Farmaceutika, zhvillimi dhe roli i saj te njeriu

sample-ad

 

diana toma

DIANA TOMA & FATOS KADESHA/ Lidhja e njeriut me barnat është aq e hershme, sa edhe vetë historia njerëzore. Gjurmët e para të përdorimit të barnave datojnë që nga kohët e lashta, ku sëmundja konsiderohej një ndëshkim për mëkatet e kryera, për të vijuar me periudhën antike, ku papiruset e lashta të Egjiptit do të sillnin një tjetër dëshmi për përdorimin e barnave, mesjetën e kristalizimit të farmacisë si degë më vete e deri në ditët tona.

 

Një rrugëtim sa i gjatë aq edhe i vështirë, me qasje të ndryshme, përmirësime, por asnjëherë kthim pas. Ilaçet do të ishin gjithmonë qerthuthi pas të cilit do të rendnin të gjithë. Ky cikël i përshkuar vjen përmes një artikulli me temë “Farmaceutika, zhvillimi dhe roli saj te njeriu”.

Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, dhe anëtari i UFSH-së, Fatos Kadesha, sjellin për lexuesit një vështrim të imtësishëm mbi rëndësinë e barnave dhe mbi të gjitha, të farmacistit. Kjo për të kuptuar dhe qartësuar rolin që ky i fundit ka. Një profesion, që sipas Tomës dhe Kadeshës, nuk mund të zëvendësohet nga asnjë tjetër, aq më pak nga veterinerët, për vetë specifikat që mbart. “Farmacisti është i vetmi ekspert mbi barnat.

Ai ka përgjegjësinë profesionale të dijë gjithçka mbi barnat. Asnjë program tjetër edukimi nuk përmbush dhe të kuptosh gjithçka mbi barnat, përveç atij të edukimit farmaceutik. Farmacisti dhe vetëm farmacisti është në këtë pozicion unik, që përqafon komplet ekspertizën medikamentoze. Atëherë, si është e mundur që një mjek veteriner me kurse gjashtë apo njëmujore, kurse që të kujtojnë ato të viteve 1946- 1947 kundër analfabetizmit të drejtë, të hapë farmaci?”, është kjo pikëpyetja që shoqëron edhe artikullin.

Midis disa karakteristikave unike të njeriut, duke filluar që nga Homo Sapiens, është tendenca që të shërojë sëmundjet me barna. Pra, si rezultat i kësaj, farmacia ka qenë pjesë e pandarë e historisë të njerëzimit dhe përmbushte një nga nevojat më të domosdoshme të tij. Në kohët e lashta, sëmundjen e shprehnin si një ndëshkim të Zotit, për të këqijat apo mëkatet që ke kryer.

Kështu që, praktikuesi mjekësor i quajtur Shaman, kompozonte barna që të mjekonin apo largonin influencën e magjisë dhe të shpirtrave të këqij. Gjatë periudhës antike dhe me zhvillimin e shoqërisë, teoria supernatyrale mbi sëmundjet filloi të bjerë dhe zhvillimi i madh në mijëvjeçarin e dytë në Mesopotami dhe Egjipt, në mjekësi u pasqyrua me tabletat prej argjili dhe Papiruset dhe formulari më i hershëm është ai samerian, rreth 2000 vite para Krishtit dhe Papirusi i Ebersit rreth 1500 vite para Krishtit. Në deshifrimin që iu bë Papirusit të Ebersit rezultoi rreth 20 m i gjatë, me rreth 800 përshkrime dhe rreth 700 barna si: opiumi, shafrani, ricini, aloe, pelini, kripëra të ndryshme si ato të arsenikut, zinkut, bakrit, plumbit, squfurit etj..

