Home / Kryesore / A duhet Kosova ta njohë Serbinë?

A duhet Kosova ta njohë Serbinë?

*Autori është artist teatri

 

“Arnautët është e pamundur të shtypen vetëm me kolonizim të shkallëzuar… Mënyra dhe mjeti i vetëm janë dhuna brutale e një aparati shtetëror, me të cilin ne kemi qenë gjithmonë mbi ta. Mund të mbijetojë vetëm ai vend që është i populluar nga populli i vet.”

Kjo s’është e nënshkruar nga Hitleri, Gebelsi a të tjerë nga soji i tyre.

“Dëbimi i arnautëve”, është memorandumi i vitit 1937, shkruar nga Vaso Çubriloviqi, asokohe dekan i Fakultetit Filozofik në Beograd, për Klubin Kulturor Serb, të cilin atëkohë e udhëhiqnin Sllobodan Jovanoviqi dhe Dragisha Vasiqi.

Teksti llogaritet si një prej dokumenteve bazike të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX në të cilin shpalosen idetë, të cilat në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, udhëheqësia serbe i përdori me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve, myslimanëve e kroatëve.

Krimet ndaj shqiptarëve u kryen gjatë luftërave ballkanike nga ana e forcave ushtarake dhe policore të Mbretërisë së Serbisë dhe të Malit të Zi. U vranë 120 mijë shqiptarë, të të dyja gjinive e të të gjitha moshave.

Qeveria e Milan Stojadinoviqit s’ka mundur ta zbatojë memorandumin. Arsyeja, nisja e Luftës së Dytë Botërore dhe thyerja e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Komunistët, turpërisht do t’i refuzonin idetë e Vase Çubriloviqit, por Milosheviqi me të dyja duart do ta pranonte planin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999, që u quajt “Operacioni Patkoi”.

Ai plan do të përmbante fushatën brutale të spastrimit etnik “en masse”, të cilin forcat serbe e kryen në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.

Sipas Çubriloviqit, kolonistëve duhet t’u jepen armë e të cytet konflikti direkt midis malazezëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Duhej futur trazira e frikë te populli shqiptar. Me kërcënime a me para, duhej detyruar të shpërnguleshin.

Aplikim dënimesh me para, në jetën edhe ashtu të varfër, prerje pyjesh, hedhja në erë e qenve, cytje në punë të detyrueshme…

Grumbullim i pamëshirshëm i taksave, konfiskim i kullotave shtetërore dhe komunale. Çubriloviqi propozonte edhe presion në fe, poshtërim të klerikëve, zhvarrosje, ndalim të poligamisë. Djegie të fshehta fshatrash e lagjesh shqiptare nëpër qytete.

Vaso Çubriloviq, akademik, historian, dy herë ministër, profesor universitar, fitues i Çmimit të Tetorit dhe Shtatë Korrikut, anëtar i organizatës revolucionare “Mlada Bosna”, dhe pjesëmarrës në atentat, u bë një nga krijuesit përfundimtarë të lindjes së Mbinjeriut Serb.

Ky s’do të ishte Mbinjeriu i Nietzches. Do të ishte abuzues, i rremë, hitlerian. Do t’i vinte në majë të hundës Gjermanisë, njashtu si i yni, Serbisë.

Rreth 10 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë në ato tre muaj të përgjakshëm dhe të çmendur në vitin 1999.

Ushtria dhe Policia e RFJ-së së atëhershme, nën kontrollin e udhëheqjes së shtetit, dëbuan mbi 850 mijë shqiptarë të Kosovës.

Të dëbuarve, autoritetet kufitare, me lëshimin e vendit, ua konfiskonin dokumentet personale dhe të tjera dëshmi mbi shtetësinë, duke bërë fshirje sistematike të identitetit.

Millosheviqi urdhëroi që krejt kufomat në Kosovë të cilat do të mund të ishin me interes për Gjykatën e Hagës, të asgjësoheshin.

Forcat policore dhe ushtarake serbe, në vitet 1998-1999, kryen shkatërrime në masë, masakra, djegie, helmime pusesh, dhunime, vjedhje e vrasje civilësh…

Krimi më i tmerrshëm, të cilin s’e pranon arsyeja e shëndoshë, u krye më 1998 në Prekaz, në rrethin e Drenicës.

Forcat e shumta policore ushtarake, të armatosura ma tanke e artileri të rëndë, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për tre ditë e tre net qëlluan pa dallim, në gra, fëmijë, të moshuar e të tjerë civilë.

Helikopterët dhe automjetet ushtarake goditën çatitë e fshatit me breshëri dhe më pas forcat policore hynë në fshat, duke qëlluar në drejtim të shtëpive.

Forcat serbe të sigurisë, me ndihmën e ushtrisë serbe, vranë 56 anëtarë të familjes së Adem Jasharit. Midis tyre janë 18 gra dhe 10 fëmijë. U shua e u shkatërrua. U krye gjenocid ndaj një familjeje.

