Hapja e negociatave si një mendim i dëshiruar

sample-ad

Më 17 prill 2018, stafi i Komisionit Europian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë, mbi të cilin Komisioni Europian dha opinion pozitiv për hapjen e negociatave dhe të konkludimit të marrëveshjes së anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia do të ishin dy vendet e tjera të Rajonit, pas Serbisë dhe Malit të Zi, që do ta startonin këtë proces. Nga qeveria raporti u komentua si një hapje de jure e negociatave, vetëm se vetë procesi do të ndodhte në një kalendar kohor të shtyrë me gjashtë muaj; ndërsa opozita e konsideroi si një miratim me kushte, ose de factovendi do të duhej të kalonte dhe njëherë në një proces rivlerësimi. Tani që opozita është në protesta, qeveria lëshon akuza se ajo po minon hapjen e negociatave, të cilat po sipas saj de jure janë konsideruar të hapura. Por, përtej këtyre retorikave boshe dhe fyese për opinionin publik, hapja de facto e negociata që pritet me padurim se do të nisë së shpejti, është me rëndësi strategjike për vendin dhe Rajonin, e padyshim dhe një akt me dobi utilitariste për aktorët shoqëror.

Konteksti gjeopolitik e ndihmon hapjen e negociatave: frika e zgjerimit të influencës ruse në rajon, si dhe e penetrimit me shpejtësi të kapitalit kinez, nuk janë më thjesht retorika. Por, kësaj teze i shërben edhe nevoja për të riafirmuar vitalitetin e projektit europian përballë daljes së Britanisë së Madhe dhe rritjes së mbështetjes për forcat politike me axhendë nacionaliste dhe përçarëse në Europë. Ballkani, nga ana tjetër, është një rajon që ka akoma rreziqe, të cilat e shqetësojnë Europën.

Ajo që duket se e minon më së shumti këtë proces janë zhvillimet e brendshme dhe reformat që duhet të ndërmerrte qeveria në plotësim të pesë prioriteteve kyçe që përcaktonte raporti. (1) reforma në administratën publike; (2) pavarësia, eficiensa dhe përgjegjshmëria e sistemit gjyqësor; (3) lufta ndaj korrupsionit; (4) lufta ndaj krimit të organizuar dhe (5) të drejtat e njeriut, përfshi të drejtat e pronës.

Sot, pas një viti nga publikimi i raportit, në të pesta këto prioritete, bilanci nuk shënon progres domethënës, ose në disa drejtime mund të thuhet se ka regres. Duke e nisur me reformën në administratën publike: matja e eficiensës dhe profesionalizmit të saj sigurisht që kërkon një set indikatorësh të performancës, të cilat do të tregonin në mënyrë objektive dhe të paanshme progresin e shënuar. Por në mënyrë të tërthortë edhe vetë qeveria e pranon dështimin. Fakti që platforma e bashkëqeverisjes konsiderohet si forma më eficiente e shërbimit ndaj qytetarëve, do të thotë se përmirësimi sistemik i punës së administratës është shumë larg standardeve që pret shoqëria. Edhe fakti tjetër se vendi ynë renditet ndër vendet e fundit në tërheqjen e fondeve me projekte nga BE-ja dhe shkalla e absorbimit të fondeve të alokuara është në nivele shumë të ulëta, tregon në mënyrë indirekte për ineficiensa të mëdha në punën e administratës publike. Ndërsa reforma në drejtësi vazhdon të ketë armiq të fortë dhe të shumëpushtetshëm siç e ka dëshmuar zvarritja prej vitesh e krijimit të institucioneve që do të drejtojnë procesin. Akoma vendi nuk ka një gjykatë kushtetuese ndërsa dritëhijet e të gjitha proceseve të deritanishme kanë ngritur dyshime të mëdha mbi integritetin e të gjithë procesit. Është hera e parë që Komisioni Europian thekson se do të investigojë mbi praktikat e prokurimeve publike në Shqipëri, duke shprehur hapur dyshimet mbi përhapjen e korrupsionit në menaxhimin e shpenzimeve publike. Episodet e zbuluara nga mediat dhe gazetaria investigative për praktika dhëniesh favoresh e privilegjesh një numri të kufizuar biznesmenësh, fryrje të kostove të projekteve të partneritetit publik-privat në shuma absurde, seleksionimi i projekteve jo mbi kritere ekonomike, por lidhjesh dhe preferencash personale, janë shtuar dhe më shumë dhe nuk kanë ardhur drejt eliminimit. Këto episode të shtuara dhe raportuara në publik, kanë bërë që perceptimi për korrupsionin të shtohet, e dëshmuar kjo dhe në raportet e botuara nga organizatat serioze që i dedikohen këtij fenomeni. Por, të njëjtën gjë dëshmon dhe lufta ndaj trafiqeve; krimi ndihet më i fortë dhe jo më i dobët. Episode si ky i fundit që ndodhi në mënyrë të përsëritur në aeroportin e Tiranës, janë shenja alarmante të dështimit të organeve shtetërore që përgjigjen për sigurinë publike, por dhe të forcës së krimit të organizuar. Me gjasa të mëdha, influenca e trafiqeve të shtuara arriti të destabilizonte dhe monedhën e vendit. Përdorimet disproporcionale të forcës nga organet e rendit publik kanë prodhuar dhe viktima të pafajshme, siç kanë qenë episodet ndaj minoriteteve rome. Ndoshta reforma e vetme që duhet vlerësuar është ajo e pronësisë, e konsolidimit të agjencive qeveritare që merren me pronat, duke hapur rrugën për t’i dhënë fund një procesi tridhjetëvjeçar konfliktesh pronësore.

Por, përtej kësaj situate jo optimiste të reformave të brendshme, hapja e negociatave nga BE-ja do të ishte ngjarja më e rëndësishme për vendin. Politikanët lokalë nuk kanë dëshirë të ndajnë pushtet me Brukselin dhe me siguri që janë shumë më të pushtetshëm duke mos qenë pjesë e BE-së. Mbikëqyrja nga strukturat europiane do i dobësonte liderët e fortë që prodhon vendi ynë, lider që nuk i njohin thjeshtësinë, modestinë, përulësinë si vlera karakterizuese të burrave të shtetit.

Fatkeqësisht, procesi i integrimit europian për Ballkanin ka qenë aq i zvarritur sa kredibiliteti i tij pothuajse se ka humbur. Edhe pse perspektivat e integrimit kanë mbetur të hapura për të gjithë vendet, në fakt përmbajtja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ka qenë më e cekët se Marrëveshjet e Asocimit/Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë që BE-ja ka nënshkruar me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë; lista e instrumenteve të politikave ekonomike që ata kanë pasur në dispozicion ka qenë më e gjerë. Rreziku rus dhe ofertat e partneritetit lindor kanë funksionuar më fort në këtë rast. Një raporti i CEPS (Qendra për Studime Politike Europiane) përmend hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por nuk përmend Shqipërinë. Procesi i integrimit është konsideruar se do të jetë i bazuar në meritë dhe, me gjithë skepticizmin që mund të kemi ne se sa i merituar është në kushtet e mungesave serioze të progresit të dëshmuar në reformat kyçe, le të shpresojmë që pesimizmi ynë të jetë i gabuar. Hapja e negociatave do të shërbente si një momentum pozitiv për t’u rikthyer njerëzve shpresën dhe besimin në të ardhmen më të mirë për vendin. Qytetarët e meritojnë dhe do të ishte në nderin e vendeve anëtare të BE-së t’u jepte atyre një mundësi.

Nga Selami Xhepa

/Gazeta Liberale/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

10 − eight =