Home / Aktualitet / 5 premtimet e pambajtura nga Veliaj për Piramidën, në 5 vite mandat

5 premtimet e pambajtura nga Veliaj për Piramidën, në 5 vite mandat

Nga Aurora SHPATAJ-

Në ish muzeun për jetën e diktatorit Hoxha, Piramida, e cila sot është në gjendje të shkretuar, duhej të kishin nisur punimet brenda tetorit, sipas premtimit të radhës nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Që prej marrjes së mandatit të parë e deri më sot, Faktoje ka verifikuar të paktën 5 herë se premtimi i kryebashkiakut për rijetëzmin e Piramidës është shkelur.

“Në Piramidën e degraduar ne do të fillojmë punë këtë muaji për rindërtimin e saj”- u zotua kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj më datë 7 tetor.


Faktoje, vendosi të verifikonte në terren nëse kanë nisur punimet tek piramida, kur kemi hyrë në javën e dytë të nëntorit.

Në terren nuk kishte asnjë shenjë të nisjes së punës, që duhet të kishte ndodhur që në muajin tetor. Piramida, e cila fillimisht mbulohej nga pllaka mermeri, që më pas u zëvendësuan me pllaka të zakonshme, sot është krejtësisht e zhveshur prej tyre, ndërsa vetëm një pjesë e xhamava i kanë rezistuar dëmtimeve.

Piramida, 9 nëntor 2020 foto: Aurora Shpataj

Edhe përreth Piramidës dallohet se të vetmet që po përparojnë, janë bimët dhe shkurret që po përhapen në mënyrë të pakontrolluar, në pritjen e gjatë, për nisjen e projektit të rijetëzimit.

Piramida, 9 nëntor 2020 foto: Aurora Shpataj

Një nga hyrjet tek Piramida (ish qendra ndërkombëtare e kulturës “Pjetër Arbnori”), 9 nëntor 2020 foto: Aurora Shpataj

Faktoje iu rikthye premtimeve të bëra gjatë 5 viteve të fundit për Piramidën dhe rezulton se bashkë me zotimin e fundit të zotit Veliaj, shkon në 5 numri i premtimeve për rijetëzimin e kësaj vepre, që prej 2016-s.

Në tetor të 2016-s, ndërsa prezantonte projektet për Tiranën Veliaj tha:

“Besoj do të jetë hera e fundit që ne takohemi tek piramida në këtë gjendje. Bashkia ka një projekt ambicioz për ta kthyer Piramdiën në një hapësirë publike, për t’ia kthyer qytetarëve të Tiranës, të aksesueshme për aktivitete publike.”

Në 16 maj të 2018-s po në ambientet e Piramidës u prezantua projekti për rijetëzimin e saj, një projekt i quajtuar “Tumo Tirana” dhe që do ta shndërronte atë në një qendër inovative.

Dy vite më pas, në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në tetor të vitit 2018, për ta kthyer piramidën në një qendër teknologjie për të rinjtë, kryebashkiaku i premtoi se në fund të po atij vitit do të fillonin punimet për rikonstruksionin e Piramidës.

“Do jetë një hapësirë ideale! Punën për transformimin e Piramidës do ta nisim nga fundi i këtij viti dhe vitin tjetër besoj do kemi një hapësirë, siç janë këto programe të hapura edhe një hapësirë me mendje të hapur.”-premtoi Veliaj.

 25 prill 2019 në mjediset e Kryeministrisë u prezantua projekti për rijetëzimin e Piramidës nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Edhe këtë herë kryebashkiaku Veliaj premtoi se punimet për ta ndryshuar dhe për ta bërë atë funksionale tërësisht, do të fillonin në qershor të po atij viti.

Pas vëzhgimit në terren që dëshmon, shkeljen e premtimit në vazhdimësi, Faktoje bëri një kërkim në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës ku rezultoi se ende nuk kishte një afat të caktuar për kthimin e Piramidës në një qendër teknologjie./ Faktoje.al

Check Also

Aksident në dalje të Fushë Krujës, Lajmi i fundit

Një aksident automobilistik ka ndodhur pak minuta më parë në dalje të Fushë Krujës. Një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 3 =