Home / Aktualitet / Ardian Isufi vjen me ekspozitën “Spiderman”, në “Galeri 70”

Ardian Isufi vjen me ekspozitën “Spiderman”, në “Galeri 70”

“Spiderman” titullohet ekspozita e artistit të njohur Ardian Isufi, që u çel për publikun në “Galeri 70”. Një ekspozitë e bukur dhe interesante, ku imazhi dhe instalacioni i kushtohen publikut. Artisti dhe pedagogu i arteve Ardian Isufi tregon se është një ndërhyrje artistike në vazhdën e punës së tij, që vjen në disa aspekte. “Aspekti i parë është ai që lidhet me ndërhyrjen artistike, pra që disa vepra arti që janë të menduar në një hapësirë të caktuar sjellin një situatë, që mund të themi të një lloj satire filozofike. Ne po kalojmë pandeminë dhe jemi në një gjendje të një paqëndrueshmërie, dhe në këtë situatë edhe artistët reagojnë në format e tyre.

Reagimi im është një reagim përtej elementit estetik, sepse mendoj që arti bashkëkohor sot duhet patjetër të flasë nëpërmjet veprës në mënyrë shumë direkte, por duhet të flasë dhe nëpërmjet atmosferës të cilës ndërton një artist”, tregon artisti i njohur për “Spiderman”. Ekspozita u hap në “Galeri 70” pranë qendrës “Toptani” në Tiranë, ndërsa i shtohet jetës artistike këtë kohë. Aktivitetet artistike për shkak të pandemisë nuk kanë qenë sa duhet, por te “Galeri 70” artdashësit gjejnë këtë herë ekspozitën “Spiderman”. Artisti Ardian Isufi thotë mes të tjerave se në “Galeri 70” ka ndërtuar një hapësirë që e integron publikun. “Pra nuk është thjesht disa vepra, që mund ti shikosh kur je përballë, por ka dhe elementë që e fusin në një lloj akti dhe në një lloj destabiliteti publikun artdashës, por në një lloj destabiliteti edhe qenien humane.

Ka disa ndërhyrje për të cilat ftoj publikun që të vijë ta shijojë. Ndërhyrje që mendoj ka vlerë jo vetëm në kontekstin që ne po jetojmë, por dhe do të ketë vlerë si jehonë në të ardhmen sa i takon vazhdimësisë sime artistike”, thotë artisti i njohur për punën e tij. Si artist në lidhje me ekspozitën, ai thotë se “Spiderman” si ide lindi nga reflektimi ndaj pandemisë. “Ky është një personazh mbarëbotëror dhe i takon tashëm gjithë botës në mënyrën se si është ndërtuar ky lloj miti, dhe si të thuash nisa një lloj loje satirë filozofike, por dhe loje filozofike me këtë personazh, i cili tashmë dhe nuk ka atë fuqinë mitike të tij. Pra është kthyer gati si një personazh i zakonshëm, të cilin ti mund ta analizosh dhe studiosh si çdo personazh i shoqërisë”, thotë artisti i njohur.

 Rreth ekspozitës

Mitet kanë rënë!…Paqëndrueshmëria e përhershme është bërë tashmë status i qëndrueshëm në bashkohësinë tonë! “Spiderman” nuk mund të shpëtojë botën nga frika apo pasiguria e të nesërmes!… Ky mit i realizmit kapitalist është “djali plangprishës” në utopinë e tij, nën kontrollin e sistemit dhe duket larg ëndrrës dhe dëshirës për të shpëtuar njerëzimin. Çdo përpjekje e tij tashmë është e survejuar, e kalkuluar, dhe jashtë çfarëdo lloj dëshire mitike për të na dhënë shpresë dhe guxim për të jetuar.

Ai, (Spiderman), vjen në veprat e artistit Ardian Isufi në situata të ri-kontekstualizuara, në përplasje kohësh të ndryshme, ku jeta rurale dhe urbane duken si të mbajtura pezull nën peshën e këtij të “pavdekshmi të vdekshëm”; thuajse ai është njëri prej nesh në agoninë e jetës tonë. “Gallery70” për artistin është një hapësirë konceptuale site specifik e aktit artistik.

Imazhi dhe instalimi janë dedikuar për ti ofruar publikut një “destabilitet të stabilizuar”, që luhatet mes tundimit të dyshimit dhe pasionit për të eksploruar, rezultati i të cilave është jashtë kontrollit tuaj.

Check Also

Audio-përgjimi i Lames, reagon për herë të parë kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka komentuar audio përgjimet te Artan Lames, i cili u akuzua se …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − 5 =