Arratisja e bujshme e balerinit Timoleo Papa në 1957 kur kthehej nga Bashkimi Sovjetik dhe takimet e panjohura me Nurejevin

Intervista
19
0
sample-ad

Një jetë e pabesueshme. Një balerin që kthehet në atdhe pas 58 vjetësh. Iku në vitin 1957 dhe u kthye në 1 qershor 2015. Timoleo Papa, një ndër balerinët më të njohur në botë, është arratisur nga Shqipëria në vitin 1957. Sapo ktheheshin nga ish-BS, nga një turneu të gjatë veprimtarish artistikë (si valltar) në një çast, që trupa me vapor ndaloi për disa orë në Pirea të Athinës, Timoleo me shpirt të lirë, arratiset. Për disa kohë ai ishte i pabesueshëm, por çiltërsia i dukej në sy valltarit dhe balerinit, që për pak vite do të bëhej më i dëgjuari në botë krah balerinit me famë botërore, rusit, Nurejev. Në vitet 1957-1959 ai do të qëndronte në Athinë ku falë talentit do të punësohej në Teatrin e Operës dhe të Baletit të Athinës dhe më vonë do të shkonte në Amerikë.

Një njeri i njohur nëpër botë, por jeta jote pak njihet në Shqipëri. Ku linde dhe si erdhe në Tiranë para Luftës së Dytë Botërore?

Unë linda në Poliçan të Gjirokastrës në vitin 1933 dhe erdha në Tiranë pas luftës Italo- Greke. Babai im donte qe të na merrte në Tiranë. Që atëherë deri në vitin 1957 kam banuar në Tiranë. Kur erdha në Tiranë nuk e ndoqa shkollën menjëherë, por luaja jashtë me fëmijët e italianëve, kur ishte koha e Italisë. Meqë në fshatin tonë flisnin greqisht, unë nuk dija dhe mësova italisht përpara dhe kur shkova në shkollë mësova dhe shqip.

Ku dhe si vazhdoi shkollimi dhe edukimi juaj si valltar dhe balerin?

Shkollën unë e kam kryer në Liceun Artistik (kulturën e përgjithshme). Në shkurt të vitit 1950, u krijua grupi profesionist pranë Filarmonisë Shqiptare. Mbas tre muajsh ne shkuam në një turne artitike në pesë shtete dhe përfaqësuam shtetin shqiptar si valltar. Kemi qenë në Bullgari, Hungari, Rumani, Poloni, Çekosllovaki. Ka qenë një turne tre mujor, teksa përfaqësonim shtetin ku kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm. Ishte spektakli koreografik i quajtur “Vëllazërimi i Popujve” që ishte vënë në skenë nga mjeshtri rus Georgi Perkun. Ky balerin me famë, ndenji në Shqipëri tre vjet dhe ka dhënë spektakle të rëndësishme, siç ka qenë “Vëllazërimi i Popujve” në vitin 1950, baleti “ Shatërvani i Bahçisarait” në vitin 1951, spektakli koreografik “Flamuri i Paqes” 1952 dhe “Esmeralda” në vitin 1953. Gjithë këto spektakle kaq të rëndësishme ishin për mua pjesa më e bukur e jetës, pasi në njërën prej tyre tek “Flamuri i Paqes”, kam qenë solist. Në Teatrin e Operës dhe të Baletit, ne në atë kohë sa kishim filluar hapat e para për të mësuar baletin, ndaj në shumë pjesë ne ishim valltarë kurse në operat si “Emeralda” dhe “Shatërvani i Bahçisarait” ishim si balerinë.

Pas liceut si vazhdoi jeta jote artistike?