Gjithashtu përshkruhen dhe formula farmaceutike që përdoren edhe sot, si: supostet, linimentet, infuzet, dekoktet, emplastrat, pomadat etj.. Në Babiloni kishte dy klasa mjekësore, në Asu-mjekues empirikë dhe Asipu mjekues magjikë. Në Mesopotami kishte njerëz të specializuar për përgatitjen barnave. Në Greqinë e vjetër, mjeku helenas i përshkruar nga Homeri avancoi në shkaqet natyrale të sëmundjes, por nuk u tërhoq nga ato supernatyrale duke përdorur barnat empirike, por kishte dhe njerëz me sëmundje kronike që shkonin të flinin një natë në tempullin e Aesculapit, me shpresën se do të vizitoheshin gjatë natës nga Hyu Aesculap apo vajza e tij Hygeia, të cilët sillnin një gjarpër magjik dhe një kupë me bar mjekues.

Dihet se shkopi i Aesculap-it dhe kupa të rrethuara me gjarprin magjik mbetën simbolet e mjekësisë dhe farmacisë për shumë vite me radhë. Babai i mjekësisë rreth viteve 425 para Krishtit, Hipokrati, dhe nxënësit e tij ndërtuan një shpjegim racional mbi sëmundjen dhe konkretisht lidhjen midis mjedisit dhe natyrës njerëzore nga lidhja e katër elementeve të tokës, ajrit, zjarrit dhe ujit me katër udhëheqësit humoralë të trupit si tëmthi i zi, gjaku, tëmthi i verdhë dhe flegma.

Mjekët e trajnuar grekë (Jatros) që vazhduan metodën e Hipokratit, përshtatën stilin e jetës dhe dietën për përdorimin e barit. Shumica e barnave përgatiteshin nga bimët dhe del në dritë studimi i parë i madh mbi bimët nga Theofrasti rreth v. 370-285 para Krishtit, që u rivalizua rreth 300 vite më vonë nga Dioscaridi rreth v.65 pas Krishtit me veprën “Materia Medica”, e cila mbeti enciklopedia standarde e barnave për qindra vite që vijuan. Sistemi humoral i mjekësisë vazhdoi me të madhin Galen, që jetoi dhe punoi në Romë në shekullin e dytë pas Krishtit.

Galeni la si trashëgimi një sistem që balanconte humorin e të sëmurit me një medikament me natyrë të kundërt, ose duke përdorur hemorragjinë si mjekim për të hequr tepricën e mundshme të gjakut që shkakton sëmundjen. Galeni dhe pasuesit e tij mbronin teorinë se trupi i pacientit duhet të nxirrte jashtë tij një kompleks substancash, të cilat duheshin për të restauruar balancën humorale, sistem që vazhdoi deri V.1500.

ilace

* * *

Me rënien e Perandorisë Romake, edhe shkenca mjekësore pësoi ndryshime dhe terapia medikamentoze racionale u zëvendësua me mësimet e kishës, ku bari dhe sëmundja ishin të lidhura ngushtë dhe predominonin feja dhe hyjnitë. Manastiret u bënë qendrat mjekuese shpirtërore dhe trupore të pandara nga njëra dhe tjetra dhe murgjit vendosën tekstet e tyre në mjekësinë klasike, të ashtuquajtura Epitame. Priftërinjtë kultivonin bimë mjekësore në oborrin e kishës apo manastirit, i grumbullonin në një dhomë që quhej Armarium Pigmentarium dhe pranë mund të kishin dhoma laboratorike që shërbenin për distilimin e ujërave aromatike dhe tonike. Traktatet greko-romake u ruajtën dhe shkrimet me dorë në latinisht u bënë bazë për shërbimin mjekësor.

* * *

Në gjysmën e dytë të mesjetës, farmacia lëvizi jashtë manastireve, u bë më e ndarë nga mjekësia dhe mori përgjegjësi dhe standarde të pavarura dhe fillimisht ky trend u shfaq në Itali, Spanjë dhe Francë, vende që u furnizuan me njohuri shkencore nga civilizimi arab. Dihet se shkollat islamike në shek.8 asimiluan dituritë greko-romake, i përkthyen ato në arabisht dhe latinisht dhe krijuan amalgamat e tyre farmakomedikale, që mbetën më autoritarët në Europë. Për farmacinë influence arabe qe shumë e rëndësishme, sepse del në pah dhe dallojmë lindjen e farmacistit të kualifikuar (alSaidalami) si funksionar më vete dhe në gjysmën e parë të shek.9, në Bagdat shfaqet farmacia më vete, pra e ndarë nga mjekësia, Materia Medica Arabe qe më e pasur, më e përpunuar dhe më elegante në administrimin e barnave dhe natyralisht intensifikuan nevojën e një farmacisti të ngritur dhe kualifikuar në fushën farmaceutike.

