Home / Aktualitet / Arrestimi i ish-kryeplakut dhe të birit, Policia jep detaje: U godit një grup kriminal

Arrestimi i ish-kryeplakut dhe të birit, Policia jep detaje: U godit një grup kriminal

Detaje të reja nga arrestimi i ish-kryeplakut të fshatit Podgorie në Korçë Arben Pilinci dhe djalit të tij Orlind Pilinci. Policia njoftoi se është goditur një grup kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve në qarqet Korçë dhe Fier.

Të njëjtat burime sqaruan se operacioni është zhvilluar në tre faza gjatë të cilave në total, janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 12 persona.

Gjatë fazës së tretë dhe përfundimtare të këtij operacioni janë ndaluar 4 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në total 32,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Arrestimet

Policia njoftoi se:

Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Elbasan, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Fier dhe Elbasan, u përmbyll faza e tretë dhe përfundimtare e operacionit policor të koduar “Finish”, në kuadër të të cilit është bërë e mundur goditja e një grupi kriminal me aktivitet në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në qarqet Korçë dhe Fier.

Pas një hetimi dinamik prej një viti, në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në fazën e fundit të operacionit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë bënë ekzekutimin e masave të sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për shtetasit:

  • Arben Pilinci, 49 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, organizimit të lotarive të palejuara dhe armëmbajtjes pa leje), në rolin e organizatorit të grupit;
  • Orlind Pilinci, 31 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”), në rolin e organizatorit të grupit;
  • Erald Mucelli, 32 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”);
  • K. H., 35 vjeç, banues në Ballsh, Mallakastër (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”):

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit:

  • T. B., 47 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), në rolin e organizatorit të grupit, njëri prej të arrestuarve gjatë operacionit “Domosdova” në Elbasan, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitjeje” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në “Arrest në burg”;
  • Sh. G., 40 vjeç, banues në fshatin Ngjegjan, Roskovec, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Hetimet

Policia njoftoi se: “Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe provave të grumbulluara u bë e mundur që të dokumentohej me prova ligjore, bashkëpunimi i këtyre shtetasve me personat e arrestuar më parë nga Policia, konkretisht më datë 04.06.2020, në Elbasan, me operacionin e koduar ‘Domosdova’, por edhe hetimeve të mëtejshme të kryera në vijim të tij, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 5 shtetas, midis tyre edhe shtetasi T.B., si dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis.

Gjithashtu edhe lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 19.12.2020, në Korçë, ku në afërsi të Qafë-Plloçës, u kapën 2 shtetas të tjerë, duke transportuar me mjet, 4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Nga gjithë hetimi i kryer është provuar se shtetasit Arben Pilinc., Orlind Pilinci, T. B. dhe Erald Mucelli, në rolin e organizatorëve dhe njëkohësisht pritës të lëndës narkotike, nëpërmjet lidhjeve të tyre shoqërore në qarkun e Fierit, me shtetasit G. G., E. M. dhe R. M., siguronin lëndën narkotike dhe nëpërmjet shtetasve të tjerë bashkëpunëtorë, si Y. S., I. D. dhe P. Sh., në rolin e transportuesve, lëndën narkotike të sekuestruar duhet ta sillnin në rrethin e Korçës për llogari të A. P., O. P., T. B. dhe E. M. Gjithashtu gjatë hetimit është provuar se posedues të lëndës narkotike në qarkun e Fierit kanë qenë shtetasit Sh. G. dhe K. H.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Check Also

Maliqi: Uragani popullor është nisur, askush nuk e ndal në 25 prill

Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga votimi i 25 prillit, kandidati për deputet në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 2 =