Home / Aktualitet / 3 muaj pa paga, 800 minatorë në Bulqizë paralajmërojnë grevë urie

3 muaj pa paga, 800 minatorë në Bulqizë paralajmërojnë grevë urie

Kur e gjithë vëmendja është përqëndruar tek naftëtarët, një tjetër kategori punonjësish të profesioneve të vështira siç janë minatorët, po bëhen gati të shkojnë drejt grevës së urisë.

Bëhet fjalë për 800 minatorë të minierës së Bulqizës, konkretisht zona D e njohur si më problematikja. Gazeta “Shqip” kontaktoi me kryetarin e sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi i cili konfirmoi se prej 3 muajsh rreth 800 minatorë nuk paguhen për punën e kryer në galeri.

Ndonëse ata nuk kanë ndërprerë punën as gjatë periudhës së karantinës, prej muajit gusht, punëdhënësit e tyre nuk i paguajnë, duke u justifikuar me bllokimin e shitjes së kromit si pasojë e rënies së çmimit të kromit.

“Problematika ka pasur gjithmonë në minierë. Por nëse gjatë kohës së karantinës punëtorët e zonës D morën paga, prej muajit gusht atyre nuk iu është shpërndarë asnjë lek. Minatorët paguhen me 2 bordero, pjesa më e madhe i kalon në bankë dhe një cerek page e marrin në dorë.

Prej 3 muajsh ata nuk kanë marrë asnjë prej këtyre pagave”, tha Debreshi për gazetën “Shqip”.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës akuzoi strukturat përgjegjëse të shtetit se nuk kanë ndërhyrë për zgjidhjen e situatës.

Përveç tyre, Debreshi tha se një indiferencë është konstatuar dhe nga sindikatat e vjetra siç janë Konfederata e Sindikatave të Pavarura me kryetar Kol Nikollaj dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura me kryetar Gëzim Kalanë.

Duke parë indiferencën e shtetit, minatorët e Bulqizës po shkojnë drejt vendimit ekstrem, atë të ngujimit në galeri. “Ne jemi solidarizuar me kolegët tanë naftëtarë që po ngujohen prej disa ditësh. Të njëjtin veprim do të kryejmë edhe ne nëse punëdhënësit nuk përgjigjen duke dhënë detyrimet e prapambetura”, tha kreu i sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, Elton Debreshi./Shqip

Check Also

Pas kërkesës së MEPJ, Google rregullon emërtesat në hartën e Shqipërisë

Kompania Google i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për rregullimin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 2 =