Home / Kulture / Alfabet i dashur, atdhe i dashur: origjina e panjohur (Amerikane) e “Himnit të alfabetit”, 1909

Alfabet i dashur, atdhe i dashur: origjina e panjohur (Amerikane) e “Himnit të alfabetit”, 1909

Nga Gazmend KAPLLANI-
“Deri tani është hamendësuar se Parashqevia (Qiriazi) e ka kompozuar vetë “Himnin e alfabetit”, ose se e ka huazuar nga një marsh francez. Por cila është origjina e vërtetë e kësaj muzike?
Përgjigjja zbulohet në botën universitare amerikane, madje në disa nga kolegjet më prestigjioze. Në fillim të shek. XX, ndeshjet e futbollit amerikan midis kolegjeve rivale Yale dhe Harvard ishin shumë të forta. Para një ndeshjeje në vitin 1900, një student nga kolegji Yale, Allan M. Hirsh, krijoi një këngë frymëzuese me emrin “Boola” (Bula), për të motivuar studentët dhe tifozët e tjerë të Yale-it. Teksti i këngës thoshte guximshëm se Yale-i do të fitonte thellë dhe lojtarët e dërrmuar të Harvard-it do të qanin: “Bula bula, bula bu!”. Me të vërtetë, kolegji Yale-i e fitoi ndeshjen kundër Harvardit, 28–0! Si melodi, Hirshi e përshtati këngën e tij prej një kënge popullore me emrin “La Hoola Boola” (La Hula Bula), e kompozuar nga muzikanti afrikano-amerikan Bob Cole.
Ky muzikant spikat në historinë e teatrit të Amerikës dhe në historinë e vështirë të diskriminimit ndaj pakicave, sepse ai ka shkruar dhe ka sjellë në skenar të parën dramë muzikore, A Trip to Coontown (Një udhëtim në Kuntaun), e cila ishte shkruar, drejtuar dhe luajtur ekskluzivisht nga artistët zezakë dhe që vazhdoi në skenë prej viteve 1898–1890. Më 1901 kënga e A.M.Hirsh-it u botua për herë të parë si partiturë nga Charles H. Loomis (New Haven, Connecticut), me titullin “Yale (March & Two-Step) Boola”. Më 1905 kënga filloi të përdorej edhe nga Universiteti i Oklahomës, dhe përdoret ende sot nga ky universitet para ndeshjeve të tij të sportit, me titullin: “Boomer Sooner”.
Mund të pyesim se si ndodhi që një këngë për stadiume të futbollit amerikan do të gjente vend si muzika e “Himnit të alfabetit”?
Midis viteve 1900–1901, këngës së A. M. Hirsh-it iu shtuan ca strofa të reja, me nëntitullin “Bright College Years” (Vitet e shndritshme të kolegjit). Këto fjalë të reja nuk ishin për sportin, po për vitet e shkollës, për krenarinë e të qenët student në Kolegjin Yale, për miqësitë që krijoheshin në kolegj, si edhe për besnikërinë që një student duhet të tregojë “ndaj Zotit, atdheut dhe Yale-it”, teksa largoheshin e niseshin për të punuar në “botën e turbullt si deti”. Sigurisht, në kohën kur Parashqevi Qiriazi e shkroi tekstin e “Himnit të alfabetit”, nuk kishte qenë ndonjëherë studente në Kolegjin Yale, por ajo, si motra e saj e madhe Sevasti, ishte diplomuar në një kolegj tjetër amerikan, një shkollë protestante për vajza në Stamboll, me emrin “Constantinople Women’s College” (Sevastia u diplomua më 1891, Parashqevia më 1904).
Ky kolegj kishte drejtorë dhe profesorë nga Amerika. Ende nuk kemi zbuluar një dëshmi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, por duhet të hamendësojmë se amerikanët që punonin në këtë kolegj e kishin sjellë këngën “Boola” të Kolegjit Yale në Stamboll për t’i frymëzuar studentet, dhe se aty Parashqevi Qiriazi duhet ta ketë dëgjuar e kënduar këngën.
Kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit kundër alfabetit të ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh, duke qenë e sigurt se kjo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë. Sipas Sevasti Qiriazi-Dakos, kënga u këndua në mitingun e shkronjave në Korçë në shkurt, 1910, kur u mblodhën rreth 12.000 pjesëmarrës. Sevastia shkruan: “Pas
fjalimeve, njerëzit kënduan ‘Himnin e alfabetit’, i cili ishte kompozuar posaçërisht për këtë rast prej motrës sime, Parashqevisë. Himni i rrëqethi që të gjithë dhe qysh nga ajo ditë është kthyer thuajse në himn kombëtar”.
– DAVID HOSAFLOOK, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve

Check Also

“Vitet e Pritjes”, sot premiera botërore e versionit të restauruar

Sot shfaqet premiera botërore online e versionit të restauruar të filmit artistik “Vitet e Pritjes” …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × five =