Zbulohet skema/ Si përdoreshin pikat kufitare të “dobëta” për trafikimin e shqiptarëve

KronikeKryesore
24
0
sample-ad

Më shumë se dy vite hetime të Prokurorisë për Krime të Rënda, kanë zbardhur veprimtarin e kriminale të një grupi, i cili ka trafikuar rreth 500 shqiptarë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Amerikë dhe Kanada.

GJATE KONFERENCES PAS FINALIZIIMT TE OPERACIONIT
GJATE KONFERENCES PAS FINALIZIIMT TE OPERACIONIT

Këtë të martë, prokurori Eugen Beçi njoftoi mbylljen e hetimeve dhe çoi në gjykatë dosjen ku kërkon të marrë të pandehur 51 persona si pjesë të këtij grupi. Duke iu referuar hetimeve të kryera nga Prokuroria, rezulton se secili prej këtyre personave ka vepruar në kuadër të grupit kriminal dhe çdonjëri prej tyre ka pasur një rol. Mësohet se aktiviteti kriminal ishte i shtrirë në disa vende nga Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Sllovenia, Italia, Spanja,Portugalia, Franca, Irlanda deri në vendet e Amerikës Latine.

Pasi siguroheshin personat e interesuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, anëtarë të grupit kontaktonin me njëri-tjetrin për të bërë të mundur krijimin e dokumenteve të falsifikuara, shoqërimin dhe transportin e personave që do të trafikoheshin. Këta persona, kur kërkonin të trafikoheshin në Mbretërinë e Bashkuar, përdornin si vende transit vendet e BE-së, ndërsa në rast se do kalonin në mënyrë të paligjshme në Kanada dhe SHBA, përdoreshin si vende transit Meksika, Panamaja dhe Republikë Dominikane.

Shumat që paguanin të interesuarit për të kaluar në mënyrë të paligjshme varionin nga 7000 deri në 9000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe 25000 deri në 30000 dollarë për në ShBA dhe Kanada.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda, si pjesë e grupit kanë rezultuar edhe dy punonjës të Policisë, të cilët tashmë janë në masën e sigurisë “Arrest në burg”. Hetimet për dy ish-policët janë ndarë dhe vazhdojnë ende për të zbardhur bashkëpunëtorët e tjerë të tyre.

trafiku_i_klandestineve

Hetimi për grupin kriminal ka nisur pas referimit në Prokurorinë për Krime të Rënda të Sektorit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në sajë të informacioneve të grumbulluara. Referimi është bërë në shkurt të vitit 2017 dhe sipas këtij referimi, një grup kriminal ushtronte veprimtarinë kriminale, atë të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Në bazë të këtij materiali, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr. 53, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298/a, 333/a të Kodit Penal”, shkruhet në kërkesën për gjykim të prokurorit. Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Eugen Beçi, grupi kriminal e kishte shtrirë aktivitetin e tij jashtë territorit të Shqipërisë si: në Maqedoni, Bullgari, Kosovë, Slloveni, Itali, Spanjë, Portugali, Francë, Irlandë deri në vendet e Amerikës Latine. Grupi kriminal në fokus të veprimtarisë së tij kishte dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt pagesës, shtetasve që dëshironin të emigronin në mënyrë të paligjshme kryesisht në shtetet si Irlandë, Mbretëri e Madhe, SHBA/Kanada, shtete në të cilat vetëm me viza mund të udhëtosh. Shtetasit që dëshironin të emigronin në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesave ishin shtetas shqiptarë.

ROLET

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda u arrit të mësohej se si grupi kriminale funksiononte, anëtarët e tij ishin shtetas shqiptarë, maqedonas, bullgarë, secili anëtar sipas hierarkisë së grupit kishte rolin e vetë, duke filluar: Nga personat që siguronin kontaktet me personat e interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA dhe Kanada. Personat që ishin garantë dhe mbajtës të vlerave monetare që paguheshin nga personat e interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme. Personat që siguronin rezervimet e udhëtimeve dhe akomodimin e të interesuarve për të emigruar në mënyrë të paligjshme (klientët). Personat që siguronin dhe prodhonin dokumentet e falsifikuara. Personat që transportonin dokumentet e falsifikuara. Personat që kryenin transportimin dhe shoqërimin e personave të kontrabanduar. Personat që bënin pritjen e tyre dhe akomodimin në hotel deri në momentin e udhëtimit drejt destinacionit final dhe organizatori i aktivitetit kriminal.