Në këtë periudhë dolën dhe veprat e mjekëve të shquar arabë si Rhazes (860- 932), Avicena (980-1063) etj. dhe u hodh poshtë teoria se barnat me shije të keqe vepronin më mirë, pra formëdozat e barnave të jenë më elegante, më të pëlqyeshme dhe u aplikua sheqerosja e shurupeve etj., ose veshja me argjend apo ar e pilulave. Gjithashtu, shkenca arabe solli dhe barna, bimë dhe ide të reja në fushën e farmacisë. Idetë arabe në shek.13 kaluan në Spanjë dhe Italinë e Jugut.

Gjithashtu kaloi dhe ndarja e farmacisë nga mjekësia dhe në shek. 13, Frederiku i Dytë, sunduesi i mbretërisë së dy Siçilive, dekretoi për herë të parë në Europë ndarjen e farmacisë nga mjekësia dhe pozicioni i farmacisë u bë shumë i zhvilluar, shumë influencues dhe këtë dekret të Frederikut të Dytë e quajtën “Magna Carta” e farmacisë dhe mjekësisë dhe këtu ndër të tjera kishte klauzola që kishin të bënin me kontrollin zyrtar, detyrimet e farmacistit të përgatitjeve të barnave cilësore, të besueshme, kualitet të përshtatshëm, uniforme dhe me aftësi maksimale.

Më vonë dolën dhe dy klauzolat e legjislacionit mbi numrin e farmacive dhe çmimin e barnave. Disa përgjegjësi dhe probleme të farmacisë dhe farmacistëve u shprehën më vonë në kodin e Genoa, ku ndër të tjera thuhej: Ne fiksojmë dhe urdhërojmë që çdo person që do të drejtojë ose mbajë një farmaci, duhet të jetë licencuar nga Master Farmacist ose të ashtuquajtur (speciarii). Asnjë farmacist nuk mund të thyejë ligjet e profesionit, në të kundërtën do të ketë penalizime. Askush nuk mund të japë me pakicë shurupe, elixir, pilule, substanca të helmëta si arseniku etj., preparate të tjera farmaceutike, përveçse farmacisti i licencuar etj., etj., ligje dhe rregulla të tjera që sanksionojnë shërbimin farmaceutik.

farmaci

* * *

Në shek.15, në Itali u vendosën disa kërkesa shtetërore të shprehura nga mjeku Saladin di Asculo, ku thuhej: një farmacist duhet të zotërojë latinishten, për të interpretuar recetën e mjekut dhe kuptojë literaturën farmaceutike; të jetë i pjekur dhe modest; të përgatisë dhe kompozojë barna dhe t’i ruajë ato mirë; të jetë i dashur, i ndershëm, të mos jetë lakmitar; të jetë i aftë; të mos mbajë barna të dëmtuara; të mos zëvendësojë një bar me një tjetër në kundërshtim me interesin e të sëmurit apo dëshirën e mjekut; duhet të ketë gjashtë libra dhe konkretisht për barnat e thjeshtë nga Avicena dhe Serapion, mbi sinonimet nga Simon Janesis dhe barnat e përbëra nga Mesme dhe Nicolans.