Kam qenë gjithmonë në teatër. Shkonim në lice nga ora 08-00 deri në orën 11-00 dhe nga ora 11 -00 dhe mbrapa ne ishim valltarë profesionistë në Ansamblin e Valleve. Konkretisht ,qysh në 1 shkurt të vitit 1950, kur kam qenë 17 vjeç, isha valltar profesionist. Mbas orës 11-00 ne bënim prova për tu përgatitur për shfaqjet e teatrit. Nga viti 1950 deri në 1957, isha në Filarmoninë e Shtetit. Gjatë kësaj kohe kemi dhënë koncerte të ndryshme edhe në Shqipëri.

Ramazan Bogdani më ka thënë se ju së bashku me të keni marrë pjesë në filmin “Skënderbeu”?

Po, kam marrë qenë i pranishëm në filmin “Skënderbeu”. Në vitin 1953 merret përsipër të realizohet filmi “Skënderbeu”. Një film shqiptaro-sovjetik. Rolin kryesor do ta luante artisti i madh Hakaki Horava. Regjisori kishte caktuar disa skica skeme ku dhe ai edhe do të kërcente. Ai u fut në grupin tonë ku do të kërcente një valle epike shumë të thjeshtë. Këtë valle e kemi punuar këtu në sallën e baletit, si dhe ilustrimin e të gjithë asaj veprimtarie. Për këtë skenë janë filmuar skena të ndryshme siç është edhe në Berat, Dasma e Skënderbeut apo edhe në Shkodër që bëhen paraluftimet, më tej këtu në rrethinat e Tiranës që bëhen gëzimet e dasmës së Skënderbeut. Në gjithë këto skena kemi qenë të pranishëm së bashku me Grupin e Valleve, të Ansamblit Artistik të Ushtrisë. Pra, ishte Ansambli i Valleve të Filarmonisë Shqiptare dhe ai i Valleve të Ushtrisë.

Nga koncertet jashtë shtetit, kë do të veçosh?

Në vitin 1957, Ansambli ynë shkon dhe paraqitet në Festivalin e Dytë Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë dhe duke u kthyer vapori ndalon në Pire. Kisha kohë që mendoja të arratisesha. Në shumë vende shikoja se Shqipëria ishte ndryshe, nuk ekzistonte liria e fjalës. Lirinë, fjalën e zemrës e kisha diçka që nuk më linte të merrja frymë lirisht. Pikërisht, këtu në Pire mendova të arratisesha. Nuk e bëra të gjatë, gjeta një boshllëk mes atyre që na shoqëruan dhe renda mes Pireut ku të gjeja policin. Së fundi u paraqita aty. Duke pasur parasysh se njihja gjuhën greke u thashë pse u arratisa dhe kërkova strehim politik. Më panë me dyshim. Por unë fola siç ishte duke këmbëngulur se kërkoj diçka të tillë. Më kanë provokuar disa ditë, por unë qëndroja besnik në fjalët e mia. Menjëherë ka ndërhyrë ambasadori sovjetik në Athinë, pasi ne ahere nuk kishim ambasadën tonë në Greqi. Disa kohë luftë nervash dhe mosbesimi dhe këmbënguljes për t’u kthyer. Por unë ngula këmbë, dua strehim politik. U stresova se ata nuk donin të ma jepnin. Së fundi më besuan dhe më dhanë një proces-verbal, në formë kërkese dhe e nënshkrova. Dy vjet ndenja në Athinë dhe punova në Operan e Shtetit si balerin dhe më vonë kam qenë për 25 vjet në Teatrin e Operas dhe të Baletit Shtetëror të Athinës.

Ju thatë dy vjetët e para punuat në Operan e Athinës, po pas dy vjetësh ku shkuat?

Brenda këtyre dy vjetëve mora një kërkesë nga një specialist i kulturës në ambasadën amerikane. Ai më pyeti nëse doja të shkoja në Amerikë. Në atë kohë Amerika merrte shkencëtarët dhe artistët më të mirë të Evropës. Pranova. Në vitin 1959 shkova në Amerikë ku ndenja 10 vjet. Shkova në Nju York. Atje vinin yjet e botës. Në Nju York jetova dhe punova. Bëra një jetë intensive. Në orën 09-00 shkoja në mësim dhe mbaroja në orën 14-00. Pastaj fillonin prova të ndryshme. Pas disa provash u punësova në një ndër teatrot e baletit më të njohura në Amerikë, quhej “Llatin Kuoter”. Aty punova 7 vjet si profesionist me të gjitha kushtet dhe rregullat e kohës. Në atë teatër kam luajtur me të gjithë yjet e botës së baletit. Kur shkova në Amerikë isha 25 vjeç.

