Home / Kulture / A duhen futur hundët kudo?!

A duhen futur hundët kudo?!

Çapajev Gjokutaj

Evlati i evlatit si mjalti i mjaltit. Ky proveb, tha Lilua, më kujtohej shpesh gjatë javëve që ndenja te ime bijë, në Austri. Më këpuste malli për Erlisin, djalin e djalit, që e kam këtu. S’thonë kot, largësia ndez dashurinë.

Si heshti një copë herë shtoi: Ashtu, në vetmi, vrisja mendjen: pse mbesat dhe nipërit i duam më shumë se ç’kemi dashur fëmijtë tanë, kur ishin të vegjël?

Se atëhere kishim shumë gjëra për të bërë e për të ndjerë ekzistencën, tha Qaniu. Tani jemi të moshuar e ndihemi më të dobët. Dhe dobësia zbutet duke u afruar e shkrirë me tjetrin.

Jo vetëm kaq, ndërhyri Lilua, me kalimin e moshës tërriturit që kemi për rreth na fusin në kallëpin ‘plak’. Dhe dashuria për plakun është dhe s’është dashuri, se vjen e përzihet me përkujdesje, me mëshirë; hera-herës dhe me nënvleftësim: frymë e vjetër, nis e rrjedh. Kurse fëmijët s’e dinë akoma stereotipin ’plak’. Na japin dashuri të çiltër, shqeto, të papërzier…

I duam më shumë se ç’kemi dashur fëmijët tanë, përsiata unë, ngaqë mosha dhe përvoja na bëjnë më të ndjeshëm e më të kujdesshëm.

Kurse Naqja e shpjegonte ndryshe: tani ndihemi më pranë fundit, nipërit e mbesat na krijojnë ndjesinë e vazhdimësisë dhe kështu na ndihmojnë ta harrojmë sadokudo sosmënë.

Një qasje më praktike kishte Ilmiu. Nervat na janë dobësuar, thoshte, ndaj ënda na e ka t’i ikim serziozitetit e të bëjmë si kalamaj. Në shoqërinë e nipërve dhe mbesave e plotësojmë këtë dëshirë, pa rrezikuar që të tjerët të thonë: kaq e pati dhe ky, roiti.

Sa të ngeshëm jeni, ndërhyri kamarjerja që nga banaku. Kur vete e takoj mbesën më duket sikur fluturoj dhe s’kam nge ta vras mendjen si e qysh.

I dhashë të drejtë. Dhe mua m’u kujtua filozofi që tha se dashuria është ndjenjë që do përjetuar dhe jo analizuar, sepse kur përpiqesh t’i gjesh shkaqe e kuptime, avullon e bëhet gjë tjetër.

Kur po kthehesha në shtëpi, risolla dhe një herë në mend gjithë shpjegimet. Mosha, dobësia, përvoja, frika e vdekjes, dëshira për çilimillëqe. Të gjitha këto, më shumë se dashuri për të vegjëlit, ngjajnë si mjete për t’i shërbyer vetes.

Ky arsyetim i beftë po më krijonte një ndjenjë faji. Për dreq m’u ndërmend Niçja që thoshte se çdo dashuri është dashuri për veten. Ajo që doni nuk është tjetri, por ndjesia e këndshme që dashuria krijon tek ju. Dashuroni dëshirën jo të dëshiruarin, thoshte filozofi.

E gjete dhe fajtorin, shpotita veten dhe sërish i dhashë të drejtë kamarieres. Dashuria është marrëdhënie që na zbukuron jetën si ne, si vocërrakëve. Dhe këtu mbaron historia.

Pse duhet të lejojmë që arsyetimet dhe gjykimet t’i fusin hundët kudo!? Ndjenja është ndjenjë shqeto kur nuk përzihet me gjëra të tjera, aq më pak me mendimin🐥🦋

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Check Also

RUDOLF MARKU/ NJË BOTIM I MUNGUAR FISHTIAN

Një miku im më jep lajmin e gëzuar të daljjes nga shtypi të librit At …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 1 =