Home / Analize / “Armatosja” e lajmit dhe fajtori i madh i kohës sonë

“Armatosja” e lajmit dhe fajtori i madh i kohës sonë

Nga Nina L. KHRUSHCHEVA –

NEW YORK – Në vitin 1940, me Britaninë që qëndronte e vetme kundër Gjermanisë naziste, u botua një libër i shkurtër i quajtur “Guilty Men” (“Fajtorët”), nën pseudonimin “Cato”. Autorët e tij ishin lideri i ardhshëm i Partisë Laburiste, Michael Foot, gazetari liberal Frank Ouen dhe ai konservator Peter Houard. Fajtorët ishte një përpjekje që vendoste përpara llogaridhënies burrat – duke përfshirë Neville Chamberlain dhe Lord Halifax, në atë kohë ende anëtarë të kabinetit të Uinston Churchill – zbutja e të cilëve ndaj Adolf Hitlerit, kishte ndihmuar për ta çuar Mbretërinë e Bashkuar në prag të asgjësimit.

Sot është përsëri koha për të përmendur emra, dhe jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, ku demokracia po përpëlitet prej etheve të Brexit. Në Shtetet e Bashkuara, një paranojë e zjarrtë ka zënë vend, ku agresioni i supremacistëve të bardhë në Charlottesville të Virxhinias gjatë fundjavës së 12 gushtit – ku një protestues paqësor u vra dhe shumë u plagosën – ishte vetëm manifestimi më i fundit.

Presidenti Donald Trump, nuk është habi, s’dëshiron të përmendë emra. Atij iu deshën disa ditë, para se të dënonte grupet racistë që bënë namin në Charlottesville. Më pas, u tërhoq shumë shpejt, duke i barazuar anëtarët e Klanit dhe ekstremistët e të djathtës alternative që tundin svastika në ajër dhe thërrasin slogane naziste, me ata që u kundërvihen atyre. Në fakt, Trumpi u detyrohet për presidencën e tij, forcave të zemërimit dhe pakënaqësisë që dolën hapur në Charlottesville.

Por, ndërkohë që Trump ka ushqyer me dëshirë të madhe flakët e urrejtjes në SHBA, nuk ishte ai që i ndezi ato, ashtu sikurse nuk ishin mbështetësit e Brexit që e bënë këtë në Britaninë e Madhe. Ne duhet të shohim përtej këtyre figurave, për të përcaktuar se kush është me të vërtetë përgjegjës për nxitjen e një klime politike, ku gënjeshtrat e hapura, racizmi dhe fanatizmi kanë hyrë në rrjedhën kryesore të diskursit publik. Vetëm kur të identifikojmë burimet e virusit të urryer që tani po dëmton demokracitë tona, mund të ndërmarrim hapa praktikë për t’i futur në karantinë.

Le të fillojmë me “pacientin zero” në këtë murtajë politike: Rupert Murdoch.

Për dekada të tëra, ky sipërmarrës i kompleksit politiko-argëtues të krahut të djathtë, ka ashpërsuar politikën në Britani të Madhe dhe SHBA – për të mos përmendur Australinë, vendlindjen e tij – për hir të fitimeve dhe influencës politike. Gazetat e Murdoch dhe rrjetet televizive, fare mirë mund të patentonin edhe recetën për politikën mashtruese, që shkaktoi ngjitjen e Trumpit dhe votën për Brexit.

Për çfarë, ekzaktësisht, është fajtor Murdoch-u? Le të lëmë mënjanë listën gjithnjë në rritje të ngacmimeve seksuale dhe ankesave për sulme, ngritura kundër kanalit të tij “Fox News Channel”. Këto kanë qenë kaq të shumta dhe skandaloze, saqë edhe themeluesi i rrjetit, i ndjeri Roger Ailes dhe gjeneruesi kryesor i parave të tij, Bill O’Reilly, më në fund (dhe me gjysmë zemre) duhej të shkarkoheshin. Le të lëmë mënjanë përgjimet skandaloze të telefonave privatë në Britani të Madhe, që arriti kulmin me mbylljen e tabloidit të dashur të Murdoch-ut, “The News of the World”. në vitin 2011.

Për të përcaktuar fajësinë e Murdoch-ut, mjafton të përqendrohemi vetëm në rekordet e fundit të gënjeshtrave dhe mashtrimeve, nga mediat në pronësi të tij. Ka pasur, për shembull, përpjekje të përsëritura nga “Fox News” për të lënë të kuptohet, se vrasja e Seth Rich, një stazhiere e re në moshë, e Komitetit Kombëtar Demokratik, ishte orkestruar nga ekipi i fushatës presidenciale të Hillary Clintonit, për të fshehur rolin e dyshuar të Rich në rrjedhjen e emaileve të brendshme të Komitetit. Në fakt, një padi e kohëve të fundit pretendon se “Fox News” ka punuar me Shtëpinë e Bardhë për të përhapur këtë histori të rreme.