A ke ndjerë shenjë racizmi?

Jo nuk kam ndjerë. Aty arti vlerësohej dhe as pyeste njeri nga je, por çfarë din të bësh.

Kur e ke parë veten më vështirë në Amerikë?

Nuk kam pasur kurrë vështirësi në Amerikë. Punova dhe fitova sa nuk e besoja. Amerika mi dha të gjitha shanset.

Pra nga viti 1957 deri në vitin 1990 nuk u takove dhe nuk fole në telefon me asnjë nga të shtëpisë? 

Deri në vitin 1989 unë nuk u takova me asnjë nga të familjes, as në telefon nuk kam folur. Vetëm kam mundur të çoj ndonjë haber tek nëna në mënyrë shumë të fshehtë. Nëna dhe babai më ndruan jetë pa i parë më, pa i takuar, pa folur (loton). Pas 58 vjetësh sot shkova tek varri i tyre.

A u internuan pjestarët e familjes?

Jo, mund të them se u persekutuan disi, por nuk i internuan kurrë. Babai im bëri diçka shumë të zgjuar, mbas një këshille të një njeriu. Ai shkoi në Ministrinë e Brendshme të më kërkonte mua. Ai shkoi atje dhe i tha atyre se ju ma morët djalin dhe unë tani tek ju e kërkoj. E dua djalin gjallë ose vdekur. Nuk e çova unë në Rusi, ju e çuat. I thanë se mos u mërzit se ne djalin do ta kthejmë. Dhe për kë të qëllim ata nuk u internuan, por vështirësitë kanë qenë në marrëdhëniet shoqërore. Njerëzit u qëndronin larg, në punë i shinin shtrembër, ishin gjithmonë nën trysni. Pra kaluan një jetë të vështirë.

Ju në Amerikë jeni njohur dhe keni dhënë shfaqje dhe me balerinin më të madh të botës Rudolf Nurejev. Si i kishe mardhëniet me të?

Kishim marrëdhënie pune. Marrëdhënie të thjeshta, normale, pa ndonjë miqësi të veçantë. Por Nurejev ishte njohur me vëllanë tim Milto Papa në Moskë, pasi im vëlla kishte studiuar në Moskë për balet. Në provimet për diplomë vëllai im edhe shumë yje të tjerë të baletit rus ishin para jurisë në të njëjtën ditë. Por, dihej kërcimtarët janë të varfër. Nurejevi kur vinte nga Leningradi, për shkak të varfërisë nuk kishte ku të flinte. Vëllai im kishte dhomë të mirë, pasi ishte me bursë dhe e ftoi Nurejevin të flinte aty disa ditë. Këtë ai nuk e kishte harruar. Ai ka jetuar 10 ditë me vëllain tim dhe me pastërti ma kujtonte disa herë bujarinë e tim vëllai.

10 vjet në Amerikë nuk pate asnjë lidhje me Shqipërinë, po nga Ambasada Shqiptare a të bënin ndonjë provokim?

Provokime kisha jo nga shqiptarët, por nga amerikanët, por për të mirë. . Kisha një takim shtetëror dhe ata që më kishin në vëzhgim më pyesnin se a më provokonte njeri, a me fyente njeri, a më shqetësonte njeri. Pra, më pyetën nëse kishte njeri që më bezdiste. U përgjigja, jo. Më thanë se ne jemi përgjegjës për jetën tënde, sepse ti përbën një shembull për gjestin që ke bërë dhe krijove një farë shpresë lirie tek njerëzit tanë. Pra nga viti 1959-1969 kam qenë në Amerikë. Pas vitit 1969 erdha në Greqi se u martova. Gruaja ime ishte pedagoge baleti si koreografe dhe kishte studiuar në Institutin e Arteve në Athinë.

