Home / Editorial / ARSYEJA E PA-ARSYESHME E EDI RAMËS ME MANDATIN E TRETË

ARSYEJA E PA-ARSYESHME E EDI RAMËS ME MANDATIN E TRETË

Nga Xhovan SHYTI –

Dje kryeministri Edi Rama, ka postuar një mesazh në rrjetin social facebook, me të vetmin qëllim, sikurse pohon, që tu shpjegoj shqiptarëve përse ata duhet ti japin edhe një mandat të tretë.

Arësyet që, apo arsyeja e mosarsyes do të thoshte Ushtari i Mirë Shvejk, që rreket të shpjegojë Edi Rama, kryeministri që çuditërisht, për arësye të pa arësyeshme, ja doli të konsumonte të plotë të dy mandatet “rilindase”, është fakti sipas të cilit, gjatë këtyre dy mandateve, ai ka treguar se është më i miri dhe nuk ka të dytë. Motivi qendror ky poshtë të cilit renditen arësyet e mosarsyeshme

Motivi qendror i mesazhit, në fakt, duhet kuptuar ndryshe, pra se pikërisht për këtë arsye të mosarsyeshme Edi Ramës dhe “Rilindjes” nuk i duhet besuar edhe një mandat i tretë. Pasi nëse kjo do të ndodhë vendi nga një “gropë e madhe” mosarritjesh do të konvertohet në katastrofë gjithëplanëshe.

Me arsyet që nxjerr për të argumentuar përse i duhet një mandat i tretë, Edi Rama, kryeministri mosmbajtës i më shumë se njëqind premtimeve të bëra gjatë dy fushatave elektorale, tregon se më e pakta ka guximin e të marrit, përgjegjshmërinë e të papërgjegjshmit, arsyen e mosarsyes dhe mjeshtrinë e propaganduesit të vetëbindur se truri i shqiptarëve është i njejtë me të peshkut.

Sepse gjithë “pengjet”, që Rama thotë se do ti rendojnë në ndërgjegje, nëse nuk e fiton mandatin e tretë qeverisës e që i rreshton para frazës: “asnjë tjetër sot për sot, përveç meje”, janë premtime të bëra gjatë të dy fushatave të shkuara e që mbeten të tilla edhe sot e kësaj dite, pas konsumimit të tetë vite qeverisjeje të tij.

Situatën e “COVID-19” për të cilin Edi Rama shprehet pikëllueshëm se s’ka kush e menaxhon më mirë sesa ai, ka një vit që po e menxhon si mos o Zot. Pa pikë profesionalizmi dhe me një ekip “karagjozësh” që si parim kanë propagandën dhe fitoret e “Rilindjes” e jo thënien e të vërtetës, të shpallur “sekret qeverie” me urdhër underground, për arsye të pajustifikuar dhe që nuk i shërben mirëmenaxhimit e korrigjimit të mangësive.

Ndër të paktit ekspertë që e artikuloi ashiqare realitetin shëndetësor”COVID-19″ ka qenë specialisti i shëndetit publik, Erion Dasho, nga Frankfurti i Gjermanisë, ku shërben në profesionin e tij.

Në një intervistë ekskluzive për “Arberianews.net”, i pyetur rreth besueshmërisë së realitetit të shifrave zyrtare të raportuara, mjeku Dasho, vlerësoi, duke dhenë një përgjigje që s’ka nevojë për koment.

“Shifrat nuk janë aspak të besueshme. Kur raportohen të shtruarit nëpër spitalet e “COVID”-it nuk raportohen personat e prekur nga “COVID”-i, dhe që nga testi rezultojnë negativ dhe as rastet e shtruar në spitalet e rretheve. Nëse do të raportoheshin të gjithë këta të shtruar, numri do të ishte afër 1 mijë dhe jo më shumë nën këtë shifër sa jepet sot. Edhe numri i vdekjeve të raportuara është shumë më i vogël se ai real. Për tu bindur për këtë po ju përmend se Zyra e Gjendjes Civile sapo raportoi se gjatë vitit 2020 kanë humbur jetën rreth 6 mijë persona më tepër se mesatarja vjetore, potencialisht të gjitha vdekje të lidhura me “COVID”-in. Në fakt, Ministria e Shëndetësisë, deri në 31 dhjetor 2020, kishte raportuar vetëm 1,181 vdekje, pra mbi pesë herë më pak se ai që duhet të jetë numri real i vdekjeve”, ishte përgjigja e mjekut Erion Dasho, përkundër heshtjes së të ngjashmëve të tij, që nga frika e ndëshkimit administrativë për të thenë të vërtetën zgjedhin mosfoljen.

Vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi… Përmbyllja e reformimit të shëndetësisë, “ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve”, sikurse shkruan Rama , janë të tjerë pengje që do ti mbeten Ramës, sikurse nënvizon, nëse nuk i japin mandatin e tretë. Ironike: E kërkon edhe mandatin 4 vjeçar shtesë për të përmbyllur një rimëkëmbje shëndetësore, që nuk e bëri dot gjatë tetë viteve të mbushura me skandale miliardëshe të hedhura ndër PPP-të e ish ministrit “rilindjas” Ilir Beqaj, të dendur me padi penale pranë SPAK-ut, nga opozita PD.

E vetmja meritë që i duhet njohur qeverisë tetë vjeçare Rama në Shëndetësi është betonizimi i spitaleve të rikonstruktuara e të rinj kundrejt kostove dhjetëfish më të shtrenjta dhe skandalet e njëpasnjeshme me blerjet abuzive të ilaçeve, paisjeve, tenderave pa tenderim, me kosto çmimesh të ngjashme me ato stratosferike të kilometrit për infrastrukturën rrugore, që do të jetë një tjetër “peng” që do ti mbetet,  “Sheikut të rilindjes”, nëse nuk i’a japin mandatin e tretë.

Por kulmin në mesazhin e “pengmbetjes”, nëse nuk i’a japin një mandat të tretë, kryeministri Edi Rama e arrin kur rreshton ” forcimin e taksimit progresiv”, që është gangrena e shtimit të varfërisë së shqiptarëve dhe luksit të oligarkëve. Sikurse thekson, gjithashtu, se do ti mbetet “peng” mosrritja e pagës minimale e pagave në tërësi etj., premtimeve të premtuara bujshëm 24 orë ndër 24, gjatë dy fushatave elektorale (ku ja doli ti qorolleps votuesit shqiptarë), por të pambajtura përgjatë tetë viteve të ikura të qeverisjes nën parimin “Ne, Rilindja për vete, Zoti për ju”! / Arberianews.net /

MESAZHI I RAMËS NË FCB:

Mandatin e Tretë s’do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes, e sidomos më të voglit nga ne të pestë, nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja; nëse nuk do të duhej fituar lufta me Covidin dhe kryer vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi, duke kapërcyer një mal me vështirësi; nëse nuk do të duhej përmbyllur reformimi i shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve; nëse nuk do të duhej forcuar progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi, tanimë që bazat e ekonomisë janë forcuar, zhvilluar më në fund infrastruktura portuale e aeroportuale, e cila nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur konkretisht…

Janë këto e plot beteja të tjera që nuk mund të lihen në mes, sepse asnjë tjetër sot për sot, përveç meje e Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës që ne kemi fituar në drejtimin e vendit!

THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbërianews.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Check Also

Bilanci i fundit/ Rritet numri i të infektuarve me COVID dhe të shtruarve, 21 viktima gjatë 24 orëve

21 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 − one =