Home / Aktualitet / Amnisti për emigrantët, Hoxha jep lajmin e mirë

Amnisti për emigrantët, Hoxha jep lajmin e mirë

Presidenti i Dhomës Britanike të Tregtisë, Zenel Hoxha, ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka komentuar mbi nismën e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, për amnistimin e emigrantëve të paligjshëm.

Hoxha tha se çështja është marrë në shqyrtim nga Kuvendi në Britaninë e Madhe, dhe synohet që të amnistohen të gjithë emigrantët që nuk kanë qenë derimë tani të regjistruar, për shkak të kostove shumë të larta të konsulencës ligjore.

“Problemi ynë nisi me faktin per personat që mbërrijnë ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe sistemi tashmë është bërë dhe më i vështirë, konsulenca ligjore është shumë e shtrenjtë.

Ata janë të varfër, nuk kanë mundësi, 80% e tyre nuk kanë arritur të ndjekin procedurën për shkak se nuk kanë mundësi që të paguajnë konsulencën ligjore. Në dëgjesën në parlament, u fol dhe për mundësinë që këta persona të kenë trajtim shëndetësor apo social.  

Ne e dimë se veçanërisht të rinjtë që nuk kanë mundësi që të punojnë i drejtohen krimit, shqetësime të tilla na vijnë dhe nga bashkëatdhetarët tanë, të cilët kanë përfunduar në rrjetet e krimit, një pjesë e të cilëve vuajnë dënimin në burgje, apo janë në pritje të dëbimit në Shqipëri.

Po synojmë që të sinkronizojmë përpjekjet tona, në mënyrë që Britania të legalizojë një pjesë të emigrantëve duke i klasifikuar. Së pari mund të pajisen me dokumente të gjithë ata që jetojnë prej 10 vitesh në Britani, dhe fëmijët e tyre, e rëndësishme është që të nisë si proces.

Pati diskutime të shumta, dhe pjesa më e madhe e deputetëve u shpreh pro kërkesës sonë, Britania e Madhe duhet të plotësojë kërkesat për të drejtat e njeriut. Politika ndonjëherë bën kalimin në ekses të demokracisë, duke bërë të mundur shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Hoxha.

I pyetur nga gazetarja Rovena Neziri, nëse mund të bëjë diçka Tirana zyrtare për avancimin e kësaj kërkese të komunitetit shqiptar, Hoxha la të kuptohej se jo, ndërsa dënoi marrëveshjen e fundit që u nënshkrua mes dy ministrave të brendshëm të dy vendeve.

“Na thanë që kërkesa sonë duhet të ishte më specifike, por ne themi që kërkesa jonë është që të amnistohen të gjithë personat që jetojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Edhe marrëveshja e fundit e nënshkruar nga Bledi Çuçi dhe ministrja britanike është në shkelje me të drejtat e emigrantëve që jetojnë atje. Shqipëria duhet të punojë për ta bërë vendin më të jetueshëm për qytetarët e saj”, u shpreh më tej Hoxha.

Check Also

Policia shoqëron djalin e Azem Hajdarit, i gjejnë drogë në makinë

Policia e Elbasanit ka shoqëruar sot në komisariat djalin e vogël të Azem Hajdarit, i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + one =