Me rënien e Kostandinopojës në v.1453 shënohet dhe fundi i periudhës mesjetare dhe shfaqet periudha e hershme moderne, ajo e Rilindjes. Në këtë kohë, Johan Gutenberg paraqiti makinën e shkrimit, Kolombi zbuloi botën e re, Vasco da Gama krijoi rrugën tregtare me Indinë, tregtia mori zhvillim të madh, shtypshkrimet e ndryshme në fushën mjekësore dhe farmaceutike, si p.sh. në atë anatomike të Andrea Vasilins (1514-1564), apo ilustrimet e bimëve mjekësore si të Otto Brungels (1500-1534), Leonhart Fuchs (1501-1566), John Gerard (1545-1612) apo Dispensatori i Valerius Cordus që mbahet si Farmakopea e parë në v.1546 etj., etj., dhe idetë e reja që lindën në zhvillimin e mjekësisë, nuk mund të shpjegoheshin më me idetë e mjekësisë humorale të Hipokratit dhe Galenit, që sundoi për rreth 1500 vite. Farmacistët morën pozicionin e ballit të kimisë për një periudhë 300-vjeçare dhe kontributi i tyre arriti me krijimin e kimisë përgjithshme dhe përfundoi me krijimin e farmakologjisë moderne. Profesioni i farmacistit u zhvillua dhe modernizua dhe lindën shoqata dhe organizata që përfaqësonin farmacinë, të cilat vendosën edhe kërkesa për provime, trajnime dhe vendndodhjen e farmacive.

* * *

Gjithashtu, zhvillim të madh morën institucionet e ndryshme shkencore, laboratorët kërkimorë, shoqatat dhe organizatat farmaceutike, ligjshmëria, fakultetet dhe kolegjet për studime në profesionin e farmacistit, specializime të ndryshme në fushën e farmacisë, revistat apo literaturë shkencore voluminoze, fabrikat e ndryshme të industrisë farmaceutike të hapura dhe të zhvilluara nga farmacistë si p.sh. fabrika farmaceutike Bayer Leverkusen, themeluar më 01.08.1863 nga farmacisti Frederich Bayer, apo fabrika tjetër gjermane E.Merck Darmstadt, themeluar nga farmacisti Frederic Jacob Merck v. 1668, sot në dhjetë fabrikat lider në botë etj..

* * *

Sot në botë numërohen rreth 4 milionë farmacistë në të gjitha fushat e shërbimit farmaceutik, institucione shkencore dhe kërkimore, fabrika prodhuese barnash, farmaci spitalore, farmaci të rrjetit të hapur, laboratorë të ndryshëm etj., me një nivel të lartë shkencor dhe profesional, me specializime të ndryshme sipas fushës dhe sektorit që ushtrojnë profesionin e tyre, p.sh. që të punosh në një farmaci spitalore duhet të kesh një specializim katërvjeçar për këtë problem. Në vendin tonë, për të qenë drejtues teknik në një farmaci, në bazë të ligjit 105/2014 dhe VKM Nr.144, dt. 11.02.2009 dhe VKM Nr. 538, dt. 26.05.2009 duhet: Të kesh kryer curriculum universitar, që në vendin tone është pesëvjeçar; Mbas kryerjes të studimeve universitare, të kesh marrë provimin e praktikës dhe provimin e shtetit;

Të kesh një stazh pune trevjeçar nën drejtimin e një drejtuesi teknik të licencuar; Të pajisesh me certifikatë nga Urdhri i Farmacistëve për ushtrimin e profesionit dhe të jesh anëtar i Urdhrit; Të paraqesësh dokumente të tjera administrative si p.sh., dokument pronësie apo kontratë qiraje lokali; Të paraqesësh planimetrinë e lokalit të vërtetuar nga një inxhinier topograf dhe të mos jetë më i vogël se 35 m2; Pajisjet e lokalit si rafte, frigorifer, kondicioner, kompjuter etj.; Në vendin tonë, përveç farmacive të shërbimit human, ekzistojnë dhe farmaci të ashtuquajtura farmaci veterinare, për të cilat në bazë të ligjit Nr. 10465, dt.29.09.2011 dhe rregullores Nr.5, dt 30.12.1999 dhe VKM Nr. 538, dt. 26.05.2009 u jepet certifikata e drejtuesit teknik në bazë të këtyre kritereve: Diploma Mjek Veteriner Certifikatë kualifikimi mbi njohuritë farmaceutike farmakologjike veterinare lëshuar nga ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare), ose dëshmia e lëshuar nga Drejtoria e Shërbimit Veterinar, ose Certifikatë kualifikimi lëshuar nga IKU-ja Dokumente të tjera administrative si ai i pronësisë, planimetria e lokalit etj..