Ju ishit njohur më parë?

Po, isha njohur kur isha në Operan e Athinës. Ajo më vonë edhi tek unë në Amerikë. Ndenji rreth 4 vjet dhe në vitin e katërt lindëm një djalë. Kur djali ishte tetë muajsh, ajo më tha se do kthehem në Greqi. Nuk e përballonte dot atë jetë. I thashë, në qoftë se të pëlqen vendi shikoje me kujdes dhe më thuaj dhe vetëm atëherë u martova me të. Por koha larg njerëzve e mërziti. Shkoi në Athinë dhe më lutej të kthehesha pasi kisha djalin. U detyrova të kthehesha në vitin 1967 në Greqi. Atë ditë që u ktheva ishte 21 prill i vitit 1967. Isha në avionin më të mirë të asaj linje. Nuk na lanë që të zbrisnim në vendin e linjës, por avioni që u nisëm na ndali jashtë destinacionit në Romë. Ndenja një ditë në Romë dhe pastaj u ktheva në Greqi. Mori fund aventura amerikane. Tashmë u vendosa përfundimisht në Athinë.

Ku u punësuat sërishmi në Athinë?

Sërishmi në Teatrin e Operas dhe të Baletit Shtetëror të Athinës, ku punova për 25 vjet rresht. Deri në vitin 1992. Gjatë kësaj kohe si solist i parë në Teatrin Shtetëror të Baletit kam hapur dhe dy shkolla koreografike. Një e kisha të timen dhe një e kishte bashkëshortja.

Kush janë rolet kryesore që ke luajtur në Teatrin e Operës dhe të Baletit Grek dhe në Amerikë dhe sa shfaqje keni dhënë?

Thuajse i kam luajtur të gjitha rolet kryesore të veprave të mëdha si solit. Kam dhënë më shumë se 1000 spektakle ku kam qenë balerin i parë.

Si i ndiqje zhvillimet në Shqipëri?

Kur ika, nuk e kisha idenë se çfarë bëhej më në Shqipëri. U ndërprenë marrëdhëniet. Nuk kam pasur komunikim. Nuk kisha asnjë informacion. As në radio nuk ndiqja asgjë. Pra informacioni për Shqipërinë ishte zero. Nuk fola asnjëherë në telefon me prindërit. Ishte një gjë e tmerrshme. Kur vdiq Enver Hoxha e mora vesh nga gazetat. Kaq. Një lajm i thatë. Nuk interesohej askush për Shqipërinë. Mendoja se diçka do të ndryshonte. Por jo. Ende nuk vinin sinjale.

Në 90 kur u hapën kufijtë si u takove me të afërmit?

Në vitin 1989 vëllai im Miltiadhi, erdhi në Korfuz dhe u takuam për herë të parë. Ishte një ditë e veçantë. Unë shkova nga Athina në Korfuz. Takim mes lotësh, mes mallit, mes dhimbjesh. Po trokiste 1990. Pak muaj më vonë më erdhën dhe më takuan dhe vëllezërit e tjerë. Më vonë ata u sistemuan të gjithë në Athinë. Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Ishin kohë që nuk i mendoja.

Nga jeta dhe kujtimet me vëllezërit dhe motrat çfarë veçon?

Në vitin 1952, një mëngjes kur sapo hapa sytë, dëgjova nënën time që i thoshte motrës “mos e mbaro atë copën e bukës se i duhet Timoleos”. Ai kërcen dhe pa bukë nuk e mbajnë këmbët. U shqetësova dhe u ngrita nga shtrati, mora copën e bukës dhe ndoqa motrën. E arrita dhe i thashë “merre bukën se unë mar lekë aty ku punoj, mund të blej diçka”. Ajo mes lotëve më thotë “jo vëlla ti lodhesh, të duhet buka”. Flitej vetëm për një copë bukë thatë. Pra për një kore bukë.

Pse erdhe pikërisht tani pas 58 vjetësh dhe jo që në vitin 1990? Si e gjete Tiranën?

Ashtu erdhën rrethanat e jetës. Jeta ka të papritura. Por ja erdha tani. Tiranën e gjeta si një qytet përrallë. Qytet i bukur me njerëz të dashur. Nuk po çmallem dot. Po takoj miqtë që më përqafojnë me mall. Tirana është më e mirë se çdo qytet tjetër në botë. Më kanë bërë një pritje të jashtëzakonshme. Jam takuar me një sërë njerëzish në mënyrë të veçantë me artistët e grupeve të valleve të vitit 1955. Unë i thosha mikut tim të vyer Ramazan Bogdani, se tani dua të takojmë ato gocat që kemi kërcyer në ato vite, por ato tani janë goca stërgjyshe, Besa Morina, Irma Laze, Ikbal Morina, Advie Alibali e shumë të tjera…

Meraku juaj?

Kur u arratisa më hoqën nënshtetësinë. Tani dua atë të vërtetë që jam. Dua të vërtetën e jetës sime, nënshtetësinë shqiptare.

 

——————-

Prof. Ramazan Bogdani: Si e kam njohur Timoleo Papën?

 

Prof. Ramazan Bogdani është një ndër miqtë më të ngushtë të Timoleo Papës. Sipas Prof. Bogdanit, Timoleo mbeti i mrekulluar nga pritja që i bënë miqtë dhe të afërmit e tij në Tiranë dhe premtoi se do të vij shumë shpejt dhe më shpesh. Në takimet me disa drejtues të Institucioneve Artistike, ai mbeti i mahnitur dhe dëshmoi se me të tilla pritje dhe ndejesh, tashmë nuk mund të ndahet kurrë nga Shqipëria. Para se të ikte ai tha: “U kënaqa, u habita, por nuk u çmalla sa duhet! Gjeta atë që s’e kisha menduar kurrë dhe që më kishte munguar në jetë”. Teksa bisedoj me Prof. Bogdanin për shoqërinë me artistin e madh Timoleo, nuk harroi që gjatë intervistës, ai shikonte i habitur komunikimin tonë dhe ndërhyrjet e Prof. Ramazanit dhe gati lotonte. Nuk e fshihte mallëngjimin, por edhe pritjen e ngrohtë që nuk ja kishin bërë kurrë në asnjë vend tjetër, ndaj emocionohej kur përmendte miqësinë e vegjëlisë që i sollën aq shumë kujtime.  58 vjet pa parë vendin e lindjes, pa parë nënën, babain, motrën dhe vëllain. Një shekull dhe një dhjetëvjeçar, që nuk numërohen, por që ruhen në zemër si xhevahire malli për të përcjellë mesazhe miqësie, mirënjohjeje.

Kur je takuar për herë të parë me Timoleon me ardhjen e demokracisë?

Jam parë në Athinë në vitin 1994 kur unë isha në një seminar. Telefonin e tij e kisha qysh në Tiranë pasi pas vitit 1990 në Athinë kishin vajtur mijëra qytetarë nga kryeqyteti, midis tyre dhe miq të tij. Jam takuar dhe dy vjet në vijim po në Greqi ku isha sërishmi për një Kongres Ndërkombëtar. Sa mbaruam punimet, ai më ftoi në shtëpi dhe më ka shëtitur në të gjithë Athinën. Jam mrekulluar nga pritja, nga një shqiptar i vërtetë.

Kush e priti dhe me se erdhi Timoleo në Tiranë?

