Home / Kulture / Bekim Fehmiu, sebep që Adem Mikullovci u bë aktor

Bekim Fehmiu, sebep që Adem Mikullovci u bë aktor

Nga Muhamet SHALA-
Adem Mikullovci nuk është bërë siç kishin dëshiruar i ati dhe e ëma i tij. Babai kishte dashur që ky të bëhej avokat, kurse e ëma- doktor. Por ky zgjodhi të bëhej aktor. Kur kishte shkuar në audicion në Beograd me synim që të bëhej pjesë e Akademisë për Teatër dhe Film, kishte takuar një person të veçantë. Ishte i pari dhe i vetmi shqiptar që studionte në atë Akademi. E ai ishte Bekim Fehmiu, shkruan AktivPress.
Ademi kishte dëgjuar për të, por nuk e kishte kërkuar. Ndryshe kishte vepruar Bekimi. Ai e kishte gjetur Ademin dhe e kishte pyetur se çfarë kishte përgatitur për audicion. Kur ky ia kishte treguar tekstet e monologjeve në gjuhën serbe, Bekimi ia kishte këputur shpresën për pranim. I kishte thënë haptas: Nuk do të pranohesh!
Kriteret kishin qenë të ashpra dhe konkurrenca e jashtëzakonshme- mbi 500 veta për 8 vende. Por, për të mos e lënë të kthehej në Kosovë si i dështuar, Bekimi i kishte dhënë një këshillë. I kishte thënë: Bëje nje tekst shqip- një poezi shqipe të mirë që përçon emocion, sepse juria do t’ia kërkonte emocionin.
Dhe Ademi e kishte dëgjuar!
“Hyra i pari në provim. Pasi i thash ato tekstet serbisht para 10-15 profesorëve në sallë që ishin juri, u thash: A ka mundësi me recitu edhe një vjershë në gjuhën shqipe. Një profesor tha: Hajt ta dëgjojmë! Unë rashë në gjunjë dhe po plot emocion ia nisa: ‘Nënë moj mbaj zi për vëllanë, me tre plumba na e vranë…’ Kur kam mbërri kah gjysma e vjershës, një profesor tha: Mjaft! ‘Çfarë na the nuk e dimë, por ka emocion! U pranove- dil përjashta!”, rrëfen Mikullovci momentin që i kishte dhënë orientim në rrugën prej aktori.
Poezia që kishte recituar ai ishte “Syrgjyn vdekur”, një elegji të cilën Fan Noli ia kishte kushtuar Luigj Gurakuqit.
Mikullovci rrëfen në emision n’Konak që është prodhim i Gazetës inFokus, se më vonë Bekim Fehmiu i kishte treguar se çfarë kishte thënë një profesor që kishte qenë në sallë kur e kishte dëgjuar këtë poezi.
“Pas dy- tri fjalive më është rrëqethur trupi nga toni dhe nga teksti se si e fliste ai djalë”, kishte thënë profesori.
Prandaj pranimin në Akademi, Adem Mikullovci edhe sot e kësaj dite ia dedikon Bekim Fehmiut, ikonës së filmit, që ka ndërruar jetë në vitin 2010.🇦🇱🙏

Check Also

“Lule Borë”, me një tur koncertor në Pogradec, Dibër e Madhe, Strugë, Korçë

Kuinteti  “Albanian Excellence”, pjesë e orkestrës “Albanian Excellence” nga viti 2018, është krijuar në vijim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − eleven =