* * *

Më poshtë po japim disa definicione mbi farmacinë: Farmacia është përcaktuar si një profesion i lidhur me artin dhe shkencën (pra, është art dhe shkencë) e përgatitjes nga burime natyrore dhe sintetike të barnave dhe medikamenteve për distribuimin dhe përdorimin në mjekimin dhe prevenimin e sëmundjes. Ajo përfshin dituri mbi identifikimin, zgjedhjen, veprimin farmakologjik, ruajtjen, kombinimin, analizën dhe standardizimin e barnave dhe medikamenteve. Gjithashtu përfshin interpretimin e recetave, përbërjen, rishikimin e zgjedhjes produktit medikamentoz dhe përdorimit të barit, monitorimin dhe ndërhyrjen e pacientit. Shoqata Amerikane Farmaceutike e përshkruan misionin e farmacisë në shërbim të shoqërisë, si një profesion përgjegjës për përdorimin dhe shërbimin e përshtatshëm të barnave dhe artikujve mjekësorë, për të arritur rezultate optimale terapeutike.

Raporti komisionit të farmacisë “Farmacisti për të ardhmen”, deklaron se farmacia duhet të ideohet kryesisht si një sistem njohurish që të çon në një shërbim mjekësor, i cili lidhet me kuptimin e barnave dhe efektit të tyre dhe kujdesi farmaceutik është një element i domosdoshëm i kujdesit total shëndetësor. Ky koncept shpreh rolin, rëndësinë dhe përgjegjësinë e farmacistit në terapinë medikamentoze dhe arritjeve përfundimtare në kualitetin e jetës të pacientit. Sipas prof. Joseph L. Fink BS Pharm, Vice President për studime dhe kërkime shkencore, prof. i Farmacisë, College of Pharmacy, University of Kentucky, Lexington, thotë se farmacistët janë të shkolluar, diplomuar dhe licencuar që të japin barna dhe informacion mbi barnat, ata janë ekspertë mbi barnat dhe anëtarët më të pranueshëm të ekipit të sotëm shëndetësor dhe shpesh janë burimi i parë i ndihmës dhe këshillimit në shumë sëmundje dhe çështje të kujdesit shëndetësor.

Prof. Melvin R. Gibson, prof. of Pharmacognosy, College of Pharmacy, Washington State University, ndër të tjera thotë: – Fjala farmaci vjen nga fjala greke pharmacon, që do të thotë bar ose medikament. Një farmacist është personi mbi barnat, ose ekspert mbi barnat. Ai është i vetmi ekspert mbi barnat. Për të qenë ekspert mbi barnat kërkohen dituri të thella mbi të gjitha disiplinat shkencore të shkencës farmaceutike. Më poshtë, prof. Gibson thotë: – Mjeku, dentisti, veterineri mund të përshkruajnë barnat dhe të jenë të interesuar në efektin e barnave te pacienti, vlera terapeutike dhe toksiciteti. Infermierja mund të administrojë barin dhe të jetë e interesuar me formëdozën, rrugën e administrimit dhe manifestimet toksike. Por farmacisti është i vetmi ekspert mbi barnat. Ai ka përgjegjësinë profesionale të dijë gjithçka mbi barnat.

Asnjë program tjetër edukimi nuk përmbush dhe të kuptosh gjithçka mbi barnat, përveç atij të edukimit farmaceutik. Farmacisti dhe vetëm farmacisti është në këtë pozicion unik që përqafon komplet ekspertizën medikamentoze. Atëherë, si është e mundur që një mjek veteriner me kurse gjashtë apo njëmujore, kurse që të kujtojnë ato të viteve 1946-1947 kundër analfabetizmit të drejtë, të hapë farmaci? Gjithashtu, lind pyetja përse këto kurse nuk lejohen të bëhen nga mjekët e shërbimit mjekësor për njerëz dhe të hapin farmaci dhe nuk kemi nevojë për fakultete, studime apo institucione të shërbimit farmaceutik?!

Panorama

Facebook Comments

POST A COMMENT.

sixteen + eight =