika e tij: “Kur inxhinierët nënshkruajnë ekspertiza që teatri të shëmbet, kur prokurorët nuk guxojnë të hetojnë trafikantët dhe gjykatësit lirojnë nga burgu kriminelët, pse mjekët të jenë ndryshe?” Të gjithë këtë kanë emra, pse përmenden si personazh tipik në rrethana tipike të socrealizmit?! Sepse të gjithë janë njësoj, sipas kazanomanisë. Thua se jemi në “shtetin islamik”, ku nuk gjen këmbë “kaurri”?! Është kaq e thjeshtë, si të pyesësh: pse Rudinë është ndryshe nga ty, Bushat?! Por, kjo logjik, i kthehet në bumerang. “Gazetaria është një ferr i vërtetë, një greminë padrejtësish, gënjeshtrash, tradhëtish; së andejmi mund të dalë i dlirë ai që, ashtu si Dantja, mbrohet nga dafina hyjnore e Virgjilit.”-shkruan Balzak tek “Iluzione të humbura”, duke e përligjur në një farë mënyre kazanomaninë e gazetarisë së Bushatit me shokë. Shpesh “dafina hyjnore e Virgjilit” ngjason me gjethen, me të cilën mbulohen pjesët e turpshme të figurave nudo në afresket kishtare. Egërsia e një morali shterp shfaqet më së shumti tek pordhacët e ekraneve, që i shesin ato për mbushje atomike. Për të na mbushur mendjen për “kolaboracionizmin e mjekëve me qeverinë” i referohet kohës së Salës. “A nuk ishin mjekët ata, që deklaruan se viktimat e 21 Janarit ishin vrarë nga afër, pra, nga pretestuesit? A nuk gënjyen ata harbutërisht nën presionin e makinerisë manipulative të qeverisë?” Nuk ishin mjekët, por ishte një mjek, Sami Koçeku, i të njëjtit tip si ata që dalin ekraneve dhe bëjnë “avokatin e djallit”. 21 Janarin e pamë të gjithë, live, në të gjitha ekranet, kush qëlloi dhe kush u vra, nga erdhën plumbat dhe kush mbante “çadër pistoletë”, ngjarjet nuk u zhvilluan në morg, kështu që s`ishte nevoja as për dëshmimtarë, as për hetues, por një botë e tërë u njorua dhe, ato që pamë nuk paskeshin qenë ato që ndodhën?! Kurrë më parë morali i një shoqërie nuk është vënë në pikëpyetje nga ndodhia e 21 Janarit, me servera të fshirë, gardistë që mësynë gjykatat dhe gazetarë, që bëhen me krimin shtetror duke përdhosur viktimat.
Tani “rënia e lirë” e Bushatit, arrin “pikën e ngopjes” për të mos thënë “pikën e vdekjes”: “Edhe heronjtë e pandemisë e kanë të pamundur që nën kushtet e sakrificës sublime, së mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike, që të kenë ndershmërinë qytetare, guximin qytetar dhe fuqinë profesionale për të çmontuar manipulimin e qeverisë?” Siç shihet, me kollajllëk ai vë në dyshim integritetin moral të “bluzave të bardha”, duke ofruar “faqen e tye të zezë”. Ku e gjen ai të drejtën, t`i akuzojë “bluzat e bardha” të korruptuara moralisht? Tek ata sot i ka sytë e gjithë Shqipëria dhe ky, i trajton si shtojcë të qeverisë. Duke mos patur karakter vetë, kujton se karakteri u mungon dhe të tjerëve. Shkrimet e Andit më kujtojnë reçenzentët e monizmit, apo ata që thirreshin për të bërë ekspertiza, të cilat ktheheshin në akt-akuza. Tamam një i sëmur për mend, sikurse tallet Molieri në komedinë e tij. Kishim një në qytet, të cilit i thoshim, po mbylle atë të shkretë hale se po lë nam, ai na e kthente me një qetësi olimpike: “Po i bëj gjimnastik trurit.” Me të tillë pehlivanë janë të mbushur ekranet, që, e shesin shpirtin dhe urrejnë cilindo që nuk ha bukën e përulësisë.
Fatbardh Amursi (Rustemi)

Check Also

Ilir Meta dekoroi një nga “mafiozët” e përgjimeve të “Ndraghetës”

Më 23 prill 2018, presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në Presidencë dhe ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − seven =