Home / Aktualitet / “Afera e inceneratorëve”/ Petrit Vasili i LSI: Lefter Koka ka fituar 3.4 mln euro nga kompanitë fiktive

“Afera e inceneratorëve”/ Petrit Vasili i LSI: Lefter Koka ka fituar 3.4 mln euro nga kompanitë fiktive

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka denoncuar atë që e konsideron si “afera e inceneratorit të Elbasanit”, në të cilën përfshin edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje mediatike mesditën e së Enjtes publikoi një seri dokumentash, të cilat, sipas tij, provojnë se kompania koncensionare e inceneratorit të Elbasanit “Albtek Energy” dhe ish-ministri Koka, kanë përfituar miliona euro nëpërmjet kryerjes së veprimeve fiktive.

Vasili u shpreh se pronarja e deklaruar e kompanisë “Albtek Energy”, Stela Gugallja, në fakt është një person që mbulon përfituesin e vërtetë, Klodian Zoto.

Për të konfirmuar këtë deklarim, zyrtari i LSI-së tregoi me dokumenta se Gugallja, në kohën që themeloi “Albtek Energy”, në vitin 2014, në fakt ishte ekonomiste në kompaninë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos.

Duke iu referuar të njëjtave dokumentave, Vasili u shpreh se Gugallja ka qenë e punësuar e Zotos deri në vitin 2015, ndërkohë që kompania e regjistruar në emrin e saj kishte fituar më herët kontratën koncensionare për inceneratorin e Elbasanit.

Në vijim, Petrit Vasili tregoi dokumenta zyrtarë, në të cilët shënohet se “Albtek Energy” ka paguar disa qindra mijëra euro për konsulta juridike në zyrën ligjore të Klodian Zotos.

Këto veprime, sipas Vasilit, dëshmojnë qartë se e gjitha është një skemë fiktive për të përfituar para, të cilat u janë dhënë për ndërtimin e inceneratorit nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës, e cila në atë kohë drejtohej nga Damian Gjiknuri.

Gjithashtu, Vasili tregoi edhe dokumenta të tjerë, në bazë të të cilave, sipas tij, rezulton se kompania ka shpenzuar mbi 1.4 milionë euro për paga, ndërkohë që në studimin e fizibilitetit për inceneratorin, të dorëzuar prej vetë shoqërisë private, ishte shënuar se rrogat do të ishin në vlerën e rreth 750 mijë eurove.

Pasi bëri një shpjegim të përgjithëm mbi atë që e konsideroi si abuzim të pastër me paratë publike, Petrit Vasili publikoi edhe një seri dokumentash, mbi bazën e të cilave ai akuzoi drejtëpërdrejtë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, se ka përfituar mbi 3 milionë euro nga “afera e inceneratorit të Elbasanit”.

Drejtuesi i lartë i LSI-së publikoi emrat e 8 kompanive, të cilat sipas tij janë të gjitha thuajse fiktive dhe të lidhura drejtëpërdrejtë me Lefter Kokën.

Këto kompani, sipas dokumentave të prezantuar nga Vasili, kanë deklaruar shitje shërbimesh tek “Albtek Energy” dhe për të cilat janë paguar në total në rreth 3.4 milionë euro.

Këto kompani rezultojnë të gjitha në pronësi të personave të afërt (rreth miqësor) të ish-ministrit Lefter Koka dhe djalit të tij, të krijuara thuajse në të njëjtën kohë, me një numër minimal të punësuarish dhe disa edhe në të njëjtën adresë, siç theksoi Petrit Vasili.

Një pjesë e këtyre kompanive, pasi kanë marrë paratë nga “Albtek Energy”, i kanë kaluar ato tek kompania e vëllait të Lefter Kokës, duke faturuar pagesa për shërbime të marra prej asaj të fundit.

Sipas denoncimit të Petrit Vasilit, më poshtë është lista e kompanive, të lidhura me Lefter Kokën, si edhe paratë që ato kanë përfituar nga “Albtek Energy”
– Kompania “Pivot 4” ka marrë 860 mijë euro nga “Albtek Energy”. Gjithë vlerën e marrë nga kjo kompani është shkarkuar në kompaninë e ministrit të vendosur në emër të vëllait të Lefter Kokës;
– Kompania “Sili” ka marrë 456 mijë euro nga “Albtek Energy”
– Kompania “Bellar Inert” ka marrë rreth 430 mijë euro nga “Albtek Energy”
– Kompania “Deto” ka faturuar për “Albtek Energy” rreth 450 mijë euro punime
– Kompania “R.B General Service” ka faturuar për “Albtek Energy” rreth 420 mijë euro
– Kompania “TGV&T-2014” ka faturuar për “Albtek Energy” në vlerë rreth 320 mijë euro
– Kompania “JPY”
– Kompania “Sh-Sh” ka faturuar rreth 120 mijë euro për shërbime të ofruara për “Albtek Energy”

Pas prezantimit të dokumentave, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se të gjithë materialet do të jenë pjesë e një kallëzimi që do t’i dorëzohet Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për të hetuar penalisht të gjithë personat e përfshirë./BoldNews.al

Check Also

Kryeministri Rama jep medalje ari për nxënësit me rezultate të shkëlqyera, i riu ‘ia plas në sy’: Shyqyr që erdhën zgjedhjet…

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Evis Kushin kanë dorëzuar medalje për gjimnazistët ekselent. Teksa ia …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 2 =