Tre keqkuptimet fatale me dekretin dhe kur Doctor Jekyll vret Mister Hyde

AnalizeEditorialKryesore
25
0
sample-ad

Herët a vonë dhe më shumë herët sesa vonë, përplasja e Ilir Metës dhe Edi Ramës do të ndodhte patjetër. Historia e një marrëdhënieje të komplikuar mes tyre, dashuri dhe urrejtje me interes në mes, dëshmonte se ishte thjesht çështje kohe kur ata të dy të kryqëzonin rrugët dhe shpatat. Stina e bashkëjetesës me “presidentin më të mirë që kishte pasur ndonjëherë Shqipëria”, siç thoshte Rama fiks një vit më parë, përfundoi për t’i dhënë jetë një cikli të ri krize mes dy personazheve që e shohin reciprokisht njëri-tjetrin si Doctor Jekyll dhe Mister Hyde. Dy koka të së njëjtës shqiponjë që bëhet me duar në gjokse që së fundmi, e bëri dhe Meta në presidencë.

Dekreti për anulimin e datës së zgjedhjeve mbi dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, është vetëm një betejë më shumë, por pa luftë finale. Kjo betejë e radhës është shoqëruar menjëherë me së paku tre keqkuptime serioze të të gjitha palëve, të cilat ridimensionuan krizën që është jo vetëm institucionale, por edhe njerëzore.

Keqkuptimi i parë ndodhi me opozitën.

Të shtunën e shkuar, kur u njoftua “pak minuta” përpara protestës së do të shtyhej 30 qershori, Basha, Kryemadhi dhe gjithë turma e ngazëllyer brohoriti: fitore, fitore! Në fakt opozitës ju afrua mundësia për të marrë diçka nga e cila kishte hequr dorë vetë. Duke mos u regjistruar në zgjedhje sipas të drejtës kushtetuese që jua garanton këtë të drejtë, partitë e opozitës gjetën një rast për t’u rikualifikuar në afat për të marrë pjesë në zgjedhje. Ato kishin dështuar ta mundnin Ramën e vënë shumë nën presion me protesta dhe panë t’ju vijë mundësia të prisnin biletën e munguar për negociatë nëpërmjet Presidentit të Republikës. Atë biletë që nuk e morën dot me imponim nëpërmjet dhunës. Brohorima është naivitet dhe naiviteti është torturë kur kupton se e vetmja gjë që ndryshon është ngjirja nga brohorima sepse humnera është po aq e thellë sa më herët.

Keqkuptimi i dytë ndodhi me maxhorancën.

Edi Rama nuk u kap në befasi nga ky zhvillim. Ai ishte paralajmëruar për çfarë do të ngjiste nga vetë Meta ditë më parë. E megjithatë ai nuk e lëvizi spirancën e fushatës së tij nga 30 qershori. E kundërshtoi dekretin e tij në të kundërt me dobinë direkte që mund të fitonte prej kësaj dhurate që Meta ja bëri nga halli dhe jo nga malli. Nevoja politike e Edi Ramës nuk ka të bëjë me rikonfirmimin e partisë së tij në sa më shumë bashki – në zgjedhjet lokale nuk ka humbës – por me mundjen e opozitës nëpërmjet garës. Rama mund të vazhdonte të mallkonte hapin e gabuar kushtetues të presidentit, të niste edhe procedurat për shkarkimin e tij, por të shënjonte si alibi të tijën pikërisht atë dekret, për t’ju shmangur 30 qershorit. Ditës që i jep atë fitore të vetmuar dhe një ngjyrëshe që nuk i intereson atij vetë të parit.

Keqkuptimi i tretë është i vetë Presidentit të Republikës.

Demokracia është procedure!

Në demokraci, qëllimi nuk i justifikon kurrë mjetet!

Këto dy premisa do të mjaftonin për ta parë në një dritë krejt tjetër sfidën që Presidenti u bëri palëve duke qenë dhe vetëm palë në njërën anë të ekuacionit.
Presidenti zgjodhi procedurën e gabuar, ndërsa tentativa e tij për të shmangur përshkallëzimin e paparashikueshëm të konfliktit, qoftë dhe si një qëllim i mirë në vetvete, nuk mund të bëhej me mjetet që ai ka në dispozicion.

Presidenti duhej të zgjidhte një qasje krejt tjetër. Ta shihte si sakrificë personale aktin e tij politik. Të pranonte koston gjithashtu personale të këtij akti dhe ta paguante si një çmim që do të detyronte palët të negocionin. Kështu kishte paralajmëruar më shumë se njëherë kohë më pare kur përmendte se vinte në dispozicion të zgjidhjes së krizës mandatin e tij. Duke e prezantuar antidekretin e ri me arsye ngushtësisht politike, akti i tij nuk do të mund të qortohej nga pikpamja morale. Do të bënte të heshtnin edhe kritikët, por as nuk do të duartrokitej nga mbështetësit e tij. Në momentin që ai bëri të kundërtën, tentoi t’i japë mbështetje kushtetuese, u bë i cenueshëm nga dy palët. Edhe nga kritikët që i kërkojnë largimin si ndëshkim të kotë, edhe nga opozita që e dëmton edhe më shumë duke e konsideruar si një repart sulmi ndaj Edi Ramës.

Bashkëjetesa kryeministrit dhe presidentit, njëlloj si marrëdhënia mes Doctor Jekyll dhe Mister Hyde është interesante në thelb, por ka kosto edhe për njërin, edhe për tjetrin. Herët a vonë, ata përfundojnë duke vrarë dhe rilindur njëri-tjetrin, por loja e përbashkët e tyre, faturën kryesore ja transmeton publikut, që i do dhe urren të dy sipas rastit.

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twelve − eleven =