Home / Aktualitet / Berlini i ftohtë për afrimin e gënjeshtërt të Shqipërisë drejt finishit

Berlini i ftohtë për afrimin e gënjeshtërt të Shqipërisë drejt finishit

Riseld Çipa-

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE po merr gjithmonë e më tepër trajtën e një afrimi të gënjeshtërt drejt finish-it. Një skepticizëm i theksuar ka kapluar disa vende anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të stepen përsa i përket veprimeve që çojne drejt këtij finalizimi. E tillë po duket edhe qasja e këtyre vendeve në caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, me kohë ka cilësuar si një nga pikat e saj të politikës së jashtme përparimin e negociatave me Ballkanin Perëndimor dhe forcimin e perspektivës së anëtarësimit për këto vende. Si një hap i rëndësishëm në këtë aspekt është konsideruar pikërisht caktimi i konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Megjithatë, një dëshirë për të veçuar rastin e Maqedonisë së Veriut nga ai i Shqipërisë është evidentuar. Si nga deklaratat e kancelares Merkel, po edhe nga qëndrimi zyrtar i Berlinit dhe i një pjese të madhe të vendeve anëtare të BE-së, një përparim në rastin e Maqedonisë së Veriut konsiderohet si i domosdoshëm. Kjo për shkak edhe të kostos më të madhe që ky vend shfaq në rast të një amullie në këtë drejtim.

Përsa i përket Shqipërisë skepticizmi është më i madh. Ky skepticizëm është reflektuar edhe në dy konferencat e mbajtura në 17 shtator nga Insituti Aspen dhe Fondacioni Konrad Adenauer në Berlin. Përpos lëvdatave për angazhimin në spektrin e OSBE-së në ndërmjetësimin e krizës në Bjellorusi, zhvillimet në politikën e brendshme nuk duken bindëse për Gjermaninë. Në veçanti paketa Antishpifje dhe ndryshimet unilaterale në marrëveshjen për ligjin elektoral në parlament, duket të jenë burime dyshimi.

Vizita dyditore me qëllim lobimi e kryeministrit Rama gjstë kësaj jave në Gjermani, duket të mos ketë patur një impakt të mirëfilltë. Kryeministri Rama u takua sipas burimeve të Deutsche Welle me një grup parlamentarësh nga Bundestagu gjerman, por në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum. Përshtypje ka bërë edhe mungesa, të paktën sipas burimeve diplomatike të Berlinit, e një takimi ose telefonate e kryeministrit Rama me kancelaren Merkel, e cila edhe ishte parashikur në shumë media shqiptare.

Fokusi më i madh i BE-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të paktën për momentin, duket të jetë ekonomia dhe paketat e ndryshme për zhvillim. Në fjalimin e saj të datës 16 shtator në State of the Union 2020, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, premtoi një paketë rimëkëmbjeje ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, BE dhe liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në datë 10 nëntor në Sofje në një forum që është pjesë e Procesit të Berlinit. Në këtë takim BE do të synojë caktimin e një plani komunitar në plan regjional dhe ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor.

*Autori ka përfunduar studimet për Ekonomi në Universitetin e Humboldtit në Berlin dhe aktualisht po vazhdon Master në Universitetin Goethe në Frankfurt.

Check Also

Rama publikon videon e mjekut dhe ironizon Bashën: Ka mbaruar shkollën me pesa. Zgjohu Luli, zgjohu dreqin

Kryeministi Rama publikon një video dhe thotë se personi që kreu i PD Lulzim Basha …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 − eleven =