“Në fillim na thanë që maskat nuk funksionojnë. Më pas ndodhi e kundërta. Tani duket se vetëm një s’mjafton”, kështu nis një artikull i Daily Mail, ku flitet për trendin më të ri, atë të vendosjes së dy maskave në të njëjtën kohë, trend ky i cili nisi në Amerikë.
Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris u fotografuan teksa mbanin dy maska mbrojtëse, në një kohë kur këshilltari kryesor mjekësor i vendit, Dr. Anthony Fauci, prej muajsh deklaron se vendosja e vetëm një maske nuk e siguron mbrojtjen e duhur nga Covid-19. Po kështu, javën e shkuar, ekspertët e shëndetit amerikan rekomanduan zyrtarisht që qytetarët të mbanin dy maska, duke argumentuar se kjo mund të zvogëlojë përhapjen e mundshme të grimcave të virusit. Udhëzimi erdhi pasi vëzhguesit shëndetësorë të SH.B.A.-së, nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), testuan një numër mënyrash të ndryshme, sa i takon mbajtjes së maskës.
Ata vunë re se vendosja e një maske kirurgjikale dhe e një tjetre, leckë neutralizoi 92 përqind të grimcave që dilnin nga goja, në krahasim me vetëm një maskë kirurgjikale, që ia doli të bllokonte 42 përqind të grimcave.