Pas krejt këtyre krimeve monstruoze, imazhet e së cilave mund të krahasohen me ato të krimeve fashiste të Luftës së Dytë Botërore… A duhet Republika e Kosovës, në fund të fundit, ta njohë Republikën e Serbisë?

Çdo kafshë e çdo njeri në këtë botë të mjerë, ka të drejtë të mbrohet kur dikush e sulmon. Sikur populli i një vendi. A duhej pritur që të vritet, deri tek i fundit.

Shumë shqiptarë që ishin pjesëtarë të politikës paqësore, pas krimeve kundër familjes Jashari, iu kthyen rezistencës së armatosur.

Një numër i madh i policëve që morën pjesë në aksione kundër shqiptarëve në Kosovë, ende konsiderohen heronj të luftës në Serbi.

Hetimet në Serbi bëhen ngadalë sepse shumë të tillë kanë ikur nga vendi dhe disa prej autorëve të krimeve ende janë në radhët e policisë.

Duhet të tregohet ky rrëfim, rrëfim i vërtetë, për krimet jashtë arsyes, ndaj një populli tjetër dhe popullit të vet.

Serbët vranë e u vranë.

Dy sulmues të maskuar, të veshur me uniforma të zeza me shenjat e UÇK-së, hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe me pushkë automatike vranë gjashtë të rinj të nacionalitetit serb. Ngjau kjo para 22 vjetësh. Masakrën e organizoi Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Serbisë.

Duhej që para opinionit ndërkombëtar UÇK-ja të paraqitej si organizatë terroriste e me këtë të arsyetoheshin aksionet e forcave serbe në Kosovë.

“I besoja shtetit tim, Serbisë, se luftëtarët e saj janë të drejtë, por siç duket krijoi përbindësha që ishin në gjendje të vrasin edhe fëmijë të pafajshëm. Ata mbollën urrejtje. Nuk e di se si është e mundur që Serbia të lindte përbindësha të tillë. Çfarë mendjesh janë këto?”

Këto janë fjalët e rënda të Milenës, nëna e njërit prej rioshëve të vrarë.

Rreth vendit ku ndodhi krimi nuk kishte shqiptarë, por vetëm forca ushtarake dhe policore serbe.

E vranë Oliver Ivanoviqin. Tinëzisht. Prapa shpinës. Kështu vrasin vetëm frikacakët më të mëdhenj.

Dhe vdekja flet heshtazi… Të gjitha gjurmët e vrasësve dhe urdhërdhënësve çojnë në Beograd.

Dhe kush e di se sa mizori të tjera janë kryer nga ushtria dhe policia serbe, maskuar me uniformat e UÇK-së?

Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim ndaj popullit shqiptar.

Edhe ne do t’ua falim mëkatet.

Dhe le të vijnë në Kosovë ata serbë që s’kanë kryer krime dhe le t’u urojnë fqinjëve të parë jetë të lumtur e të pavarur në të tyren Republikë të Kosovës.

Ju urojmë të bëhen anëtarë të plotë në OKB, BE, NATO, UNESCO, Interpol dhe të gjitha organizatat e tjera të cilave u përket Republika e Kosovës.

Që serbët dhe shqiptarët të nisin të jetojnë jetë të qetë dhe të sigurt, bashkë.

Pas të gjitha vuajtjeve që kanë kaluar në historinë e tyre, si rrallë ndonjë popull në botë, shqiptarët dhe shqiptaret në Kosovë, i pret nisja e jetës që e ëndërruan paraardhësit e tyre, e për ata që do të vijnë, një fillim kur ata kurrë më s’do të trajtohen si popull i dorës së dytë.

S’ka asnjë dallim mes nesh, e nëse ato shfaqen, do të jenë në dëm tonin.

Ka thënë Zoran Gjingjiqi: “U them të shikoni nga e ardhmja, shikoni të ardhmen dhe atje do të takohemi, unë dhe ju…”

Besoj se nuk do të më hidhërohej kur do të shkruaja: “Shikoni nga e ardhmja, shikoni të ardhmen dhe atje, në Bashkim Evropian do të takohen sërish Kosova, Serbia dhe Shqipëria dhe të gjithë ata që dikur i takonin të njëjtit vend, të mirë, Jugosllavisë”.//Marrë nga “Danas”, përkthyer nga KOH

https://www.danas.rs/dijalog/licni-stavovi/treba-li-kosovo-da-prizna-srbiju/?utm_campaign=ug.contentexchange.me&utm_medium=referral&utm_source=ug.contentexchange.me&utm_term=ug.contentexchange.me

 

 

Check Also

“Perëndimi” kap 14.3 kg kokainë, arrestohet drejtuesi i mjetit. Detajet nga operacioni

Një sasi prej 14.3 kg kokainë u kap sot në Portin e Durrësit, por droga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 + 2 =