ORGANIZIMI

Duke iu referuar hetimeve të kryera nga Prokuroria, grupi kriminal për të realizuar kontrabandimin e personave kundrejt pagesave përdorte këtë mënyrë: Fillimisht, pasi arrinin të binin dakord për shumën e pagesës, e cila varionte nga 7000 deri në 9000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe 25000 deri në 30000 dollarë për në ShBA dhe Kanada, me personat që do të emigronin në mënyrë të paligjshme, anëtarët e grupit kriminal merrnin gjeneralitetet e personave, fotografi të tyre dhe dokumentet e identifikimit i dërgonin ose dorazi, ose nëpërmjet rrjeteve sociale(WhatsApp, Viber) për te personi që do siguronte apo prodhonte dokumentet e udhëtimit të falsifikuara. Paralelisht me këtë, anëtarët e tjerë të grupit kriminal kryenin rezervimin e linjave të udhëtimit, ajrore, tokësore vajtje-ardhje (në shumicën e rasteve ishin fiktive) si me dokumente udhëtimi shqiptare, ashtu dhe me ato me dokumente udhëtimi të falsifikuara sipas rastit, duke mbajtur parasysh që shfrytëzoheshin pikat e kalimit kufitar, ku kontrollet ishin të dobëta. Pjesë e grupit kriminal ishin dhe personat që do të kryenin shoqërimin, transportimin dhe pritjen e personave që do të kontrabandoheshin.

KONTRABANDIMI

Zakonisht, shtetasit që do të emigronin udhëtonin me dokumente shqiptare deri në vendet kryesisht të Bashkimit Europian, ku udhëtimi nuk kërkon vizë. Si shtete transit për destinacion final Mbretërinë e Bashkuar, përdoreshin shtetet e BEsë si Franca, Spanja, Italia, me qëllim për të emigruar në mënyrë të paligjshme, kurse për të emigruar në mënyrë të paligjshme në drejtim të SHBA-së dhe Kanada-së janë përdorur si shtete transit Meksika, Panamaja dhe Republika Dominikane. Shtetasit që do të emigronin në mënyrë të paligjshme, pas mbërritjes në një nga shtetet e mësipërme europiane, futeshin në zonën e transitit, po në këtë moment fshihnin dokumentet e vërteta të udhëtimit dhe vinin në përdorim dokumentin e falsifikuar të udhëtimit, ku kishin bërë dhe rezervimin e biletës së avionit për në destinacionin e dëshiruar si në Angli, SHBA dhe Kanada. “Në përgjithësi, në rastet që kemi konstatuar, dokumentet e udhëtimit të falsifikuara u jepeshin personave që do të emigronin në mënyrë të paligjshme në momentin e fundit kur do të kryenin lëvizjet në zonën transit. Në hetimet e kryera kemi konstatuar dhe kemi pasur dyshime se një pjesë e dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara siguroheshin në vend, kurse pjesën tjetër, grupet kriminale i siguronin nga bashkëpunëtorët e tyre jashtë Shqipërisë”, shkruan Prokuroria.

BASHKËPUNIMI

Hetimi për këtë grup kriminal është bërë në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Kjo, pasi aktiviteti i grupit ishte i shtrirë në disa shtete fqinje dhe jo vetëm. “Në sajë të hetimeve dhe bashkëpunimit me partnerët tanë kemi arritur të parandalojmë dhe të kapim brenda një viti mbi 200 raste, ku grupi kriminal ka organizuar kontrabandimin e tyre. Për shkak të shtrirjes së aktivitetit kriminal të këtij grupi në shumë shtete, edhe hetimet janë koordinuar me shumë agjenci ligjzbatuese si DSA (Departamenti i Sigurisë Amerikane, pranë ambasadës amerikane në Tiranë) SELEC, EUROPOL, INTERPOL. Për këtë arsye, në funksion të hetimeve janë kryer disa takime operacionale, siç janë takimet e zhvilluara në: Maqedoni, Bullgari dhe Europol. Në pjesën më të madhe të shkëmbimit të informacionit, duke pasur parasysh dhe specifikat e shtrirjes se veprimtarisë kriminale të grupit, është kryer nëpërmjet SELEC-ut”, shkruhet në kërkesë. Ndërkohë, bëhet e ditur se paralelisht me hetimet që janë kryer këtu në Shqipëri, janë regjistruar procedime edhe në shtetet si Maqedoni, Bullgari, Spanjë, Francë, Angli.

POLICËT

Si pjesë e këtij grupi, Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar edhe dy punonjës të Policisë, të cilët janë nën masën e sigurisë “Arrest në burg”. Punonjësit e Policisë janë vënë në pranga në datë 28 shtator. “Në datë 28.09.2018, në zbatim të vendimit të Gjykatës janë kryer veprimet hetimore për 8 shtetas, 5 shtetas maqedonas si dhe 3 shtetas shqiptarë. Nga ky vendim janë ekzekutuar masa e sigurisë për dy shtetasit shqiptarë (punonjës policie) që janë si më poshtë: Edmond Llacini dhe Almir Doda. Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit: Emilian Sinjari, Betim Veliu, Ilia Mitrevski, Artim Dauti, Genc Dibra dhe Zaim Dauti. Në datë 04.10.2018, nga ana e autoriteteve maqedonase në funksion të këtij hetimi është kryer operacioni ‘Passaporta’”, shkruhet në kërkesë. Ndërkohë, janë lëshuar urdhërarrestet për personat e shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare (5 shtetasit e sipërshënuar), ku janë sekuestruar vlera monetare dhe dokumente udhëtimi të falsifikuara (pasaporta).

