Home / Investigim / Aeroporti i Kukësit u përurua ende pa u përfunduar punimet

Aeroporti i Kukësit u përurua ende pa u përfunduar punimet

Aeroporti i Kukësit, një vepër e premtuar prej vitesh u përurua në 18 prill në një ceremoni ku ishin edhe kryeministri Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Më herët kryeministri Rama ishte zotuar madje se do sillte kuksianët nga Londra për të votuar në qytetin e tyre. Por 10 ditë pas këtij përurimi, Faktoje e cila kishte marrë përgjigje nga bashkia se punimet për aeroportin nuk kishin përfunduar, konfirmoi edhe në terren, se ky aeroport u përurua para se të përfundonte.

Më 18 prill aeroporti i Kukësit u përurua në mes të fushatës elektorale, nga Kryeministri Edi Rama dhe Minisrtja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Kjo e fundit theksoi:

“Duke nisur nga sot ky aeroport, është operacional, ju sapo e patë, jeni deshmitar, duke nisur nga sot në këtë aeroport do të nisin të gjitha testet nga kompanitë ajrore”.

Të pranishëm ishin edhe pasagjerë të ardhur nga Londra, por me destinacion aeroportin e Rinasit për të vijuar më pas udhëtimin drejt Kukësit.

Faktoje i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kukësit, për ta pyetur se në cilën fazë ishin punimet e aeroportit, sa është vlera e projektit dhe kur pritet të përfundojë plotësisht.

                              Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Kukës, 12 prill 2021

Dy ditë pasi aeroporti ishte përuruar, Bashkia Kukës na ktheu këtë përgjigje:

                                                           Përgjigje e Bashkisë Kukës, 21 prill 2021

“Në aeroportin e Kukësit akoma po kryhen punime të cilat nuk kanë mbaruar.

Vlera e investimit sipas përllogaritjes së taksës se ndikimit në infrastrukturë është 862,203,750 lekë.”-thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje më 29 prill shkoi për të vëzhguar në terren dhe për të parë nga afër punimet për aeroportin e Kukësit.

Pjesa hyrëse në Aeroportin e Kukësit, 29 prill 2021

Në këtë aeroport punimet vazhdonin ende, gjë që e konfirmonin makineritë dhe punëtorët brenda territorit, ku na u ndalua të hynim nga roja i cili na tha se duhet të merrnim një leje pranë Ministrisë së Infrastrukturës në Tiranë. Megjithatë ai pohoi:

“Punimet vazhdojnë, duhet shumë kohë të përfundojnë”.

                                 Punimet për pistën e uljes së avionëve, Kukës, 29 prill 2021

Punimet për Aeroportin e Kukësit, 29 prill 2021

Punimet për Aeroportin e Kukësit, 29 prill 2021

Banorët e Kukësit kanë pritur për vite më radhë aeroportin e tyre, investim i cili pritet të sjellë zhvillim në këtë zonë, i premtuar nga zyrtaret e lartë që prej vitit 2005 dhe i pasuar me vonesa të njëpasnjëshme.

Në prill të vitit 2018 teksa po bisedonte me banorët e Kukësit Kryeministri Rama theksoi:

“Jam shumë optimist se në vjeshtë, aeroporti do të fillojë të jetë operativ, jam shumë optimist se që për festat e fundvitit, kuksjanët që do të vijnë nga jashtë në shtëpi, do vijnë përmes atij aeroporti”.

Në tetor të po atij viti gjatë një komunikimi me gazetarët, zoti Rama deklaroi se në shkurt të 2019-s do të fillontë puna për aeroportin e Kukësit.

“Ambicja është që brenda muajit janar, maksimumi në fillim të shkurtit të fillojmë puna në kantierin e aeroportit”.

Përtej afateve të shkelura, edhe përurimi në 18 prill, e gjeti aeroportin e Kukësit jo funksional dhe me punime që vazhdojnë edhe 10 ditë pas ceremonisë./Faktoje.al

Check Also

Frika nga vala e katërt? Rritja e numrit të të infektuarve alarmon Italinë e Veriut

Të dhënat e raportuar në 24 orët e fundit në veriun e Italisë kanë rikthyer …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen − 5 =