Home / Kulture / 268 vite nga vdekja e Nikollë Kazazit, zbuluesi i “Mesharit” të Gjon Buzukut

268 vite nga vdekja e Nikollë Kazazit, zbuluesi i “Mesharit” të Gjon Buzukut

Kujtojmë sot me rastin e 268-vjetorit të vdekjes, përkthyesin Gjon Nikollë Kazazi, i cili njihet si zbuluesi i veprës së parë të gjuhës shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut.

Nikollë Kazazi (1702-1752), i njohur në latinishte si Johannes Nicolevich Casasi dhe në italisht si Giovanni Battista di Nicola Casasi, lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Ka qenë autori i një përkthimi në shqipe i “Breve compendio della Dottrina Cristiana”, Romë 1743 (Përmbledhje e shkurtër e Doktrinës së Krishterë), i cili përbën të parin dokument të shkruar në dialektin e Gjakovës.

Kazazi studioi për teologji në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku dhe mori titullin e doktorit në teologji e filozofi. Më pas u bë kryepeshkop i Shkupit derisa vdiq, më 5 gusht 1752.

Pikërisht gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, më 1740, Kazazi bëri zbulimin monumental të së vetmes kopje të mbetur të librit më të vjetër shqip, Meshari-t të Gjon Buzukut të vitit 1555. Ai bëri një kopje të pasthënies dhe ia dhuroi arbëreshit Gjergj Guxeta, themeluesit të seminarit grek në Palermo.

Dhimitër S. Shuteriqi: Nga e ka prejardhjen kopja e vetme që njihet nga libri i Buzukut

Gjon Buzuku dëshmon se për veprën e tij punoi brenda 20 marsit 1554 dhe 5 janarit 1555.

“Meshari” i Buzukut u vu, me sa duket, në indeks nga Inkuizicioni, kështu që libri u zhduk gati krejt dhe sot njihet në një kopje të vetme në Bibliotekën Vatikane. Atë s’e përmend asnjë autor pasardhës përpara Pjetër Bogdanit (1665), Zbulimi që i bëri Nikollë Kazazi (1740) nuk e shpëtoi nga heshtja. U desh që ta rizbulonte Pal Sqiroi, në fillim të shekullit tonë, që të niste e të bëhej mirë i njohur. Gati tre shekuj e gjysëm heshtjeje kaluan mbi librin e parë që dimë të jetë botuar shqip.

Me interes është që të njihet se nga çfarë vendi e ka prejardhjen kopja e vetme e librit të Buzukut. Mbi këtë libër ka disa anëshkrime, ku gjejmë emrat e dy klerikëve që e kanë përdorur atë, një Gjon e një Gjergj, si edhe emrat e tre të tjerëve, të cilët u janë drejtuar dy të parëve me anëshkrimet e tyre, për t’i përshëndetur e për ndonjë porosi: një Mark, një Pjetër e një Nikollë. Në një faqe, ose në kapakun e fundit të librit, lexojmë edhe emrin e një Kola Kuçi dhe, nën këtë emër, kemi fjalën Asanes. Është pikërisht kjo fjalë që na shpuri të kërkojmë prejardhjen e ksomblës së librit të Buzukut nga fshati i sotëm Hasanaj, pak në jugperëndim të Fushë-Krujës. Ky fshat, më 1431 dhe në pjesën e parë të shek. XVII, thuhet Asanes. Një emër mesjetar sllav.

