Shembulli i forcës së kryeministrit

AnalizeEditorialKryesore
71
0
sample-ad

Gjashtë muaj para se të fitonte zgjedhjet, gjatë një takimi me të rinj socialistë në janar 2013, Edi Rama bënte distancimin me qeverinë Berisha, duke premtuar se “Ata qeverisin me shembullin e forcës, ne do qeverisim me forcën e shembullit.”

Shprehja goditëse, e frymëzuar nga filozofia kineze, haset në manualet e lidershipit, jo vetëm në politikë. Edi Rama e konfirmoi si angazhim, kur paraqiti programin qeverisës për herë të parë si kryeministër në shtator 2013. Me talentin e spikatur oratorik e interpretativ, Edi Rama premtonte nga foltorja e kuvendit, se do udhëhiqte me forcën e shembullit, duke respektuar pa kushte rregulla e ligje. “…nëse kush qeveris nuk i ndan dhe përçan për t’i sunduar, po i drejton me forcën bashkuese të shembullit; nëse kush bën dhe miraton ligje e rregulla nuk është shkelësi i parë i tyre, po i pari që ligjeve e rregullave u nënshtrohet pa kushte.”

Tre vjet më vonë, pasi kishte fituar vendoret e qershorit 2015, Edi Rama tregon se nuk e ka harruar atë shprehje goditëse. Socialistëve të mbledhur në kongres u kujtonte se “Ne jemi zotuar të qeverisim me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Për ne qeveria s’mund të kërkojë nga të tjerët të përmbushin detyrimet e tyre, nëse vetë nuk i përmbush detyrimet e saj.” Shprehja tashmë e kthyer ne lejtmotiv, u rikthye edhe në qershor 2007, kur kishte siguruar një mandat të ri krejt i vetëm, e asokohe do premtonte: “Ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë, jo me shembullin e forcës, kundër të tjerëve.”

Dy vjet më vonë, në vitin e gjashtë në pushtet, Edi Rama e ka më elokuent shembullin e forcës sesa forcën e shembullit. Qeveris i vetëm, komod në numra, me të vetët në rresht e pa gjykata për ta frenuar. Me këtë fuqi pushteti si asnjë paraardhës i tij në tri dekada pluralizëm, çka i ofron qytetarëve të një vendi të NATO-s, e me liri lëvizje janë votime si të kohës së diktaturës.

Paralajmërimi që përsërit në mënyrë frenetike, se votimet moniste do jenë një ndëshkim për opozitën, duket sa infantil, aq edhe makiavelik. Përmes shembullit të forcës së kartonëve në parlament, në KQZ e Kolegjin Zgjedhor, secili nga këto institucione, njëri pas tjetrit, nuk pati droje të merrte kompetencat e gjykatës kushtetuese, duke mos konsideruar një dekret të presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, i botuar në Fletoren Zyrtare.

Me shembullin e forcës e të pushtetit, po ndëshkohen e u tregohet burgu në vazhdim, kujtdo, që nuk pranon të mbyllë sytë para ekzistencës së një dekreti, që mund të diskutohet patjetër, por vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Ky shembull force vazhdon të tregohet, edhe pasi të gjithë dëgjuam, në një sërë përgjimesh të prokurorisë, se si në Durrës ashtu edhe në Dibër, shteti ishte vënë në shërbim të votës socialiste. Sipas publikimeve të ‘Bild’ angazhimi ishte nga narkotrafikantët si koordinator të votave të PS në pushtet, tek zyrtarë të lartë të policisë, Ministrisë së Brendshme, drejtorë arsimi e drejtorë shkollash e natyrisht deputetë të mazhorancës. Të gjithë duke zbatuar ose pranuar skema presioni zgjedhor, e blerje të votës. Arsyet sempliste për komplot prokurorësh me opozitën, nuk mjaftojnë për të shpjeguar, së paku se përse individët e përfshirë në përgjime, po thirren për t’u marrë në pyetje gati ilegalisht, vetëm pasi ato përgjime u publikuan nga ‘Bild’.

Vetë kryeministri, nuk kapi as standardin e Saimir Tahirit, të cilin e përjashtoi nga radhët e PS brenda 24 orëve nga dalja e dosjes Habilaj, derisa të qartësohej me drejtësinë. Shpejtësia e reagimit të asaj kohe, kontraston fort sot me kokëfortësinë për të mos bërë qoftë edhe një gjest formal, ndaj kujt, në emër të socialistëve me apo pa nxitjen e tyre, blinte e bënte presion për votat në Durrës e Dibër.

Shembulli i forcës po spikat në zemër të një krize 4 mujore politike e institucionale, ndërsa kryeministri me qetësi olimpike, thotë se nuk ndjen asnjë përgjegjësi për klimën e shtuar të mosbesimit ndaj procesit zgjedhor, me publikimin e përgjimeve të prokurorisë. Ai mosbesim veçse bëhet më i fortë kur shoqërohet me pandëshkueshmëri ndaj kujt është zbuluar në prekje të votës dhe bëhet një model force, që rrezikon të shndërrohet në një precedent po aq të rrezikshëm, sa djegia e mandateve nga opozita.

Insistimi për të çuar me çdo kusht vetëm një pjesë të shqiptarëve në votime, pa ofruar as garancinë më bazike, se çka është dëgjuar në përgjime të ndodhë në Durrës e Dibër, nuk do përsëritet njëlloj në gjithë Shqipërinë, po krijon një precedent që do i kushtojë jo pak demokracisë në këtë vend. Përdorimi i të fortëve në zgjedhje, komunikimin vulgar të cilëve, u dëgjua ta kishin bërë pjesë të tyre ministra, deputetë e zyrtarë publikë, ishte vetëm ilustrimi i asaj çka opozita me gjithë kusuret e saj, ka denoncuar vazhdimisht, e çdo herë është heshtuar me shembullin e forcës së kartonëve

Në çdo vend demokratik, qeveria ka detyrimin të garantojë të drejtën e çdo qytetari për të votuar i lirë. Neni 45 i Kushtetutës, sipas të cilit vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë, vlen edhe për militantët partiakë, pavarësisht nëse e mendojnë veten mbi ligjin apo thjesht nuk e njohin atë.

Ky shembull i forcës së pandëshkueshmërisë për asnjë nga personazhet e përgjimeve që mblidhte vota për partinë e kryeministrit, në fakt i ngjan një provokimi të pastër që pala tjetër të mos bëjë asnjë hap para për kompromis apo dialog.

Në pritje të krijimit të precedentit të 30 qershorit, një i parë është krijuar tashmë: kush u kap në përgjime duke imponuar rezultat zgjedhjesh, nuk e gjeti asgjë, sepse partia përfituese e atij abuzimi me votat, e mbrojti me shembullin e forcës së mosreagimit. Aktrimi me filxhanin qytet më qytet është thjesht dëshmia se ai shembull force është një zgjedhje e vetëdijshme.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twelve − 12 =

%d bloggers like this: