REKOMANDIME PRIORITARE

sample-ad

 

Disa muaj pas “Dibrës 2016” vëzhguesit ndërkombëtarë të ODIHR, do të ishin më të drejpëtdrejtë se kurrë, së paku në 15 vitet e fundit. Këto janë rekomandimet prioritare pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Kujtesë me letra…
———

A. REKOMANDIME PRIORITARE

1. Autoritetet duhet të ndërmarrin një reformë zgjedhore përfshirëse, të zhvilluar në kohë dhe të mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti dhe raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Dispozitat në ligje të ndryshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të harmonizohen, veçanërisht ato në lidhje me fushatën, financimin e fushatës dhe median.

2. Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. Partitë politike mund të ndërmarrin një angazhim konkret dhe të mirëfilltë për të luftuar praktikat e blerjes së votës. Gjithashtu, një refuzim publik nga ana e
politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.

3. Qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit. Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe paszgjedhore. Kjo strukturë mund të ngrihet edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës.

4. Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të ndaluar zëvendësimin diskrecional të anëtarëve të KZAZ-ve nga ana e partive propozuese. Gjithashtu, duhet t’i kushtohet vëmendje mundësisë së vendosjes së mekanizmave alternativë për emërimin e anëtarëve të KQV-ve dhe të grupeve të numërimit në rast se partitë politike nuk propozojnë emra.

5. Kufizimet e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të hiqen. Duhet të ndërpritet heqja automatikisht e zgjedhësve të moshës 100 vjeç apo më shumë nga listat e zgjedhësve, dhe detyrimi për të verifikuar të dhënat e këtyre zgjedhësve duhet të vendoset mbi shtetin.

6. Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen duke u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile të hartuara për të rivendosur në vend reputacionin e dëmtuar.

7. Për të forcuar transparencën, ligji duhet të garantojë të drejta të njëjta për të gjithë vëzhguesit dhe të përcaktojë qartë se të gjithë vëzhguesit kanë të drejtë të marrin kopje të tabelës së rezultateve.

8. Shteti duhet të garantojë të drejtën për të bërë një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar se për kë synojnë të votojnë zgjedhësit apo për kë kanë votuar. Asnjë lidhje midis zgjedhësit dhe një vote specifike nuk duhet të jetë e mundur.

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

ten + eight =