Duke ditur se libri ka bërë pjesë në Bibliotekën e Kolegjit Urban në Romë dhe e ai kolegj u krijua më 1627, kërkuam dokumentet fill përpara dhe pas kësaj date. Në një relacion të njohur të Marin Bicit, të vitit 1610, hasëm në të dhëna me interes të veçantë për fshatrat midis Krujës dhe detit, pranë Asanesit. Kështu, në qershor të atij viti,  në Laç ka qenë famulltar një Gjon, ndërsa në Qullës të zonës së Rodonit një Gjergj. Po në këtë zonë, n Muzhëll ka qenë famulltar një Mark (vendas) e në Shporaj një Nikollë, kurse midis këtyre fshatrave dhe Asanesit, në Bëlaj (sot Bilaj), shërbente një Pjetër. Janë pikërisht të pesë emrat që hasim në anëshkrimet e përmendura. Marin Bici na mëson se famulltari i Qullësit ishte, Gjergj Bardhi (i quajtur në dokumente të tjera Maqedoni), i cili shërbente edhe si vikar (zëvendës) i peshkopit të Randësisë, d.m.th. të rrëzave të Krujës e gjer në det. Është pikërisht ai që ka edhe shkrimin më të mirë. Duke qenë më me kulturë se shokët, ai është ngjitur në hierarki. Llagapët e të tjerëve nuk i dimë, po Nikolla i Shporajt mundet që është Kola Kuçi, të cilin e gjejmë edhe në Asanes.

Që 5 klerikë, emrat e të cilëve i gjejmë bashkë në anëshkrimet mbi librin e Buzukut, t’i gjejmë bashkë edhe në fshatrat pranë Asanesit, në një kohë jo shumë pas botimit të librit, kjo tërheq vëmendjen. Anëshkrimet na bëjnë të mendojmë se Gjoni dhe Gjergji jetonin pranë e pranë, ndërsa tre të tjerët si grup më vete. Gjergji, duke qenë vikar, duhet të ketë qëndruar në Laç, qendër kryesore kishtare e atyre anëve, pra të ishin shpesh pranë Gjonit. Libri sigurisht ka qenë i Gjonit dhe është përdorur shpesh, me sa duket, nga vikari Gjergj, po herë pas here edhe nga tre të tjerët. Kuptohet se ai libër ishte fort i rrallë, që kur vunë indeks, shumë shpejt mbasi doli, meqë veprimtaria e Inkuizicionit për spastrimin e librave të kishës ka filluar më 1568. Libri ishte në dorë edhe të Kola Kuçit në Asanes.

Ksombla e vetme që njihet sot nga libri i Buzukut e ka prejardhjen nga fshatrat e rretheve të sotme të Krujës dhe Durrësit, fill në të dy anët e lumit të Ishmit, në zonën fushore dhe kodrinore bregdetare, midis Laçit, Hasanajt e Muzhllit. Që libri e ka prejardhjen nga një zonë bregdetare, këtë e sugjeronte edhe vizatimi i një varke me vela që dikush prej atyre që e kanë pasur nëpër duar ka bërë mbi të. Ky vizatim përcillet me fjalën Aisa. Me këto fjalë do të thotë Ishëm? Që libri vjen nga ato anë, kjo ka rëndësi për historinë e shkrimit të gjuhës sonë në Shqipërinë e Mesme.

Librin e rrallë të Buzukut ka shumë mundësi ta ketë gjetur e konfiskuar Marin Bici. Misioni i këtij ishte që të zbatonte në Shqipëri porositë e Inkuizicionit. Ai duhet ta ketë dërguar kështu librin në Romë, bashkë me relacionin që i bëri Vatikanit aty nga fillimi i vitit 1611 për vizitën e tij tek ne në vitin e kaluar. Kjo nuk na ndihmon që të përcaktojmë mirë datën e anëshkrimeve të librit të Buzukut. Po, me siguri, ato s’janë të gjitha të një viti, janë të disa viteve. Mund të thuhet se i përkasin një periudhe që nga fillimet e Inkuizicionit e gjer në dekadën e parë të shek. XVII, kur s’ka botuar akoma gjë Budi, pra, viteve 1568-1610./DiasporaShqiptare

Check Also

Yehuda Amichai (1924-2000)

Bardhyl LONDO- Poeti me i madh izraelit dhe nje nga me te medhenjte boterore i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five + 14 =