A është e afërt lufta SHBA-Iran?

AnalizeEditorialOpinion
18
0
sample-ad

Kenneth M.Pollack 

A do të luftojnë Shtetet e Bashkuara me Iranin? Ndoshta jo. A duhet që Shtetet e Bashkuara të shkojnë në luftë kundër Iranin? Ndoshta jo. Nuk ka gjasa që ne ta gjejmë veten në një luftë me Iranin në një kohë të afërt, sepse që të dyja palët janë të etura ta shmangin atë.

Megjithëse, disa nga këshilltarët e presidentit Donald Trump, mund ta mirëpresin një përplasje me Teheranin, ai e ka bërë vazhdimisht të qartë se dëshiron t’u japë fund luftrave amerikane në Lindjen e Mesme, dhe të mos fillojë ndonjë luftë të re. Kjo qasje, ka qenë pas shtysës së tij për të tërhequr trupat amerikane nga Siria, dhe mosgatishmërisë së tij për t’u përfshirë më shumë në luftën civile të Jemenit.

Në anën tjetër të Gjirit Persik, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, njoftoi se nuk do të ketë luftë. Në rast se nuk i besoni atij, iranianët kanë treguar zakonisht një respekt të madh ndaj fuqisë konvencionale ushtarake amerikane, meqë u përballën në mënyrë të tërthortë me të në fund viteve 1980.

Ata e dinë shumë mirë se në një luftë në shkallë të plotë, SHBA-të do t’u shkaktonin një dëm të jashtëzakonshëm forcave të armatosura iraniane, dhe kjo mund të vinte në rrezik serioz regjimin, skenar që Teherani kërkon ta shmangë. Natyrisht, vetëm për shkak se të dyja vendet nuk duan një luftë mes tyre, nuk do të thotë që ato të rrëshqasin në një të tillë.

Duke pasur parasysh tensionet aktuale, të krijuara nga presioni amerikan ndaj Iranit dhe përpjekjeve të reja të Teheranit në formën e kundërpërgjigjes, dislokimi i forcave ushtarake amerikane shtesë në rajon, dhe prirjen e Gardës Revolucionare të Iranit që herë pas here ndërmerr veprime agresive të paautorizuara, askush nuk duhet të përjashtojë një përplasje të paqëllimshme mes 2 vendeve.

Madje edhe atëherë, skenari më i mundshëm do të ishte një sulm i kufizuar amerikan, për t’i treguar Iranit se që duhet t’i mbajë nën kontroll “fëmijët e saj problematikë”. Në një periudhë afatgjatë, ka edhe kërcënime të tjera. Për shkak të dobësisë së tij ushtarake në krahasim me SHBA (dhe Izraelin), Irani ka preferuar të përdorë terrorizmin dhe sulmet kibernetike – më shpesh të drejtuara ndaj aleatëve amerikanë, sesa vetë SHBA – së për të krijuar probleme për Uashingtonin, por pa krijuar një pretekst për një përgjigje ushtarake amerikane.

Ne e kemi pare këtë tashmë, me sulme misterioze ndaj naftëmbajtësve saudite në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe goditjet me dron nga aleatët Huthi ndaj tubacioneve saudite të naftës. Këto sulme kanë përfitime të dyfishta për Iranin, duke dëmtuar (dhe potencialisht poshtëruar) një aleat të rëndësishëm amerikan, ndërsa njëkohësisht duke rritur çmimin e naftës.

Në të shkuarën, iranianët kanë ndërmarrë sulme kibernetike ndaj rrjetit kompjuterik të kompanisë së madhe saudite “Aramco”, që kontrollon rrjetin e naftës saudite. Nëse Irani vazhdon me këto lloj aktivitetesh, SHBA-ja dhe aleatët e saj do të kërkojnë mënyra të reja për të parandaluar dhe mposhtur sulmet iraniane.

Në një moment, Shtetet e Bashkuara (ose izraelitët), mund të vendosin të kundërpërgjigjen me një sulm ushtarak. Dhe iranianët mund të ndjehen të detyruar të përgjigjen me të njëjtën monedhë, vetëm për të treguar se nuk do të marrin një grusht fytyrës, pa e kthyer një të tillë ndaj armikut.

Sërish, ka arsye të forta për të besuar se ky do të ishte fundi i regjimit, por nuk është e pamundur që kjo të jetë fillimi i diçkaje më të madhe. Duhet gjithashtu të kujtojmë, se ndonjëherë në të kaluarën, Irani e ka tejkaluar veten, duke ndërmarrë sulme terroriste që mund të kishin (dhe duhet të kishin) kaluar vijën e kuqe, të hequr nga SHBA-ja.

Në vitin 1996, Irani hodhi në erë kompleksin Khobar Toëers në Arabinë Saudite, duke vrarë 19 persona, dhe plagosur gati 400 ushtarakë amerikanë. Në vitin 2011, Irani komplotoi për të hedhur në erë një restorant në Uashington, ndërsa ambasadori saudit po darkonte atje.

Sulmi u parandalua përpara se të mund të ekzekutohej, por nëse do të realizohej, mund të kishte vrarë disa njerëz në kryeqytetin amerikan. Këto ishin lëvizje të pakujdesshme të Teheranit, në kohën e një tensioni të madh, të cilat mund të kishin shkaktuar lehtësisht një përgjigje ushtarake amerikane.

Së fundmi, është çështja më e rëndësishme nga të gjitha: a duhet që SHBA-ja të kërkojë të hyjë në një luftë kundër Iranit? Një luftë me Iranin për mua është e pakuptimtë, dhe e them këtë si dikush që do të dëshironte ta shihte SHBA-në të bëjë një përpjekje shumë më të vendosur, për të zmbrapsur agresionin dhe ekspansionin e Iranit në Lindjen e Mesme.

Por, mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është duke ndihmuar aleatët tanë në mbarë rajonin, aleatë që frikësohen me të drejtë nga arritjet që Irani ka shënuar në Irak, Siri dhe Jemen gjatë dekadës së fundit. Arsyeja më e mirë për të mos shkuar në luftë me Iranin, është se me siguri do ta fitojmë.

Por, duke fituar mund të shkaktojmë shembjen e regjimit iranian, gjë që do të krijonte të njëjtin lloj kaosi dhe konflikti të brendshëm në Iran, që shkaktoi edhe në Irak dështimi ynë për t’u përgatitur për një rindërtim të plotë të atij vendi. Dhe ashtu si Iraku, do të konstatonim se Irani është tepër i rëndësishëm, sa për të lejuar që ai të zhytet në një rrëmujë të tillë.

Pra, nëse ju ka pëlqyer Lufta e Irakut, do të donit me siguri një luftë ndaj Iranit, pasi ka një popullsi 3 herë më të madhe, një sipërfaqe 4 herë më të madhe, dhe 5 herë më shumë probleme se sa Iraku. Fitimi i një lufte të tillë me Iranin, vetëm për të kryer përpjekjen e  jashtëzakonshme të stabilizimin dhe rindërtimit të tij, ndoshta nuk do të ndihet dhe aq si një fitore.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twelve + 2 =