Miku im Timoleo në Tiranë erdhi në mënyrë të befasishme. Erdhi në mënyrë krejt të papritur më 31 maj 2015, me nipin e vet. Nuk e besova kur më mori në telefon dhe më tha se jam në Tiranë. Kështu nisëm “bashkëjetesën tonë” tetëditore. Ai erdhi siç mund të vijë një xhentëlmen.

Kur mbërriti në Tiranë si u lidhët dhe ku u takuat?

Sapo kish mbërritur më 31 maj në Tiranë, në mbrëmje ai më merr në telefon dhe më thotë se ndodhem pranë Librit Universitar. U habita. Shtanga! Nuk e besoja. Por ai ma bëri surprizë. E pyeta se ku je akomoduar. Më thotë se gjendem te shtëpia e vëllait, Miltiadh Pappa, pasi ata nuk dëshironin që ai të qëndronte në hotel. Që atë natë dhe në ditët në vijim rrinim deri në mesnatë me shokët e vegjëlisë dhe kujtonim e kujtonim… Kujtime të bukura. Kujtime mes lotësh. Por dhe psherëtima për ata që na kanë lënë!

Çfarë shprehu kur u takuat?

Gjëja e parë që më kërkoi ishte ta çoja tek ish shtëpia e tij, në qendër të Tiranës. Shtëpia e tij ka qenë mbrapa 15-katshit, përbri Teatrit të Estradës. Aty tek një rrugicë e vogël, hyje më tej në një rrugicë të dytë, ku ishte dikur shtëpia tashmë e transformuar. Ai mbante mend dy familjet që kishin fqinjësi. Ndali disa çaste, madje dhe lotoi. Fjalët nuk i dilnin nga zemra. Pastaj kaluam tek rrugicat e fëmijërisë për të dalë te ish kafe Flora ku ai ruante kujtime të vegjëlisë.

Po pije alkoolike?

Në asnjë mënyrë. Vetëm ndonjë gotë verë të vogël. Më së shumti preferenote ujin natyral, pa gaz.

Kush ishin miqtë dhe shokët që dëshironte të takonte?

Kishte kujtesë të mirë. Të gjithë miqtë që ishin gjallë, ai i takoi. Mund të përmend shokët: Albert Janku, Prokop Mishku, Dedin Suli, Luan Shtino, Ilir Kerrni (Drejtor i TKOB), Rexhep Çeliku, Blerina Arbana (Drejtore e Shkollës së Baletit), Adivie Alibali, Besa Morina, Irma Laze, Ikbal Morina, Alma Radovicka e shumë të tjerë. (Duhet thënë se mbiemrat e artistëve të ipërpërmendura janë të vajzërisë)

Cilat institucione të artit e pritën?

Ishin tre të tillë që e joshën në mënyrë të shkëlqyer: TKOB, Shkolla e Baletit, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Kur takoheshit në mëngjes?

Në çdo ditë nga mëngjesi rrinim deri në mesnatë. Bashkë nuk u ndamë asnjë çast. Na ndante vetëm gjumi i natës.

Si dëshironte të lëvizte me makinë apo në këmbë?

Vetëm me këmbë. Donte të shikonte dhe të prekte çdo gjë. I dukej vetja si fëmijë që do të afronte kujtimet e së kaluarës!

Kush ishte ajo që mezi priste të realizonte?

Të shkonte tek varrezat e prindërve, të vëllait dhe motrës. Ishin çaste emocionuese. Mori lulet më të bukura dhe me lot në sy u përul me respekt përpara varreve të tyre. Nuk mund t’i mbante lotët. Kishte të drejtë. “Nuk munda t’i shoh njëherë para se të vdisnin”, tha nën zë dhe lotët i rridhnin faqeve.

Çfarë dëshmoi për Tiranën?

Askush s’e beson si e lavdëroi! Eshtë një ndër qytet më të bukura në botë, më thoshte. Unë i përgjigjesha se ka shumë beton por ka dhe shumë tela nëpër shtylla! Edhe në Athinë ka të tilla, më përgjigjej ai./Telegraf, qershor 2015/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 × 2 =