Home / Aktualitet / A është e ardhmja jonë e pasigurtë? Ja si ta menaxhojmë pandeminë dhe sfidat që na presin

A është e ardhmja jonë e pasigurtë? Ja si ta menaxhojmë pandeminë dhe sfidat që na presin

Enkelejd A. Mehilli
Doktor Shkencash në Politika Shëndetsore
Lektor, Universiteti i Vlorës
PostDoc Researcher, Universiteti i Athinës

COVID-19 i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan (provinca Hubei), Kinë në Dhjetor të 2019, muajn e fundit ka ndryshuar jetën e qytetarëve në gjithë botën. Fillimisht sëmundja u transmetua në shtetet fqinje si Korea e Jugut, Malajzia, Singapori etj, por shumë shpejt u përhap në gjithë botën. Reagimi i shteteve Europiane fillimisht ishte i ngurtë duke marrë masa si pezullimi i fluturimeve nga Kina ose kontrolli i temperaturës së personave të cilët udhëtonin nga zonat e prekura. Me rritjen e incidencës, shtetet Europiane filluan të merrnin disa masa. Shqipëria ishte nga vendet e para e cila mori masa shumë të rrepta me mbylljen e shkollave dhe universiteteve, mbylljen e të gjitha restoranteve, bareve, kafeneve, lëvizja me orar të kufizuar, mos lejimi i daljes nga shtëpia të të moshuarve etj. (total lockdown). Këto masa u morën për të kufizuar sa më shumë të ishte e mundur përhapjen në komunitet me qëllim përfitimin e kohës nga sistemi shëndetësor në mënyrë që ai të mos gjendej para një kërkese shumë të madhe për shërbime të cilat nuk do të kishte mundësi ti ofronte.

Nëse marrim parasysh numrat kineze me infektim afërsisht 50% të popullatës (1.400.000) dhe nga këta 5% do të kenë nevojë për respirator (në Itali kërkesa është më e lartë) atëhere rreth 70.000 qytetarë Shqipëtar do të kishte nevojë për respiratorë. Një numër i pa përballueshëm, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për shumë shtete të tjera me fuqi ekonomike më të madhe dhe sisteme shëndetsore më të mira. Por edhe më e vogël të ishte kërkesa me 0,5-1% e të infektuarve me nevoja për respiratorë, kjo do të përkthehej në rreth 7.000-14.000, përsëri një numër tepër i madh për kapacitetet e sistemit shëndetësor shqiptar. Një sistem shëndetësor i cili pavarësisht përpjekjeve mbetet ende problematik me financim të ulët publik, mungesë personeli mjeksor/infermieror etj. Në përgjithësi mund të themi se reagimi fillestar dhe masat e marra nga ana e qeverisë shqiptare dhe institucioneve shëndetësore ishte i duhuri dhe në drejtimin e duhur. Reagimi i qytetarëve, me disa përjashtime të vogla, ishte po ashtu i duhuri duke zbatuar rregullat dhe udhëzimet e dhëna.

Në këtë moment kemi kaluar në një fazë të dytë. Studimi i fundit duke përdorur modele matematikore/statistikore nga Imperial College London citon që mos marrja e masave në nivel global do të shkaktonte vdekjen e afërsisht 40 milion personave, këtë vit. Sipas studimit, mos marrja e masave në Shqipëri do të kishte si rezultat infektimin e afërsisht 2.5 milion personave, ku 101.000 persona do të kishin nevojë për hospitalizim dhe afërsisht 20.000 nga ta do të vdisnin nga COVID-19. Rëndësi më të madhe tani ka njohja e situatës reale e cila kërkon testimin e sa më shumë personave. Rekomandimi edhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është të njejtin drejtim. Testimi në masë (ashtu si Singapori, Korea e Jugut etj) do të na jap mundësinë jo vetëm të njohim situatën reale dhe të shmangim ndonjë epidemi lokale, por edhe do të mundësojë heqjen e disa masave shtrënguese. Paralelisht, në personat ku janë të pranishme antikorpet (kanë shfaqur imunitet) për COVID-19, të jepet një lloj autorizimi në mënyrë që t`i rikthehen jetës normale, me qëllim edhe rifillim e aktiviteteve ekonomike. Diçka të tillë e bëri Kina me personat të cilët nga data 28-03-2020 kanë mundësinë të rikthehen në Ëuhan, vendi nga filloi pandemia. Të gjithë personat që hyjnë në qytet (nuk lejohet dalja akoma) janë të detyruar tu prezantojnë autoriteteve kontrolluese një kod jeshil në një aplikacion në celular i cili verifikon që janë të shëndetshëm. Me qëllim testimin e popullatës së gjerë shteti shqiptar mund të filloj krijimin e skuadrave shëndetësore (një mjek dhe një infermier) në terren të cilët do të marrin kampionet për testim në komunitet. Rol të rëndësishëm në këtë fazë duhet të luaj edhe sistemi shëndetsor primar me qëllim parandalimin e dyndjeve në nivelet sekondare.

Në këtë nivel, duhen krijuar grupe/skuadra të posaçme shëndetësore (pjesmarrja këtu e mjekëve privat, studentëve të shkollave mjeksore dhe personave që kanë deklaruar të gatshëm për të ofruar ndihmë si vullnetarë) është e rëndësishme. Shteti shqiptar duke u bazuar dhe tek modelet efektive të vendeve të huaja, mund të fillojë përdorimin e aplikacioneve elektronike për identifikimin e personave të afërt të infektuar, gjithnjë duke respektuar të drejtat e individëve/pacientëve. Modeli i Singaporit dhe Izraelit mund të përdoren si praktika të mira. Paralelisht me këto, sistemi shëndetësor nuk duhet të harrojë personat me sëmundje kronike. Vazhdimësia e ofrimit të shërbimeve shëndetsore duhet të sigurohet duke ju ofruar shërbimet e nevojshme.

E ardhmja në këtë moment është e pa sigurtë për sa kohë nuk kemi një terapi efektive ose një vaksinë. Se si do të reagojë virusi (do të ketë mutacion, do të shndërrohet në një grip sezonal etj.) nga tetori e në vazhdim, asnjë nuk mund ta parashikojë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të zbatojnë rregullat dhe të mos qetësohen nga numrat e ulta të rasteve të reja apo të fataliteteve. Është e domosdoshme që shteti shqipëtar dhe sistemi shëndetësor të krijojë një strategji për ditën e nesërme. Përveç problemeve të shumta ekonomike që fatëkeqsisht do të jenë të pashmangshme, efektete tjera afatëgjata shëndetsore të karantinimit duhet të adresohen.

Studimet kanë treguar se rritja e problemeve psikologjike është një nga pasojat kryesore. Parandalimi i depresionit, stresit post-traumatik dhe simptomave të tjera do të jetë sfida e rradhës për sistemin shëndetësor. Ngritja e një grupi pune i cili do të hartojë një strategji të detajuar për të gjitha grupet e popullatës por sidomos ato më në rrezik (personat që aktualisht kanë problem psikiatrike, personat me sëmundje kronike, personeli shëndetësor i karantinuar etj.) është i domosdoshëm dhe i menjëhershëm. Paralelisht, kujdes të vecantë duhet të tregohet për personelin shëndetësor i cili jo vetëm është më i riskuari për infektim por edhe për të shfaqur simptoma të tilla.

M.C

Check Also

Përfundojnë pas hekurave shtatë persona në Tiranë, përse akuzohen

Policia e Tiranëa ka vijuar punë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë duke arrestuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

9 − two =