Kjo nuk ishte aspak shpikja e vetme anti-Clinton e rrjetit. Folësi i “Fox News” Sean Hannity dhe komentatori i rregullt i rrjetit, Neët Gingrich përhapi me padurim një nga teoritë më të çuditshme të konspiracionit të kohës që jetojmë: pohimin se Clintoni dhe grupi i saj po drejtonin një rreth pedofilie, nga një piceri në Uashington, DC. Kjo histori vërtet e marrë, bëri që një person i armatosur të hyjë në piceri dhe të qëllojë me pushkë.

Por ky incident me sa duket, nuk i ndali as “Fox News”, as pronarin e tij. Në vend të kësaj, rrjeti vazhdoi të përjetësonte gënjeshtrën që agjensia britanike e mbledhjes së informacionit, Qendra e Komunikimeve të Qeverisë (e njohur më mirë si GCHQ), ishte ngarkuar nga presidenti Barak Obama për të spiunuar Trump-in gjatë fushatës. Ai promovoi lajmin e pabazë që ish-drejtori i FBI-së, James Comey, të cilin Trump-i e shkarkoi në mesin e një hetimi të intensifikuar, për bashkëveprimin e mundshëm të ekipit të fushatës së tij me Rusinë, kishte nxjerrë memo të klasifikuara.

Natyrisht, mëkatet e mediave të Murdoch-ut nuk janë të kufizuara në SHBA. Për të përmendur një shembull britanik, “Sunday Times” në pronësi të Murdoch-ut, publikoi kohët e fundit një koment nga një mohues irlandez i Holokaustit, që përsëriste idenë e vjetër raciste, se hebrenjtë duan vetëm para, ndërkohë që ulte gratë që punojnë në BBC dhe marrin paga më të ulëta – gjoja një rezultat i paaftësisë së tyre për vetëafirmim.

Në çdo organizatë shtypi të përgjegjshme, publikimi ose transmetimi i një prej këtyre shembujve të vërtetë të lajmeve të rreme, do të ishte bazë për shkarkimin e redaktorëve përgjegjës – qoftë edhe prej zemërimit të investitorëve. Megjithatë, Murdoch-u ka vazhduar të gjenerojë fitime mjaft të mëdha për të heshtur aksionerët institucionalë, si Vanguard Group, Fidelity Investments dhe Franklin Templeton Investments.

Investitorët individualë janë po aq fajtorë. Konsideroni Princin Saudit Al-Ualeed Bin Talal, aksionari i dytë më i madh i kompanisë mëmë të “Fox News”. Ai është me sa duket më i interesuar në fitimin e parave sesa t’i kundërvihet, për shembull, përhapjes së rrjetit të propagandës kundër rreth muslimanëve, duke përfshirë atë që po përpiqen të imponojnë ligjin e Sheriatit në SHBA.

Nëse tregjet nuk mund të nxisin sjellje më të mirë nga Murdoch, ndoshta do duhet të ndërhyjnë qeveritë. Me Murdoch-un që kërkon të marrë kontrollin e plotë të Televizionit Sky, rregullatorët britanikë kanë një mundësi kritike për të parandaluar shfaqjen e një kloni të “Fox News” në ekranet televizive britanike – nëse kanë guximin, gjë që rregullatorët britanikë nuk e kanë treguar deri tani.

Më parë, Murdoch dhe djemtë e tij u konsideruan si “të duhurit” për një licencë televizive në Mbretërinë e Bashkuar. Por, siç ka dëshmuar katalogu i gënjeshtrave që Fox ka promovuar në gjashtë muajt e parë të presidencës Trump, nuk ka njeri më të papërshtatshëm për pronësinë e një mediumi në një demokraci, sesa Rupert Murdoch.

Si një ish-shtetase e një vendi – Bashkimi Sovjetik – që ishte moralisht dhe politikisht i korruptuar nga propaganda, unë jam shumë e vetëdijshme për dëmet që mund të bëhen me armatosjen e lajmeve. Murdoch është një nga njerëzit me të vërtetë fajtorë të kohës sonë, dhe ai duhet të ndalet. / Bota.al

Botuar nga Bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Guilty Man

Check Also

Po synohet destabilizimi? Spartak Ngjela: SHBA nuk mund t’i lejojnë mercenarët rusë të…

Koha sot në Shqipëri po punon underground – domethënë në mënyrë të nëndheshme. Por, gjithmonë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × 1 =