Home / Histori / A ishin Kalorësit Templarë, pasardhësit e Pleqve Hebrenj?

A ishin Kalorësit Templarë, pasardhësit e Pleqve Hebrenj?

Kalorësit Templarë mbërritën në Tokën e Shenjtë me misionin për të rimarrë një thesar që ata besonin se ju përkiste atyre. Sipas historianëve modernë mbi Templarët, Tim Uollas-Mërfi dhe Kristofer Najt, kalorësit që iu bashkuan këtij urdhri të famshëm, ishin pjesë e një morie mbretërish evropianë me origjinë nga Pleqtë Hebrenj, që kishin ikur nga Toka e Shenjtë rreth vitit 70 Pas Krishtit, kur Jeruzalemi u pushtua nga romakët.

Para se të largoheshin nga atdheu i tyre, këta Pleq i fshehën thesaret e tyre të tempullit dhe pergamenat e paçmuara Esene dhe Kabalistikë në rajonet strategjike të Tokës së Shenjtë, në mënyrë që pushtuesi romak Titus të mos mundej t’i merrte me vete si plaçkë lufte.

Pastaj ata emigruan në Evropë. Atje shumë prej tyre u martuan në familjet fisnike të kontinentit. Nga këta Pleq, 24 do të bëheshin patriarkë të një grupi familjesh evropiane të njohura.

Për qindra vjet, vendet e fshehta të thesarit hebre u ruajtën me fanatizëm nga familjet e Pleqve Hebrenj- deri në Kryqëzatën e Parë, kur anëtarët e urdhri të kalorësve“Rex Deus”iu bashkuan misionit të kryqtarëve që udhëtonin drejt lindjes me qëllimin e dyfishtë të mposhtjes së myslimanëve dhe rimarrjes së thesarit të tyre familjar.

Nëntë Kalorësit Templarë origjinalë kishin lindur ose kishin lidhje me familjet “Rex Deus”, siç ishte Godfrua de Baljan, gjenerali francez që i udhëhoqi ata kundër arabëve gjatë Kryqëzatës së Parë. Kushëriri i tij, Mbreti Balduin II i Jeruzalemit, i ndihmoi Templarët të merrnin thesarin, duke ia dhuruar Xhaminë Al-Aksa.

Gjurmët e Templarë aty u zbuluan në vitet 1800 nga një inxhinier i Britanisë së Madhe, dhe sot zotërohen nga familja e arkivistit të ndjerë të Kalorësve Templarë të Skocisë, Robert Brajdën. Me sa duket Pleqtë Hebrenj,e kishin grumbulluar një pjesë të madhe të thesarit të tyre nën Stallat e Solomonit, pasi aty ata kaluan shumicën e kohës duke gërmuar.

Pas nëntë vitesh gërmimi, 9 kalorësit origjinalë, kishin grumbulluar thesare dhe dokumente të mjaftueshme për të mbushur katër sëndukë të mëdhenj. Kur mbrojtësi i tyre, Mbreti Balduin II, u sëmur papritur dhe vdiq, kalorësit i morën me vete në Evropë objektet që gjetën.

Ata u ndalën për pak kohë në Shën Omer në Flander, për të kopjuar një nga dokumentet, dhe që më pas u zëvendësua nga kleriku Lamber dë Shën Omer. I quajtur Jeruzalemi Qiellor, dokumenti i kopjuar ruhet sot në bibliotekën e Universitetit të Gentit në Belgjikë.

Pas një ceremonie të veçantë me Papa Honoriusin III në Këshillin e Trojës në vitin 1128 dy nga kalorësit, Hygo dë Pajen dhe Andre de Monbar, i çuan 4 sëndukët me thesare  në Kiluining të Skocisë, që është edhe vendndodhja e Lozhës së Madhe Masonike “Nëna”.

Sëndukët qëndruan atje për shumë vite, para se të zhvendoseshin përfundimisht në Kështjellën Sinkler në Rozlin, afër Edinburgut. Sinklerët ishin një nga familjet “Rex Deus”, fati i të cilave sipas një legjende, u ndërthur përgjithmonë me Kalorësit Templarë, kur paraardhësja e tyre Katerin dë Shën Kler u martua me Hygo de Pajen, një dekadë apo më shumë para se ai të betohej si murg në vitin 1128.

Për shkak të lidhjes Sinkler-Templarë, shumica e thesarit të Kalorësve, përfshirë pasurinë e madhe që zbarkoi në Skoci pas arratisjes së Templarëve nga Franca në vitin 1307, përfundoi në arkat e Familjes Sinkler.

Ato i ruajtën aty deri kur një zjarr shpërtheu papritur,duke i detyruar që t’i hiqnin nga aty. Shumë shpejt aty nisi ndërtimi i Rosslyn Chapel, synimi origjinal i së cilës mund të ketë qenë ruajtja e 4 sëndukëve. Konfirmimi i fundit për mbijetesën e atyre objekteve ka ardhur përmes skanimeve tokësore në këtë kishëz të marra gjatë 20 viteve të fundit. Studiuesi Kristofer Najt pohon se Rosslyn Chapel është një model i Tempullit të Herodit, prandaj ai përmban një mur të jashtëm “të papërfunduar”.

Najt thotë se ky mur u shtua qëllimisht, për t’i dhënë kishës pamjen e rrënojave të tempullit të Herodit. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Rosslyn Chapel u ndërtua për të kopjuar Tempullin e Herodit, në mënyrë që thesari hebre i Kalorësve Templarë, të mund të kthehej simbolikisht në një version të vendit të tij origjinal, ku u fshehën dikur në Tokën e Shenjtë. / Ancient Origins – Bota.al

Check Also

Arroganca e francezëve, që shkaktoi penetrimin e turqve në Ballkan

Nëse beteja e Lepantos e vitit 1571 shënon një ndalim të ekspansionit turk në Europë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen + five =