Home / Aktualitet / “Besimi në Qeverisje 2020”: Bie besimi i qytetarëve tek institucionet

“Besimi në Qeverisje 2020”: Bie besimi i qytetarëve tek institucionet

Sot u prezantuan në Tiranë gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2020”. Ato paraqesin perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi.

Sondazhi “Besimi në Qeverisje 2020”

U krye gjatë muajve nëntor-dhjetor 2020, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2500 të anketuarish. Ky është viti i tetë i realizimit të tij duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Raporti i gjetjeve të sondazhit përfshin jo vetëm të dhëna vjetore por dhe një vështrim mbi trendin ndër vite. Ai u ofron të gjithë aktorëve në Shqipëri për analiza dhe ndërmarjen e përmirësimeve.

Për shumë institucione të vlerësuara, duke përfshirë qeverinë qendrore, parlamentin dhe institucionet ndërkombëtare, trendi ndër vite tregon se niveli i besimit u rrit midis viteve 2015 dhe 2017 por u ul midis viteve 2017 dhe 2020.

Teksa niveli i besimit në sistemin gjyqësor (prokuroria dhe gjykatat) është rritur krahasuar mt e vitin 2017, këto institucione perceptohen më rrallë si të besueshme.

Gjetjet e sondazhit të vitit 2020 tregojnë se institucionet fetare (69.8%) konsiderohen si institucionet më të besuara vendase, pasuar nga institucionet arsimore (54.1%), organizatat e shoqërisë civile (52.6%) dhe forcat e armatosura (54%). Organizatat ndërkombëtare, si NATO, OKB dhe BE, renditen si institucionet më të besuara.

Duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme që erdhën si pasojë e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, këtë vit Sondazhi i Opinionit Publik “Besimi në Qeverisje 2020” pyeti shqiptarët mbi menaxhimin nga ana e qeverisë e të dyja fatkeqësive natyrore. 37.9% e shqiptarëve thanë se ishin të kënaqur me reagimin e hershëm të qeverisë qendrore në periudhën post-tërmet dhe 37.5% me atë të qeverisë vendore.

Whatsapp Image 2021 06 09 At 11.33.25 Am

Ndërkohë, 40.3% e të anketuarve raportuan se ishin “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me transparencën e vendimmarrjes së qeverisjes qendrore, 43.7% u shprehën se ishin të kënaqur me ofrimin e alternativave elektronike në marrjen e shërbimeve dhe 34.5% me respektin e treguar ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë pandemisë COVID-19.

Sondazhi “Besimi në qeverisje” tregon se krahasuar me vitin 2019, perceptimi qytetar për transparencën dhe llogaridhënien në nivel qendror ashtu edhe vendor është rritur. 34.6% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si transparente dhe 36.8% e perceptojnë bashkinë e tyre si transparente. Për sa i përket llogaridhënies, 34.5% e shqiptarëve e perceptojnë qeverinë qendrore si të përgjegjshme (që jep llogari), teksa 36.6% e konsiderojnë bashkinë e tyre si të përgjegjshme. Ende, shumica e shqiptarëve nuk e perceptojnë qeverinë si transparente ose llogaridhënëse.

Qytetarët shqiptarë besojnë se organizatat ndërkombëtare (74.5%) janë më efikase në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë në krahasim me institucionet vendase. Ndër to renditet i pari Kontrolli i Lartë i Shtetit (60.7%), i ndjekur nga Media (52.8%) dhe Parlamenti (48.1%).

Krahasuar me vitin 2016 dhe 2017, sipas gjetjeve, Parlamenti, Partitë Opozitare, Avokati i Popullit dhe Media perceptohen më pak efektive në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë. Secili prej mekanizmave të llogaridhënies ka humbur të paktën 10 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2016.

Për më tepër, pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët (86.7%) dhe korrupsionin e nivelit të lartë (84.1%) si fenomene të përhapura ose shumë të përhapura në shoqërinë shqiptare. Të pyetur mbi përvojat personale, në vitin 2020, 22.7% e shqiptarëve shprehen se kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit në nivel qendror dhe 15.3% në nivel vendor.

Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, mesatarisht 38% e shqiptarëve janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me shërbimet publike bazë në vitin 2020, pavarësisht kufizimeve të pandemisë. Shërbimet e arsimit publik (48.6%) dhe shërbimet e pastrimit (48.5%) konsiderohen si më të kënaqshmet, teksa ofrimi i shërbimeve gjyqësore (19.6%), transporti publik (32.4%), dhe shërbimet policore (32.6%) si më pak të kënaqshme.

Në lidhje me shërbimet publike administrative, perceptimi i publikut është i ndryshëm në varësi të faktit nëse është përdorues apo jo. Kështu, mesatarisht 32.8% e shqiptarëve e vlerësojnë ofrimin e shërbimeve administrative si të kënaqshëm, shifër e cila rritet në 44.7% mes atyre që i kanë përdorur këto shërbime. Ndërkohë, 73.4% e qytetarëve që kanë vizituar një sportel shërbimi të ADISA-s (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara) ishin “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me shërbimet e ofruara atje.

Në aspektin e përfshirjes gjinore në qeverisje, shumica e qytetarëve shqiptarë (79.6%) thonë se gratë janë po aq ta afta sa edhe burrat për të mbajtur poste publike. Kështu shprehen 85.2% ndër të anketuarat dhe 73.8% ndër të anketuarit. Të dhënat, gjithashtu, tregojnë se 62% e shqiptarëve mendojnë se rritja e numrit të grave në këshillat bashkiakë ka një ndikim pozitiv në qeverisjen vendore.

Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri tha se: “UNDP e ka mbështetur kryerjen e sondazhit të opinionit publik ‘Besimi në Qeverisje’ që prej fillimit të tij në vitin 2013 si një kontribut ndaj zgjerimit të vlerave themelore të transparencës, llogaridhënies dhe angazhimit qytetar të mishëruara nga Partneriteti për Qeverisjen e Hapur, të cilit Shqipëria iu bashkua në dhjetor të vitit 2012. Instrumente si sondazhi i opinionit publik ‘Besimi në Qeverisje’ ndihmojnë në kuptimin më të mirë të sfidave dhe nxisin ndryshimet e nevojshme, qofshin ato të lidhura me besimin në institucione, antikorrupsionin dhe mbështetjen e zhvillimeve të vazhdueshme për transparencë e llogaridhënie, apo nxitjen e pjesëmarrjes qytetare drejt objektivit të bashkë-krijimit”.

Sondazhi i Opinionit Publik, i nisur fillimisht në kuadër të Partneritetit për Qeverisjen e Hapur, është zhvilluar çdo vit nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) nga viti 2013, me mbështetjen e UNDP. Edicioni i vitit 2020 u realizua në kuadër të projektit “Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqipëri” (CSDA), një fond i përbashkët donatorësh, i cili zbatohet nga qeveria shqiptare në partneritet me UNDP-në dhe me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribuues kryesor, bashkë me UNDP-në.

Check Also

“Presim indicie nga SHBA”, Starova i kundërvihet SPAK-ut

Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, i cili ishte pjesë e koalicionit të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − six =