NDAHEN HETIMET

Ndërkohë që me vendimin penal të datës 28.09.2018, është caktuar masë sigurimi, e cila është ekzekutuar dhe për dy ishpunonjës policie, Almir Doda dhe Edmond Llacini. Rezulton se në drejtim të implikimit të këtyre dy personave nën hetim, lind e nevojshme të kryhen veprime hetimore të tjera për të konkluduar në lidhje me akuzën ndaj këtyre dy shtetasve. Për këtë arsye, kërkohet kohë për të kryer hetime të tjera. “Nga hetimi kompleks dhe voluminoz ka rezultuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe me persona të tjerë bashkëpunëtorë të tyre dhe për këtë arsye është e domosdoshme të kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim realizimin e procesit të identifikimit dhe marrjes së provave konkrete të bashkëpunëtorëve të tjerë”, argumenton Akuza.

PROVAT

Në hetimin e kësaj çështje, për të argumentuar veprimtarinë e anëtarëve të grupit kriminal në Shqipëri, janë përdorur metodat speciale të hetimit siç janë: vëzhgimi, filmimi, fotografimi, përgjimi i numrave të telefonit të subjekteve nën hetim. Më tej, veprimtaria kriminale provohet edhe nga deklarimet e të bashkëpandehurve në këtë procedim të lidhur, tashmë të arrestuar, si dhe ato të marra nëpërmjet pyetjes së personave të tjerë, që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. “Këto të dhëna përputhen jo vetëm me përgjimet telefonike, vëzhgimet, dhe aktet marra nga autoritetet e huaja të drejtësisë, por dhe me sekuestrimet e telefonave dhe pajisjeve kompjuterike gjatë arrestimit të të pandehurve ku, sipas akteve të ekspertimit, rezultoi që të provohen të gjitha rrethanat e përshkruara të faktit kriminal”, shkruan Prokuroria në kërkesën për gjykim.

NË KËRKIM

Në kuadër të këtij procedimi, janë shpallur në kërkim edhe 12 persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Sipas kërkesës për gjykim, ata janë: Bashkim Sorra, i datëlindjes 28.12.1956, lindur dhe banues në Tiranë. Ilir Feçi, i datëlindjes 20.09.1965, lindur në Kukës e banues në Njësinë Bashkiake Nr 10., Enxhi Koçi, i datëlindjes 03.10.1992, lindur në Kuçovë e banues, Tiranë. Përparim Kule, i datëlindjes 01.02.1957, me kombësi shqiptare dhe shtetësi shqiptare, Kombinat, Tiranë. Skënder Koçi (KENI), i datëlindjes 20.09.1954, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, rezident në Bullgari. Shkëlqim Koçi (JIMMY), i datëlindjes 12.12.1965, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, rezident në Bullgari. Adriatik Çekaj, i datëlindjes 28.03.1979, lindur e banues në Tamarë, Malësi e Madhe-Shkodër. Jorgo Shaho, i datëlindjes 27.08.1977 lindur e banues në Njësinë Bashkiake Nr 3, Rruga “Ali Baushi”, Tiranë. Borislav Krumov i datëlindjes 23.07.1988, lindur e banues në Bullgari dhe Marin Vasilev, i datëlindjes 18.11.1968, lindur e banues në Bullgari.

SEKUESTRIMI

Gjatë kontrollit të ambienteve dhe vendeve të dyshuara që përdoreshin nga autorët, janë gjetur dhe sekuestruar disa shuma monetare në euro, dollar dhe paund. Gjatë arrestimeve janë sekuestruar armë e një sërë pasaportash. “Janë sekuestruar: 10 njësi qendrore (kompjuteri),8 printerë lazer me ngjyra, 15 laptopë, 3 I-pad, 4 bojë printeri, 56 aparate telefonash, 17 automjete, 12 CD, 4 USB, 5,600 euro, 1,000 dollar dhe 3400.000 lekë, 5 pasaporta ndërkombëtare shqiptare, 2 pasaporta boshnjake, 13 vërtetime për leje pune të falsifikuara, 7 certifikata personale italiane, 4 karta identiteti italiane, 1 dëftesë pjekurie shqiptare, 2 leje drejtimi, 8 certifikata personale shqiptare të pa plotësuara, 2 leje kalimi, 1 raport mjekësor, 7 karta telefoni SIM, 11 karta banke, 6 karta identiteti të huaja të vendeve të BE-së, 1 armë zjarri automatik mod 56 dhe 13 fishekë 1 armë gjahu, 2 karta krediti dhe 2 libreza pune”, shkruhet në kërkesë.

PANORAMA

Facebook Comments

POST A COMMENT.

20 − sixteen =